“Kokaina u kap me italianët” Rama përgënjeshtron veten tek gjermanët

Të jesh koherent në politikën shqiptare duket si diçka e pamundur dhe nëse dikush vuan më pak apo më shumë nga ky fenomen, kryeministri Rama është ndër shembujt më ekstrem të moskoherencës me veten. Kemi parë shpesh deklarata të tijat, për të cilat, më vonë me kohë sa i është detyruar të ndryshojë tërësisht qëndrim.
Një gjë e tillë ka ndodhur edhe me çështjen e kapjes së 613 kg kokainë në Maminas. Pas operacionit për kapjen e kësaj sasie droge ministri i Brendshëm doli dhe tha se operacioni është zhvilluar edhe me bashkëpunimin e autoriteteve të huaja, ndërkohë që Rama deklaroi se ky operacion ishte meritë ekskluzive dhe se nuk kishin të bënin fare vendet europiane, si për të treguar se qeveria e tij po bën shtet.

“Fakti që ky operacion është zhvilluar i gjithi në territorin e vendit, pa asnjë sinjalizim nga vendet europiane ku ngarkesa ka udhëtuar përpara se sa të hynte në Portin e Durrësit, ka domethënien e rëndësishme të forcës ligjzbatuese që disponojmë sot”, tha Rama pas operacionit.
Por, në një intervistë publikuar dje në median gjermane, “Die Welt”, Rama, teksa ka vlerësuar arritjen e qeverisë në luftën me kanabisin, ka thënë se operacioni për kapjen e kokainës rekord u bë në bashkëpunim me italianët.
“Dy javë më parë, sekuestruam 600 kilogramë kokainë në bashkëpunim me autoritetet italiane. Cili ishte reagimi? “Nëse sekuestrohen 600 kilogramë, atëherë duhet të ketë shumë më shumë se aq”.
Shikoni numrat që vijnë nga Roterdami apo Hamburgu dhe porte të tjera. Nëse diçka sekuestrohet këtu, nuk do të thotë që ne jemi qendra. Për çdo trafikant droge shqiptar të arrestuar, ne gjejmë qindra numra me kode ndërkombëtare në telefonat e tyre”, tha Rama në intervistë.