Çfarë ndodhi me 6 mësuesit turq në Kosovë dhe pse Haradinaj nuk dinte gjë?

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, shkarkoi të premten ministrin e Brendshëm Flamur Sefaj dhe shefin e Agjencisë së Zbulimit, Driton Gashi, pas arrestimit dhe deportimit të një dite më parë të gjashtë shtetasve turq, që kërkoheshin nga Ankaraja.
Kryeministri Haradinaj tha se nuk ishte i informuar për operacionin e arrestimit dhe deportimit dhe për këtë arsye “liron nga detyra të dy zyrtarët”.
Në vendimet e shkarkimit shkruhet se “operacioni i ndërprerjes së leje qëndrimit, i ndalimit, deportimit urgjent dhe të fshehtë të gjashtë qytetarëve turq nga territori i Republikës së Kosovës në Republikën e Turqisë, ka ndodhur pa informimin e Kryetarit të Qeverisë dhe pa lejen e tij!”
Autoritetet në Kosovë arrestuan të enjten pesë shtetas turq, punonjës të Institucionit Arsimor Gylistan, pronë e klerikut turk Fethullah Gulen të cilin presidenti turk Recep Tayyip Erdogan e fajëson për një përpjekje grusht shteti në Turqi, dy vjet më parë si dhe një mjek turk në Kosovë.
Ata u deportuan menjëherë në Turqi në një operacion të përbashkët të shërbimeve të zbulimit të të dyja vendeve.

Të enjten gjatë ditës ministria e Punëve të Brendshme ë Kosovë, tha nëpërmjet një komunikate se u kishte revokuar lejet e qëndrimit shtetasve turq, “për arsye të përcaktuara me ligjin për të huaj, konkretisht nenit 6 të ligjit ku flet për refuzimin apo revokimin e lejes së qëndrimit për rrethanat e sigurisë shtetërore”.
Tërë operacioni u përcoll u përcoll me paqartësi dhe informacione të pakta.
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, tha nëpërmjet një deklarate se është informuar nga organet kompetente “pas ngjarjes se gjashtë shtetas janë deportuar sot në Turqi me arsyetimin se nuk kanë pasur leje qëndrimi në Kosovë. Ne tani duhet të sqarojmë arsyet që kanë çuar deri në deportimin e këtyre shtetasve turq për në Turqi”.
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj tha nëpërmjet një komunikate se nuk kishte dijeni për operacionin.
“Ka disa elemente që e bëjnë të paqartë këtë operacion deri te urgjenca e deportimit. Si kryeministër i Kosovës duke mos qenë i informuar nga asnjë institucion vendor për ndalimin dhe deportimin e tyre, do të veproj në përputhje me përgjegjësitë kushtetuese dhe ligjore lidhur me këtë veprim dhe paqartësitë rreth këtij veprimi”, thuhet në deklaratën e kryeministrit Haradinaj.

Edhe kryetari i parlamentit, Kadri Veseli nëpërmjet një postimi në Facebook, tha se arrestimi nuk përfaqëson as formën e duhur të zhvillimit të sundimit të ligjit, as konsolidimit të nevojshëm të demokracisë.
Në orët e mbrëmjes nxënësit e Kolegjit “Mehmet Akif” ku punonin të arrestuarit u hodhën në protestë duke kërkuar lirimin e tyre. Turqia ka arrestuar më shumë se 50 mijë veta në operacionet kundër mbështetësve të dyshuar të Fethullah Gulenit, klerikut që akuzohet se qëndronte para grusht shtetit të korrikut të vitit të kaluar.
Kleriku Gulen që jeton në Shtetet e Bashkuara i ka mohuar vazhdimisht akuzat. Fondacioni i tij FETÖ drejton rreth 40 shkolla në Ballkanin perëndimor përfshirë 15 institucione në Bosnjë, 12 në Shqipëri, 7 në Maqedoni, pesë në Kosovë dhe në një Serbi.
Një goditje e gjerë qeveritare pas grusht shtetit që la pas vetes 250 të vrarë dhe mbi 2 mijë të plagosur, vuri në shënjestër mbështetësit e Gulenit dhe kundërshtarët tjerë të qeverisë turke.
Vëzhguesit thonë se ndikimi turk në Ballkanin Perëndimor ka shtrirje në mjedisit posaçërisht të banuara me myslimanë, siç janë Kosova, Shqipëria, Maqedonia dhe Bosnja e Hercegovina.
Një shqetësim të tillë vazhdimisht e kanë shprehur edhe ekspertë ndërkombëtarë të cilët thonë se Turqia përmes investimeve po provon që të shtrijë ndikimin e saj në Kosovë.

Erdogan: Do t’i ndjekim kudo përkrahësit e Gulenit
Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, tha të premten se vendi i tij do të vazhdojë ndjekjen e mbështetësve të Fetullah Gulenit, duke konfirmuar deportimin e shtetasve turq nga Kosova.
“Së fundmi, agjencia jonë kombëtare e zbulimit, solli gjashtë përfaqësues të lartë të “FETO”-s nga Ballkani në bashkëpunim me agjencinë e zbulimit të Kosovës, dhe ua dorëzuan organeve policore. Ne kemi thënë se ata do të ikin, kurse ne do t’i ndjekim dhe sjellim këtu , kudo që të jenë”, tha ai gjatë një tubimi në Ankara.

Deputetët kërkojnë përgjegjësi
Fillimi i një seance të parlamentit të Kosovës u përshkua me debate dhe kërkesa për përgjegjësi të institucioneve pas deportimit të djeshëm të shtetasve turq.
Shefi i grupit parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti tha se nga sot institucionet e vendit kanë hyrë në një situatë të re dhe duhet të pajtohen për datën e zgjedhjeve.
“Është mese e qartë për mënyrës se si janë zhvilluar ngjarjet dje, kryeministri i vendit si shef i ekzekutivit nuk ka kontroll mbi qeverinë, mbi policinë dhe mbi institucionet e tjera, është gjithashtu e qartë se presidenti i vendit ka tejkaluar përgjegjësitë e veta në këtë rast dhe nuk është rasti i vetëm që ai kalon kompetencat kushtetuese’, tha zoti Hoti.
Shefi i grupit parlamentar të lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca tha se aksioni i një dite më parë do të ketë pasoja të rënda për shtetin e Kosovës.
“Si është e mundur që në shtetin tonë të ketë struktura paralele të veprojnë pa e ditur politika vendimmarrëse, kjo është sfida të cilën e kemi përjetuar në ditën e djeshme. Sa i përket të drejtave të njeriut, kjo është një kthim i paimagjinueshëm prapa për Kosovën, për arsye se konventat më të rëndësishme evropiane të aplikueshme në Kosovë janë shkelur me ditën e djeshme dhe janë shkelur nga institucionet shtetërore të sigurisë, me deportimin e gjashtë shtetasve turq prapa në Turqi”, tha mes tjerash zoti Konjufca.
Kryeministri Ramush Haradinaj, ritheksoi në parlament se nuk kishte asnjë informacion për operacionin.
“Diku nga mesi i ditës kam kuptuar se ka ndodhur depërtimi”, tha Haradinaj, duke theksuar se shkarkimi i përgjegjësve është vendim i prerë dhe i pakthyeshëm.

Delawie: Transparenca dhe sundimi i ligjit – jetike
Ambasadori amerikan në Kosovë, Greg Delawie, shkroi në twitter se po ndjek nga afër zhvillimet rreth shtetasve turq të deportuar.”Transparenca dhe angazhimi ndaj procesit dhe sundimit të ligjit janë jetike”