Materazzi komplimenton Gattuson, tregon kush e fiton titullin në Seria A

Gennaro Gattuso është i denjë ta mbajë punën e rangut të lartë te Milani për një kohë të gjatë, sipas ish-bashkëlojtarit në kombëtaren e Italisë, Marco Materazzi. Gattuso, një hero për tifozët në Milano, gjatë ditëve të tij të lojës si mesfushor-mbrojtës, erdhi nga drejtimi i të rinjve kuqezinj, për të marrë në dorë frenat e ekipit të parë, në nëntor, pas largimit të Vincenzo Montella. 40-vjeçari e ka udhëhequr skuadrën e Milanit nga mesi i tabelës drejt mundësive për kualifikim në “Europa League”, si dhe ka rezervuar një vend në finalen e “Coppa Italia”, të majit, kundër Juventusit.

Milani udhëton për t’u përballur me kampionët aktualë të Juves, të shtunën, mes njoftimeve se trajneri i tij ka vendosur ta shtyjë kontratën deri në qershor 2021. Dhe Materazzi, i cili fitoi Kupën e Botës 2006, së bashku me Gattuso, beson që ai ka dëshmuar se është i denjë për një marrëveshje të zgjatur. “Unë besoj se, kur një trajner rritet nga përgjegjësia e ekipit B dhe kërkon të mbajë të njëjtën kontratë, duke u përpjekur të provojë veten me ekipin e parë, ka dëshmuar se mund të trajtohet si trajner i lartë,tha ish-mbrojtësi i Interit për“Omnisport”.Kuqezinjtë kanë bërë një rikthim të pabesueshëm. Rinon, i cili ishte në gjendje të krijojë një atmosferë të mirë dhe një grup të ngushtë, do ta shohim në këto nivele edhe sezonin e ardhshëm”.
I pyetur për garën e titullit, Materazzi nuk pranoi të nominonte një fitues, teksa beson se gjithçka do të vendoset në vizitën e Napolit në fushën e Juventusit, më 22 prill: “Nuk është e lehtë të zgjedhësh një favorit. Barazimi kundër SPAL-it bëri që gjërat të ndërlikohen për Juve përsëri, pasi bardhezinjtë, gjithashtu do të duhet të përqendrohen në Ligën e Kampionëve. Më pëlqen shumë Napoli, me të vërtetë besoj se luan futbollin më të mirë në Itali, por do të jetë shumë e vështirë për të fituar në Torino. Nëse ata e bëjnë këtë, do ta meritonin plotësisht titullin e kampionit në Itali”.