Kosova do të padisë Ramën në Strasburg për “Rrugën e Kombit”

Organizatat e biznesit në Kosovë po shikojnë mundësinë për të çuar taksën e vendosur për segmentin Milot-Morinë në Gjykatën e Strasburgut. Lajmi konfirmohet për “Monitor” nga Safet Gërxhaliu, kryetar i Odës Ekonomike të Kosovës, organizata kryesore e biznesit në Kosovë.
Gërxhalliu tha se janë tre arsyet se pse ata gjykojnë që taksa që po vihet është e padrejtë:
-Së pari, nuk ka një alternativë tjetër rruge pa pagesë. Rruga e vjetër është tepër e amortizuar dhe ka dalë praktikisht jashtë funksioni.
-Së dyti, taksa është më e lartë në krahasim me studimet, të cilat kanë rekomanduar se tarifa duhet të ishte maksimumi 1.4 euro.
-Së treti, rruga është e papërfunduar dhe po vihet tarifë kalimi, kur në gjithë rrugën ka shumë elementë pasigurie.
Gërxhalliu thotë se ata janë ende në hapat e parë të organizimit. Do të merret një studio ligjore dhe do të formulohet padia, pasi të jenë grumbulluar të gjitha argumentet.
Sipas tij, janë 10 kompani të mëdha, 5 nga Shqipëria dhe 5 nga Kosova, që janë në rrezik falimenti, sepse e kanë të lidhur gjithë aktivitetin me njëra-tjetrën.
Gërxhalliu paralajmëron se do të jenë bizneset e Shqipërisë që do e vuajnë më shumë shtimin e kostove. “Kompanitë e Kosovës do e kenë më të lehtë të gjejnë treg për shkak të investimeve që Kosova po bën në infrastrukturë, që do e lidhin më shpejt me Maqedoninë me autostradën e re dhe me Malin e Zi, përmes hekurudhës që pritet të ndërtohet”.
Gërxhalliu shprehu dhe keqardhjen që nga ana e Shqipërisë nuk kanë parë solidaritet për të kundërshtuar këtë taksë, sipas tij të padrejtë, sidomos nga organizatat shqiptare të sipërmarrjes.