Drogë në “vezë kinder”, çifti shqiptar arrestohet në Itali

Një çift shqiptarësh kishin gjetur një mënyrë të veçantë për të shitur drogën. Por ata e pësuan keq kur policia zbuloi aktivitetin që kryenin.
Mediat italiane kanë bërë të ditur se kanë arrestuar një 31-vjeçar shqiptar në Macerata, ndërsa gruaja e tij 25-vjeçare po hetohet në gjendje të lirë.
Nga sa bëhet e ditur, policia pas sinjalizimeve se merrej me trafik dhe shpërndarje droge, e kishin prej kohësh në gjurmim shqiptarin.
Ai e shiste kokainën të futur në vezët kinder, duke çuditur edhe policinë, e cila bëri të ditur se 31-vjeçari i mbante kontaktet me telefon me klientët që nga shtëpia.
Më pas, në banesë, përmes shkallëve të brendshme bënte takimet në pjesën e garazhit me të interesuarit që do të blinin.
Shqiptari u kap mat sapo doli nga banesa, ndërkohë që gruaja u ndalua pas kontrollit që iu bë në banesë. Aty u gjetën enë në formën e vezëve kindër, brenda të cilave ishte fshehur lënda narkotike, gati për treg, si dhe një sasi eurosh.