Dyshime për ekstradimin në Turqi të mësuesve turq, janë parë pranë aeroportit të vjetër në Prishtinë

Shtetasit turq janë parë sonte në ndërtesën e vjetër të Aeroportit. Së paku 3 nga shtetasit turq të arrestuar të enjten, janë parë sonte në hapësirat e vjetra të Aeroportit të Prishtinës. Lajmin e ka konfirmuar për KTV-në përfaqësuesi i shkollave gyleniste në Kosovë, Bujar Muzhaqi.
Ai ka thënë se një prind i ka parë shtetasit turq në ndërtesën e vjetër të aeroportit, që shërben për qëndrimin e personave VIP.
Muzhaqi ka thënë se i njëjti person i ka thënë se të arrestuarit kanë kërkuar ndihmë mjekësore.
Të shqetësuar e në ankth, familjarë të shtetasve turq që u arrestuan të enjten në Kosovë, për disa orë kanë qëndruar para objektit të qeverisë.
Përveç që kanë kërkuar të dinë se çka ka ndodhur me familjarët e tyre, ata kanë folur edhe për marrëdhëniet refuzuese të ambasadës turke në Kosovë, raporton KTV.

“Nuk dëshirojmë që t’i dërgojnë te regjimi i Erdoganit,” thotë në lot Nevin Erdem, gruaja e Mustafa Erdem.
“Te gjithë jemi shumë të mërzitur dhe po presim lajm prej tyre. Ne, përveç mirësisë në Kosovë, nuk kemi bërë asgjë tjetër”, ka thënë Erdem.
Ata kanë shpresuar në një takim me të parin e qeverisë.
“Po kërkojmë takim me kryeministrin Haradinaj, po kërkojmë informacione për vendndodhjen e shtetasve. Po kërkojmë sqarim personal prej tij”, ka thënë Mustafa Sabri Gunakan, djali i Hasan Hysen Gunakan.
E disa orë më vonë, ata u ftuan që të hyjnë në objektin e qeverisë, por jo për të takuar Haradinajn.
Ata u pritën nga shefi i stafit të kryeministrit, Avni Arifi, që i njoftoi për veprimet e të parit të ekzekutivit, duke i siguruar se do të bëjnë ç’është e mundur për të hetuar e zbardhur të vërtetën e asaj që ka ndodhur.