Molla e sherrit, përse u largua Lista Serbe

Lista Serbe, e cila ka 10 deputetë në Parlamentin e Kosovës, mori vendim që të largohet nga qeveria e Kosovës e udhëhequr nga Ramush Haradinaj. Lajmin e komunikoi shefi i kësaj liste, Goran Rakiq, në një konferencë për mediat nga Beogradi, pas takimit që zhvilluan me Presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç. Sipas Goran Rakiq, “Lista Serbe, ka vendosur që gjatë muajit prill në mënyrë të njëanshme ta themelojë Asociacionin e Komunave me shumicë serbe dhe për këtë veprim e kemi edhe mbështetjen e Presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç”, tha Goran Rakiq. Ky veprim i njëanshëm sipas tij, do të bëhet në 5-vjetorin e nënshkrimit të marrëveshjes së Brukselit, ku Prishtina dhe Beogradi u dakorduan që ta themelojnë asociacionin e komunave me shumicë serbe, bazë e së cilës është marrëveshja për normalizimin e raporteve Kosovë-Serbi e 19 prillit të vitit 2015.

Haradinaj nuk do të japë dorëheqjen
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, që mblodhi Këshillin e Sigurisë të Kosovës, tha se ai nuk do të japë dorëheqje nga posti i tij, pavarësisht vendimit të Listës Srpska që të dalë nga qeveria. “Parlamenti është i përbërë prej shumë grupeve parlamentare. Lista Serbe është partner. Kemi pas partneritet të mirëfilltë. Veprimi i djeshëm s’ishte i drejtuar kundër serbëve të Kosovës e as komunitetit politik në Kosovë, pos për ata që kanë shkelur ligjin. Është procedurë standarde.
Është e pakuptueshme marrja e këtij vendimi, sepse është zbatuar ligji. Ka pas raste kur në emër të ligjit janë tërhequr zvarrë liderë. Dorëheqje s’e kam plan me dhënë. Do të vazhdoj punën. Nuk kam fjalë për ata që hyjnë e dalin”, tha Ramush Haradinaj. Ai tha se vendimi i Listës Srpska nuk është në interes të serbëve të Kosovës dhe shpreson se Lista Srpska do të tërhiqet nga vendimi për t’u larguar nga qeveria.

Molla e sherrit
Në ditën kur Policia e Kosovës arrestoi për hyrje ilegale në Kosovë shefin e zyrës për Kosovën në qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, kërkoi nga qeveria e Kosovës që ta nisë punën për themelimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe. Kërkesa e Presidentit Thaçi që Prishtina zyrtare të nisë punën në themelimin e asociacionit, erdhi vetëm një ditë pas takimit të tij në Bruksel me Presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç. Ky i fundit vazhdimisht e ka akuzuar Prishtinën zyrtare për si thotë se, “qëllimisht nuk po do ta themelojë asociacionin e komunave serbe në Kosovë”.
Sidoqoftë, vendimi që Lista Srpska të dalë nga qeveria e Kosovës erdhi pas arrestimit të djeshëm nga Policia e Kosovës në Veri të Mitrovicës të shefit të zyrës për Kosovës në qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq. Qeveria e Kosovës e udhëhequr nga Ramush Haradinaj është në koalicion me Partinë Demokratike të Kosovës dhe Listën Srpska që të gjithë së bashku në Parlament i bëjnë 62 vota. Tash me vendimin e Listës Srpska që të delë nga koalicioni qeverisës, qeveria e zotit Haradinaj e ka të vështirë të marrë besimin e deputetëve të Parlamentit të Kosovës. Kjo situatë sipas analistëve vendin mund ta qojë në zgjedhje të jashtëzakonshme, apo rikonfigurim të qeverisë.

Reagimet
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi tha të martën se zhvillimet e së hënës ishin një provokim nga shteti i Serbisë dhe këtë sipas tij e konfirmoi edhe vendimi i Listës Serbe për daljen nga institucionet e Kosovës.
Në një komunikatë të zyrës së tij thuhet se, “këto zhvillime janë në kundërshtim me angazhimet për dialog dhe për ndërtim të paqes së qëndrueshme në Kosovë, si dhe cenim i përpjekjeve për normalizim të raporteve në mes Kosovës dhe Serbisë”.
Presidenti i Kosovës i bëri thirrje palës serbe që të respektojë dhe ruaj frymën e dialogut, ndërsa bëri të ditur se ka biseduar me shefen e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini, për nevojën e uljes së tensioneve dhe vazhdimin e dialogut.
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, i cili mblodhi të martën Këshillin e Sigurisë e cilësoi të ngutshëm vendimin e Listës Serbe për largim nga qeveria e tij.

“Mendoj që është një paralajmërim i ngutshëm i tyre, i ngutshëm dhe i dëmshëm, nuk bën ashtu. Ne e pamë dje, kur nuk ka komunikim të mirëfilltë deri ku mund të shkojnë zhvillimet. Nuk është mirë të testohet durimi i askujt deri në fund, më mirë është t’i kthehemi tavolinës dhe t’i shtyjmë temat së bashku, por njëanshëm nuk mendoj se është në dobi të askujt dhe jam thellë i bindur se do ta gjejmë një gjuhë të komunikimit që punët t’i kryejmë si i ka hije në tavolinë, por jo ashtu, jo njëanshëm jo me mohim”, tha kryeministri i Kosovës.
Kryeministri Haradinaj, tha se veprimet e djeshme nuk kanë qenë të drejtuara ndaj komunitetit serb në Kosovë, por ishin të pashmangshme dhe në pajtim me ligjin.
“Arrestimi i djeshëm i zyrtarit të Serbisë, në këtë rast Marko Gjuriq, nuk ishte një veprim i këndshëm ose i pëlqyeshëm prej nesh, por ishte zbatim i ligjit pra i pa alternativë meqenëse hyrja ishte ilegale dhe në këtë rast vlejnë procedurat standard, të cilat i kanë zbatuar organet e rendit, policia dhe institucionet e tjera me profesionalizëm”, tha zoti Haradinaj.

Lista Serbe, është pjesë e koalicionit qeverisës në Kosovë dhe largimi i saj e lë qeverinë pa shumicën në Parlament, duke krijuar rrethana të reja në vend, që mund të çojnë në zgjedhje të parakohshme apo rikonfigurim të qeverisë.
Kryeministri Harandinaj, mohoi mundësinë e shkuarjes në zgjedhje të parakohshme, por tha se mbetet i hapur për mundësi të tjera.
“Dorëheqje s’e kam në plan të jap, punën e kam në plan ta vazhdoj seriozisht, ata që e pëlqejnë punën e qeverisë ju shpreh partneritet, ata që shkojnë e hyjnë e dalin nuk kam ndonjë vendim tjetër për ta”, tha zoti Haradinaj.
Zoti Haradinaj e cilësoi të qetë gjendjen në Kosovë pas mbledhjes së Këshillit të Sigurisë, me gjithë tensionet që pasuan zhvillimet e një dite më parë në marrëdhëniet edhe ashtu të tensionuara ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Beogradi vazhdon të kundërshtojë pavarësinë e Kosovës, por është përfshirë në një proces bisedimesh në shkëmbim të afrimit me Bashkimin Evropian, i cili e kushtëzon anëtarësimin e saj me një marrëveshje gjithëpërfshirëse për normalizimin e marrëdhënieve.