Lufta e korrupsionit të korporatave

Autoritetet amerikane janë duke forcuar zbatimin e një ligj anti-korrupsion që njihet si Akti i Praktikave të Korrupsionit të Huaj, duke sjellë një numër më të madh rastesh korrupsioni të korporatave, përmes koordininimit të ngushtë të përpjekjeve me agjencitë e zbatimit të ligjit nga vende të huaja.
Në dy vitet e fundit, Departamenti amerikan i Drejtësisë dhe Komisioni i Shkëmbimit të Letrave me Vlerë, dy agjenci që merren me zbatimin e ligjit, kanë bashkëpunuar me agjenci të huaja të zbatimit të ligjit, duke marrë masa ligjore ndaj tetë kompanive shumëkombëshe, numri më i madh i kompanive ndaj të cilave merren masa, sesa ai i të gjitha viteve së bashku, sipas zyrtarëve të Departamentit amerikan të Drejtësisë.
Ky forcim masash, është pjesë e një prirjeje në rritje, për të luftuar korrupsionin e korporatave. Para vitit 2016 ka patur vetëm dy raste të kësaj natyre. Por ndërsa vitet e fundit, vende të tjera kanë miratuar ligje kundër korrupsionit të huaj dhe bashkëpunimi ndërkombëtar mes autoriteteve të zbatimit të ligjit është rritur, po ashtu janë koordinuar edhe ndjekjet penale ndaj korrupsionit të korporatave.

Kongresi amerikan e vuri në zbatim Aktin e Praktikave të Korrupsionit të Huaj, FCPA, në vitin 1977, si përgjigje ndaj raportimeve se, kompanitë amerikane u paguanin rrushfete me vlerën e miliona dollarëve zyrtarëve nga vende të huaja, për të siguruar marrëveshje biznesi fitimprurës. Më pas ligjit iu bërë përmirësime, duke i dhënë Departamentit të Drejtësisë dhe Komisionit të Shkëmbimit të Letrave me Vlerë, juridiksion të gjerë ndaj kompanive të huaja që kanë filiale në Shtetet e Bashkuara, ose që kryejnë veprime në bursën amerikane.
Para zgjedhjes, Presidenti Donald Trump ishte kritik i ashpër i Aktit të Praktikave të Korrupsionit të Huaj, duke e cilësuar atë “një ligj të tmerrshëm”, që ua vështirësonte kompanive amerikane të konkuronin jashtë vendit. Ky qëndrim i bëri shumë vetë të mendonin se nën administratën Trump, nuk do të kishte një zbatim rigoroz të ligjeve kundër korrupsionit të huaj.
Por këto spekulime nuk janë konfirmuar. Ndërsa masat për zbatimin e ligjit u ngadalësuan në gjysmën e parë të vitit, ato u fuqizuan në 6-mujorin e dytë. Vitin e kaluar, 11 kompani paguan rreth 2 milionë dollarë pas akuzave për korrupsion, shkruhet në blogun e agjencisë FCPA.

Hetimet ndërkufitare dhe ndjekjet ligjore ndaj rasteve të korrupsionit jashtë vendit nuk janë diçka e re, por ato janë shtuar vitet e fundit, ndërsa një numër vendesh, nën shtimin e presionit të publikut, kanë miratuar ligje për të luftuar krimin e korporatave: në vitin 2010 Britania, Brazili më 2014, Holanda në vitin 2015, Franca dhe Meksika në vitin 2017.
“Nga Shtetet e Bashkuara ka patur një presion të madh ndaj vendeve të huaja, që ato të angazhohen në luftë kundër korrupsionit dhe ka patur suksese në këtë drejtim”,tha një zyrtar i Departamentit ë Drejtësisë, që nuk donte të identifikohej.
Kjo shtytje rezultoi në ndjekjen ligjore të 4 rasteve madhore të korrupsionit, ku ishin përfshirë 6 vende të ndryshme. Operacionet hetimore u zhvilluan me bashkëpunimin e dhjetëra vende të tjera.
Në janar për shembull, kompania britanike Rolls-Royce pranoi të paguante gjoba me vlerën e 800 milionë dollarëve ndaj SHBA, Britanisë dhe Brazilit, për një çështje korruptive, lidhur me pagimin e rryshfeteve ndaj 12 vendeve, në këmbim të shkëmbimit të informacioneve delikate, me synim sigurimin e marrëveshjeve të bizneseve fitimprurëse.

Raste të ngjashme janë pagesa e 965 milionë dollarëve nga kompania Telia ndaj autoriteteve amerikane, suedeze dhe holandeze, lidhur me çështjen korruptive, ku ishte implikuar vajza e ish-presidentit uzbek, për të siguruar kontrata fitimprurëse telekomunikacioni në vendin e Azisë Qendrore. Raste të ngjashme ka në disa shtete si Angola, Brazili, Guinea Ekuatoriane, Iraku, Kazakistani, Brazili.
Në 5 vitet e fundit, kërkesat nga vende të huaja për informacione lidhur me hetime për raste korruptive, janë rritur 147 për qind, ndërsa kërkesat e agjencive amerikane për ndihmën e vendeve të huaja në raste korrupsioni, janë rritur 75 për qind.
“Përherë e më tepër, prokurorët në mbarë botën po e kuptojnë se hetimi dhe ndjekja penale e krimeve që prekin një numër vendesh, e bën të nevojshëm bashkëpunimin mes vendeve të ndryshme”, tha Ndihmës Zëvendës Prokurori i Përkohshëm i Shteteve të Bashkuara, Trevor McFadden.