Pas grabitjes së tokave në bregdet, deputeti i PS braktis Kuvendin, i shmanget akuzave

Deputeti i Partisë Socialiste, Alket Hyseni, i denoncuar për aferën e grabitjes së 11 mijë metrave tokë në bregdetin e Dhërmiut, është shmangur sot nga përballja me akuzat duke braktisur Komisionin e Ligjeve.
Hyseni, i cili është denoncuar zyrtarisht nga familja Bua për vjedhjen e pronës, ishte përcaktuar si relator në Komisionin e ligjeve për ligjin e Prokurorisë së Përgjithshme, bazuar në ndryshimet kushtetuese të propozuara nga PD.
Deputetët e këtij Komisioni, janë njohur në fillim të diskutimit të këtij drafti se relator nuk do të ishte më Alket Hyseni, por deputeti tjetër socialist Bledi Çuçi.
Siç duket deputeti socialist, ka dashur që yë shmangë debatet në mënyrë që ti japë vetes kohë për të përgatitur mbrojtjen.
Pak ditë më parë Hyseni është përballur dhe me një ‘’gjyq’’ të vogël në mbledhjen e grupit parlamentar të PS-së, ku Rama dhe Balla i kanë kërkuar që të sqarojë publikisht pozicionin e tij në lidhje me çështjen në fjalë.
Alket Hyseni, deputet i Partisë Socialiste e ka grabitur pronën në bashkëpunim me ish-kryeregjistruesin e Vlorës, Rezart Elmazi. Alket Hysenin dhe Rezart Elmazin i lidh koha kur të dy kanë qenë pjesë e Task Forcës për evidentimin e pronave të tjetërsuara në Bregdetin e Jugut nga Vlora në Dhërmi.

Denoncimi
Një pronare tokash në Dhërmi ka dhënë një deklaratë bombastike, duke akuzuar deputetin e Partisë Socialiste për vjedhje toke. Në emisionin “Të Paekspozuarit”, në mbrëmjen e sotme, një pronare tokash në Dhërmi, ka denoncuar deputetin e Partisë Socialiste, Alket Hyseni, se i ka vjedhur tokën. Zonja Irini Bua, pretendon se Alket Hyseni i ka tjetërsuar 11 mijë metra tokë.
Në emisionin “Të Paekspozuarit”, ku është disktuar për grabitjen e tokave në bregdetin shqiptar, nëpërmjet “kopsitjes” së dokumentave me ligj, një pronare tokash në Dhërmi, ka denoncuar deputetin e Partisë Socialiste, Alket Hyseni, se i ka vjedhur tokën.
Zonja Irini Bua, pretendon se Alket Hyseni i ka tjetërsuar 11 mijë metra katrorë tokë. “Prona është vjedhur nga Alket Hyseni, 11 mijë metra. Letrat që keni ju përpara, vërtetojnë vjedhjen ose përvetësimin e pronës nga Alket Hyseni. Leje mbi pronën tonë ka dhënë Edi Rama. Alket Hyseni ka bërë marrëveshjen me kompaninë e Mirela Papulit. Nuk mund të ketë Alket Hyseni dhe kompania Papuli pronë, dhe ne nuk kemi asnjë metër katror tokë. Tani kanë dhënë leje ndërtimi tek Papuli për ndërtimin e një fshati. I bëj thirrje kryeministrit Rama që të pezullojë këtë vendim.
Alket Hyseni, sot deputet i Partisë Socialiste, në kohën e tjetërsimit të kësaj prone ka qenë Kryetar i Task Forcës, ndërsa Rezart Elmazi ishte anëtar i saj.