Drejtori denoncon ministrin: Po fsheh korrupsionin me gjuetinë e shtrigave

Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka bërë ditën e sotme kallëzim penal në Prokurorinë e Tiranës për shpërdorim të detyrës, ndaj tre ish-zyrtarëve të Agjencisë Kombëtare të Ujësjellës-Kanalizimeve.
Sipas Ministrisë, Ardian Alushi, ish-Drejtor i Përgjithshëm i Agjencisë Kombëtare të Ujësjellës Kanalizimeve, Tiranë, Klevis Biçaku, ish Koordinator i projektit, Albens Alite, ish- Koordinator i projektit për periudhën Qershor 2015 – Tetor 2017 akuzohen se kanë shkaktuar shkaktuar një dëm prej 21 milionë lekë në buxhetin e shtetit.
Por menjëherë ka ardhur edhe reagimi i ish-drejtorit Alushi i cili shkruan se kjo është një stisje e motivuar politikisht dhe se ai ka zbatuar pikë për pikë ligjin.
Reagimi i plotë i Ardian Alushit:
E gjitha është një stisje e motivuar politikisht dhe që ka për autor ata që sot duan të fshehin abuzimet e tyre në drejtorinë e ujësjellësit. Unë kam zbatuar pikë për pikë ligjin dhe aktet rregullatore të tij. Çdo akt apo veprim juridik apo financiar është miratuar nga Banka Japoneze për Bashkëpunim Ndërkombëtar(JICA), në përputhje me marrëveshjen e miratuar në parlament në vitin 2008. E cila ka monitoruar dhe çertifikuar të gjithe ecurinë e projektit nga fillimi deri sot.

Projekti për të cilin zoti Gjiknuri pretendon se është abuzuar është audituar në detaje nga Kontrolli i Lartë i Shtetit. Përfundimet e tij mund t’i shohë dhe gjykojë kushdo. Ato janë të tëra në përputhje me ligjin dhe nuk është evidentuar asnjë shkelje.
Me cilësinë e drejtuesit kam respektuar ligjin pikë për pikë, por këtë gjë nuk kanë dashur ta shohin dhe evidentojnë audituesit politikë të Ministrisë së Energjisë.
Auditët politikë të inicuar nga ministrat e Edi Ramës janë thjesht shërbime për shefat që duan të fshehin korrupsionin e vërtetë të ministrave dhe të qeverisë.
Çdo përpjekje për të mbuluar të vërtetën dhe kërcënimet në emër të Prokurorisë janë jo serioze dhe të pavlera. Gjyqet politike të bekuara nga Edi Rama nuk tregojnë asgjë më shumë se mjerimin aktual të administratës që është tashmë pré e gjuetisë së shtrigave në emër të drejtësisë.
Shpreh bindjen dhe sigurinë së asnjë audit politik dhe i bekuar nga tarafet e korrupsionit sado të përpiqet nuk do të mund të hedhë baltë mbi punën tonë.