Si gënjen Baçi për vendimin e Gjykatës, Federata sqaron

Federata Shqiptare e Futbollit njofton opinionin publik se nga Gjykata e Tiranës nuk ka një vendim refuzimi apo konstatimi të paligjshmërisë së zgjedhjeve të fundit të organeve drejtuese të FSHF-së.
Ky vendim ka të bëjë vetëm me kthimin e kërkesës, për shkak të plotësimit të disa dokumenteve shtesë që ka kërkuar Gjykata.
Pasi të plotësohet dokumentacioni i kërkuar, FSHF-ja do t’i ridrejtohet Gjykatës për depozitimin e dokumenteve që parashikon Ligji.
Kjo praktikë në Gjykatë ka të bëjë vetëm me regjistrimin e akteve. Legjislacioni në fuqi kërkon që këto akte të regjistrohen në Gjykatën e Tiranës, dhe nga ana e saj, gjyqtarja e çështjes ka kërkuar vetëm disa plotësime në dokumentacionin e kërkuar, të cilat shumë shpejt do t’i vihen në dispozicion.
Pasi kërkuan të bëjnë regjistrimin e vendimit të Asamblesë, Gjykata u ka kërkuar që vendimin e Asamblesë ta bashkangjisin me listën e të gjithë anëtarëve që votuan, a janë ata të regjistruar në Gjykatë apo QKB, si janë të organizuar, kush ua dha mandatet për delegim vote, etj.
Në pamundësi për të fshehur që shumë prej votuesve kanë qenë të paligjshëm, të paregjistruar në Gjykatë apo QKB, ose të mandatuar në mënyrë abuzive, mësohet se Gjykata vendosi për të mos regjistruar vendimin e Asamblesë.

Një vendim i pritur nga Bashkim Fino dhe stafit të tij, pasi ishte një strategji juridike e planifikuar si para dhe pas zgjedhjeve.
Përpos denoncimit publik të manipulimit, u punua që të flasë edhe drejtësia mbi këto abuzime, për t’i treguar sportdashësve se falsifikimet do dalin në dritë.
Aktualisht futbolli shqiptar është në kaos. Presidenti Armand Duka dhe 9 anëtarët e Komitetit Ekzekutiv nuk janë të regjistruar në Gjykatë. Nuk e morën dot mandatin zyrtarisht. Zgjedhjet e reja priten së shpejt.
Ndërkohë pas këtij lajmi, ka reaguar dhe vetë Bashkim Fino i cili shkruan se: Pasi konstatova dhe denoncova publikisht paligjshmërinë e funksionimit të FSHF, mënyrën se si i manipuluan zgjedhjet, duke futur persona të pautorizuar dhe shoqata të paregjistruara, bashkë me stafin tim, vendosëm të ndjekim rrugën ligjore. Kisha besim te drejtësia dhe ajo u shpreh sot, duke mos e regjistruar Asamblenë Zgjedhore të datës 7.02.2018.
Përshëndes shpresën që dha sot drejtësia, që çdo manipulim, nuk do ketë sukses para ligjit.
Ky ishte një mesazh për të gjithë viktimat e këtij sistemi, që Armand Duka nuk ka për të pasur më sukses me metoda të paligjshme.
Procesi vazhdon edhe në KAS-in shqiptar dhe sidomos në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv në Lozanë, për një futboll të pastër dhe të drejtë!