Dënimi/ UEFA përjashton 10 vjet Skënderbeun! Ja vendimi i plotë

Komisioni i Disiplinës, Etikës dhe Kontrollit në UEFA ka marrë edhe zyrtarisht vendimin për dënimin 10-vjeçar të Skënderbeut nga kupat e Europës, si dhe gjobitjen prej një milion eurosh, pas akuzave për trukim, duke lënë në fuqi pretencën e kërkuar nga inspektorët e saj.
Vendimi është marrë në mbledhjen e 21 marsit të këtij Komisioni, ndërkohë që është bërë zyrtar vetëm këtë të enjte, edhe pse Skënderbeut dhe palëve të përfshira u është kërkuar që të mos e bëjnë publik.
Sipas vendimit, gjoba duhet të paguhet brenda 90 ditëve nga komunikimi zyrtar i tij.
Gjithsesi, ky vendim është subjekt apelimi, ndaj pritet që Skënderbeu ta apelojë në Komisionin e Apelit të UEFA-s, si shkallë e dytë, e më pas në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv, CAS, në Lozanë.
Vendimi i plotë:
Komisioni i Kontrollit, Etikës dhe Disiplinës së UEFA-s vendosi:
1. Të përjashtojë KS Skënderbeu nga pjesëmarrja në garat europiane të klubeve për 10 vite.
2. KS Skënderbeu jobitet me 1.000.000 (një milion) €.
3. Gjoba e mësipërme duhet të paguhet në llogarinë bankare brenda 90 ditëve nga data e njoftimit të këtij vendimi.
Thomas Partl Kryetar

Në dijeni të Federatës Shqiptare të Futbollit
Këshilla për Apelimin
Ky vendim është i hapur për ankim (neni 60 DR). Deklarimi i qëllimit për të apeluar vendimin e organit të Kontrollit, Etikës dhe Disiplinës duhet të depozitohet në administratën e JEFA-s, me shkrim, për vëmendjen e Organit të Ankesave, brenda tri ditëve nga njoftimi i vendimit përkatës, me arsye ( Neni 60 (2) DR). Brenda pesë ditëve nga koha e afatit të deklarimit të qëllimit për të apeluar, ankesa duhet të paraqesë, me shkrim: arsyet për ankesë, të cilat duhet të përmbajnë një kërkesë ligjore, një raport me akte, dëshmi, listën e dëshmitarëve të propozuar (me një përmbledhje të shkurtër të dëshmisë së ngritur) dhe konkluzionet e ankuesit (në veçanti, nëse duhet të merren me procedurën e ankesës, me gojë, ose me shkrim) (Neni 60 (3) DR).
Tarifa e ankimit është 1.000 €, e pagueshme me paraqitjen e arsyeve për ankesë (Neni 60 (4) DR).