Familjarët dhe avokatët të shqetësuar për fatin e të deportuarve

Familjarët e shtetasve turq, të deportuar një ditë më parë, u mblodhën para ndërtesës së qeverisë së Kosovës për të kërkuar informacione për të afërmit e tyre.
Avokati Leotrim Syla tha se nuk ka asnjë informatë nga organet zyrtare se ku gjenden dhe çfarë ka ndodhur me ta.
“Tash për tash po kërkojmë që të takohemi me kryeministrin në mënyrë që të na jap detaje rreth asaj se çfarë ka ndodh dhe le të shohim se çka do të ndodh tash e tutje, a do të mund të ndalet deportimi i tyre për shkak se nga organet turke nuk ka ndonjë deklaratë zyrtare se ata janë deportuar por nuk ka asnjë deklaratë zyrtare e cila vërteton që ata janë deportuar nga ana e shtetit të Kosovës kështu që në bazë të deklaratve jo zyrtare familjarët kanë kuptuar që ata gjenden ende në Kosovë dhe shpresojmë që në këtë mënyrë do të mund të ndalohet deportimi i tyre për shkak se kemi një brengë shumë të madhe në kahjen që Kosova do të merr”.

Ai tha se gjendja nëpër burgjet e Turqisë është e tmerrshme dhe ata që bashkëpunojmë me shkelësit e të drejtave të njeriut në një mënyrë janë kontribuues në shkeljen e atyre të drejtave.
“Andaj edhe çdo bashkëpunim me anë të ekstradimit apo deportimit dhe dhënies së qytetarëve turq të cilët përndiqen vetëm për shkak të bindjeve të tyre kundër pushtetit të tanishëm është shkelje e të drejtës ndërkombëtare gjegjësisht e Konventës evropiane për të drejtat e njeriut të cilën Kosova e ka marr si obligim për respektimin e saj. Këta njerëz rrezikohen të deportohen në një vend ku do të shkelën në mënyrë flagrante të drejtat e tyre”, tha zoti Syla.