“Zot ruaje Shqipërinë nga shqiptarët”, Kosova në protesta kundër taksës së Ramës, Shqipëria fle

150 kamionë nga Kosova kanë bllokuar sort Rrugën e Kombit në shenjë proteste për taksat e larta të qeverisë ndaj përdoruesve të kësaj rruge. Kamionat kanë mbërritur pa mallra në Rrugën e Kombit dhe kërkojnë uljen e tarifave të rrugës. Banderolat e protestuesve nga Kosova janë “Zot ruaje Shqipërinë nga shqiptarët”. E ndërsa në Kosovë kanë nisur protestat Shqipëria fle bashkë edhe me pjesën e Veriut që është izoluar nga kjo taksë dhe kjo mund të jetë e paprecedentë.
Ende nuk ka një reagim nga Shqipëria. Të majtë e të djathtë në Këshillin Bashkiak të Kukësit bëhen bashkë për t’i kërkuar qeverisë që të anulojë taksën për kalimin në “Rrugën e Kombit”. Ata thonë se, aplikimi i taksës prej 5 euro për kalimin në këtë rrugë do të shoqërohet me rritje të çmimit nga shoqëritë e transportit privat. “Kryeministri ka heshtur, institucionet kanë heshtur, kreu i Parlamentit ka heshtur… Propozim im është që të caktojmë një ditë dhe një orë për një protestë paqësore për kundërshtimin e taksës”, ka thënë Arif Rexhmati, kreu i Këshillit Bashkiak të Kukësit. Kompania koncesionare është ende në fazën testuese të sistemit për aplikimin e tarifës prej 5 euro, ndërsa pagesa do të fillojë shumë shpejt. Tarifa është kundërshtuar edhe nga qeveria e Kosovës.
Arif Rexhmati, kryetari i grupit të këshilltarëve të djathtë, tha: “Kryeministri ka heshtur, institucionet kanë heshtur, kreu i Parlamentit ka heshtur… Propozim im është që të caktojmë një ditë dhe një orë për një protestë paqësore për kundërshtimin e taksës”.
Ndërsa Tatjana Kërgjaliu, kryetare e grupit të këshilltarëve të majtë, u shpreh: “Një grup prej nesh të shkojmë te prefekti, që të njihemi nga afër me përgjigjen e instancave”.
Kundër është shprehur edhe Shoqëria Civile.“Ne nuk e kemi parë ndonjëherë veten më keq se tani. Do të kemi pamundësi lëvizjeje. Kuksianët nuk kanë reaguar dhe kjo është një e metë e jona si shoqëri”, deklaroi Rifat Demalija.
Ndërkohë që Lavdrim Shehu theksoi: “Është një barrë financiare që i vendoset qytetarëve dhe një pengesë e madhe psikologjike për njerëzit”.
Vendosja e taksës për kalimin në “Rrugën e Kombit” do të përkthehet menjëherë në rritjen e çmimit të biletës nga shoqëritë e transportit privat: “Deri tani kemi punuar me një biletë që kushton 400 lekë, ndërsa taksa na detyron ta rrisim këtë çmim”.
Aplikimi i tarifës 5 euro për një kalim për automjetet e vogla nis shpejt, ndërsa kompania koncesionare është ende në fazën e testimit të rrjetit.