Isco “show” ndaj Argjentinës

Spanja ka turpëruar Argjentinën në miqësoren e luajtur sonte, duke fituar 6-1 ndaj amerikano-latinëve, të cilët nuk kishin në radhët e tyre Lionel Messin, megjithatë dalin me “kockat e thyera” nga kjo ndeshje që u luajt në kuadrin e përgatitjeve për Kupën e Botës 2018, që do të zhvillohet verën e ardhshme në Rusi. Tre gola u shënuan nga Isco
Spanja shënoi golin e parë pas 12 minutash lojë me anë të qendërsulmuesit Diego Costa, i shërbyer nga Asensio. Në mesin e pjesës së parë, Isco realizoi golin e dytë për vendasit, teksa fraksioni i parë i lojës u mbyll 2-1, pasi Nicolas Otamendi shënoi për miqtë. Në pjesën e dytë dominimi i spanjollëve ishte absolut dhe shënuan katër herë të tjera.
Ende pa kaluar dhjetë minutat e para të pjesës së dytë, Isco dhe Alcantara shënuan dy golat e tjerë për Spanjën, ndërsa golin e pestë për iberikët e realizoi Iago Aspas. 15 minuta para fundit, Isco kompletoi natën e tij “magjike” duke shënuar golin e gjashtë për të besuarit e Lopetegui, që në këtë mënyrë turpëruan të besuarit e Sampaoli.

Brazili mposht Gjermaninë në Berlin
Brazili ka fituar 1-0 në miqësoren e luajtur sonte në Berlin kundër Gjermanisë, kampione e botës në fuqi. “Selseao” ka aktivizuar atë që mendohet të jetë formacioni më i mirë në dispozicion të trajnerit Tite, me përjashtim të Neymar, që është i dëmtuar. Nga ana tjetër, trajneri i Gjermanisë, Lownuk aktivizoi nga fillimi disa titullarë potencial si Ozil, Mueller, Hummels apo portierin Ter Stegen. Episodi që vulosi fatet e miqësores së “luksit” ndodhi dhjetë minuta para fundit të pjesës së parë, kur miqtë gjetën golin e vetëm të ndeshjes.
Pas krosimit të Willian nga e djathta, Gabriel Jesus goditi topin me kokë dhe tundi rrjetën, duke përfituar nga një reagim i dobët i portierit vendas Trapp. Gjermania nuk pati forcë për të barazuar rezultatin në pjesën e dytë, në një ndeshje që faktikisht u dominua nga ritmi i ulët. Mario Gomez në fillim dhe Timo Wagner më pas, nuk arritën të shqetësojnë portierin e Brazilit, Alisson. Në këtë mënyrë, pas fitores 3-0 në Rusi, Brazili fiton edhe në Gjermani dhe merr maksimumin nga dy miqësoret në Europë, pa pësuar gol. Një ogur i mirë…

Insigne shpëton Italinë ndaj Anglisë
Italia dhe Anglia janë ndarë me një barazim 1-1 të merituar për të dyja skuadrat. Italia më në fund ka gjetur rrugën e rrjetës, pasi nuk mbahej mend kur kishte shënuar herën e fundit. Ndërkohë, Anglia vazhdon të mos bindë me lojën e saj megjithëse ka shumë yje në përbërje.
Ishin italianët që kishin mundësinë e parë për të shënuar, por Immobile nuk tregohet i saktë me kokë nga shumë pranë. Pak më vonë vjen goli i Vardy, i cili pasi futet në zonë lëshon një goditje fantastike të pakapshme nga Donnarumma.

UEFA ndryshon Championsin
UEFA ka lajmëruar ndryshimet që do të pësojë Champions League dhe Europa League. Duke filluar nga sezoni i ardhshëm, skuadrat do të kenë mundësi të bëjnë një zëvendësim të katërt në kohën shtesë. Kjo do të thotë se ky rregull do të mund të shfrytëzohet vetëm pas fazës me grupe. Gjithashtu, ekipet do të kenë mundësinë të kenë 12 lojtarë në stol në finale.
Sistemi i ri kualifikues është konfirmuar tashmë, me katër ekipet e para të kampionateve kryesore të Europës që do të kalojnë direkt në fazën me grupe. Sot janë lajmëruar ndryshimet e tjera për sezonin e ardhshëm, me një zëvendësim ekstra që do të mund të bëhet në ndeshjet që kalojnë në shtesë. Për finalen e Champions League, Europa League dhe Superkupën e Europës, skuadrat do të lejohen të grumbullojnë 23 lojtarë.
Kjo do të thotë se, trajnerët do të kenë 12 lojtarë në stol nga të cilët mund të zgjedhin, gjë që ndodh aktualisht në Serinë A. Do të ndryshojnë edhe oraret e ndeshjeve, që do të luhen në orën 21:00 dhe jo më 20:45. Megjithatë, në çdo javë të fazës me grupe dy nga ndeshjet e të martës dhe të së mërkurës do të luhen në orën 18:55, ndërsa të gjitha ndeshjet e javës së fundit të fazës me grupe do të luhen në të njëjtën orë.