Haradinaj: Gjuriç të vij prap në Kosovë…

Kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj, thotë se ishte informuar të dielën në mbrëmje për ndalesën që i është bërë Marko Gjuriqit që të hynte në Kosovë.
Haradinaj tha se nuk ishte lënë jashtë çështjes. Sipas tij çdo gjë ishte sipas protokollit.
“Unë jam informuar të dielën në mbrëmje. Motivi pse është ndaluar mund të diskutohet, për bindjen time nuk kam asgjë kundër që Gjuriq të vijë në Kosovë mirëpo kuptohet brenda procedurave. Qëndrimi im ka qenë që të zbatohet protokolli dhe nëse ministria e Drejtësisë nuk e ka dhënë lejen atëherë ministria e Brendshme le të veprojë. Kanë vendos kushtetuta dhe ligjet”, ka thënë ai.
“Kemi pas shpresë që të mos vijë dhe të mos ndodhë ajo që ndodhi. Mirëpo i kemi paralajmëruar dhe ata e kanë ditur. Me të thanë të drejtën unë do isha ndjerë i thyer nëse policia e Kosovës do të dështonte”, shtoi tutje Haradinaj.
Ndonëse aksioni i policisë ndodhi dhe Gjuriq u ndalua e u deportua nga Kosova, i pari i Qeverisë tha se për bindjet e tij edhe mund të lejohej të futej atë ditë në Kosovë.
Haradinaj bëri të ditur se kishte bërë çdo mesazh që ai mos të vinte atë ditë dhe mos të krijohej ajo situatë.

Sipas Haradinajt, së pari njohja reciproke Kosovë-Serbi pastaj çështjet tjera
“Çelësi i të gjitha temave është njohja reciproke”, deklaroi kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj në një intervistë për Rubikon të KTV-së duke folur për vazhdimësinë e dialogut me Serbinë.
Duke folur për formimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, Haradinaj përmendi mirëqenien dhe integrimin e serbëve të Kosovës, e që sipas tij, vjen para Asociacionit.
“Presidenti Vuçiq duhet ta kuptojë dinamikën në Kosovë sepse këtu ka një dinamikë te brendshme. Para Asociacionit, për mirëqenien e serbëve të Kosovës është e rëndësishme të ketë sundim të rendit dhe ligjit, për të gjithë dhe jo vetëm për serbët”, ka thënë ai. “Përmbyllja e krejt problemeve është njohja reciproke. Njohja reciproke është çelësi i gjithë problemeve”.

Haradinaj: Formimi i njëanshëm i Asociacionit nuk jep efekte ligjore
Asociacioni i komunave me shumicë serbe nuk mund të formohet njëanshëm, kjo ngase nuk do të jetë legjitim. Këtë për Rubikon të KTV-së e tha kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj.
Ai i vlerësoi deklaratat e Listës Serbe si të ngutshme dhe të gabuara.
“Nuk ekziston formula që ta formojnë vetë, është vetëm një legjislativ – Kuvendi i Kosovës. Fatkeqësisht është një qasje e gabuar. Nuk jep efekte ligjore dhe si i tillë është i pavlefshëm”, ka thënë Haradinaj. “Ajo që është e mençur nga serbët e Kosovës është ta marrin këtë energji pozitive që ekziston te ne, për t’i integruar dhe të ndjehen si në shtëpinë e vet. S’mendoj që duhet të shkojmë aq larg”.
Haradinaj theksoi se Lista Serbe po gabohet kur po jep ultimatume sepse kjo nuk është zgjidhja e normalizimit të raporteve.
Kujtojmë se përfaqësues të komunave serbe sot u mblodhën në veri të Mitrovicës ku prezantuan logon e Asociacionit. Ata deklaruan se nëse formimin e bashkësisë së komunave nuk e bën Qeveria e Kosovës deri më 20 prill, atë e bëjnë njëanshëm serbët.