Provat e krimit të ish-ministrit

Përgjimet e telefonave që zbulon dosja e Prokurorisë së Krimeve të Rënda për Jaeld Çelën, ish-drejtorin e Policisë së Vlorës japin një panoramë të plotë, sesi funksiononte zinxhiri i komunikimit nga kultivuesit e kanabisit deri tek drejtuesit më të lartë të Ministrisë së Brendshme dhe anasjelltas.
Në telefonatat e përgjuara janë, që nga shqetësimi për punëtorët e parcelave e deri tek kontaktet me njerëzit e afërt të Saimir Tahirit. Dhe njeriu që i bashkon të gjitha fijet është ish-drejtori i Policisë së Vlorës, Jaeld Çela.
Ish polici jeton në arrati, por tabulatet e kompanisë telefonike tregojnë se, komunikimi i tij shkonte në njërën anë me kultivuesit e kanabisit, në anën tjetër me njerëzit pranë ish-ministrit Tahiri, më saktë me Gentian Cakën, shoferin e ish-ministrit të Brendshëm dhe me Orest Sotën, mikun e tij biznesmen.
“Nga tabulatet telefonike dhe qelizat e përdoruara gjatë thirrjeve telefonike, të kryera nga numrat telefonikë celularë 069 88 17 152, 069 46 83 312 dhe 069 38 96 070, të rezultuar të regjistruar në emër të shtetasit Jaeld Çela, njoftohet për komunikime të kryera me Florian Habilaj, Gentian Ceka dhe Orest Sota”, thuhet në dosjen e Prokurorisë së Krimeve të Rënda.

Orest Sota është një biznesmen i ri, mik i Saimir Tahirit. Të dy kanë dalë publikisht, kur Ministria e Brendshme i dha kompanisë së Sotës tenderin për rikonstruksionin e Komisariatit Nr.6 në Tiranë. Por Sota u bë i famshëm, kur u kap nga policia me 800 mijë euro dhe patentat e Saimir Tahirit dhe bashkëshortes së tij në makinë.
Ishte Gentian Caka, shoferi i Saimir Tahirit që shpjegoi se patentat e Tahirit dhe bashkëshortes së tij i kishte harruar në makinën e Sotës.
Komunikimet e tyre me Jaeld Çelën janë risi. Në dosjen e Prokurorisë së Krimeve të Rënda nuk dihet se për çfarë bisedonin njerëzit e Tahirit me ish-drejtorin e Policisë që dilte garant për kultivimin dhe trafikimin e kanabisit në Vlorë.
Në anën tjetër të lojës janë kultivuesit dhe trafikantët e kanabisit. Bie në sy emri i Moisi Habilajt. Komunikimi i kultivuesve ka qenë intensiv nga dy ish-policë të tjerë, Sokol Bode dhe Gjergj Kohila, të dy të shpallur në kërkim.
Janë të njohura përgjimet e dosjes italiane në peshkarexhën Fatima, kur Moisi Habilaj i mburret trafikantëve italianë sesi bashkëpunon me policët.
Krimet e Rënda zbulojnë përgjimet e kultivuesve të kanabisit. Një prej tyre, Taulant Haxhiraj flet për garancinë që i ishte dhënë nga policia, sesi SHISH kishte nisur përgjimet dhe sesi pritet një përgjigje nga “kushot e ministrit”.