Dalin përgjimet e bandës së Tahirit

Për herë të parë bëhet publike lidhja direkte, si grup, si organizatë, si bashkëpunëtorë, mes ish-ministrit Saimir Tahiri, vëllezërve Habilaj, 3 ish-drejtuesve të lartë të policisë, shoferit të tij dhe Orest Sotës.
Vendimi i Gjykatës për Krime të Rënda, për masën e sigurisë për 3 ish-drejtuesit: Jaeld Çela, Gjergj Kohila dhe Sokol Bode sjell për herë të parë lidhjen e 5 personazheve kryesorë nën hetim.
Ky vendim që ka informacion nga Antimafia italiane, sjell lidhjen direkte të komunikimit mes Jaeld Çelës (ish-drejtor i Policisë së Vlorës) dhe Orest Sotës e Gentian Çekës dhe Gjergj Kohilës (ish-shef sektori për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve në Vlorë) me Florian dhe Artan Habilaj.
Ish-drejtori i Policisë së Vlorës, kishte komunikime të vazhdueshme me vëllezërit e Moisi Habilajt, Florian dhe Artan Habilaj, me Orest Sotën dhe shoferin dhe njeriun e besuar të Tahirit, Gentian Çekën.

Po kështu nga informacioni zyrtar, Ermal Lulaj (ish-shef i Antidrogës në Vlorë) mban komunikim me Artan Habilaj.
Artan Habilaj nga ana tjetër është i lidhur me ish-ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri (për çështjen e AUDI-t).
Orest Sota u arrestua me 800 mijë euro dhe 2 patentat e Saimir Tahirit në makinë, ndërsa Gentian Çeka ka qenë ligjërisht shoferi i ministrit të Brendshëm, Tahirit.
Jaeld Çela komunikim me: Florian Habilaj (vëllai i Moisi dhe Artan Habilaj, kushërinj të Saimir Tahirit), Gentian Çeka (shoferi i Saimir Tahirit) dhe Orest Sotën.
Gjergj Kohila komunikim me: Artan Habilaj (vëllai i Moisi dhe Florian Habilaj, kushërinj të Saimir Tahirit).
Ermal Lulaj komunikim me: Artan Habilaj (vëllai i Moisi dhe Florian Habilaj, kushërinj të Saimir Tahirit).
Orest Sota: Iu kapën në makinë 800 mijë euro dhe dy patentat të ish-ministrit Tahiri.
Gentian Çeka: Shoferi personal dhe njeriu i besuar i ish-ministrit Tahiri.