Ministrat të japin llogari

Kryetarja e Komisionit Parlamentar për Edukimin dhe Mjetet e Komunikimit, Albana Vokshi i është drejtuar me një letër kryeministrit Edi Rama dhe kryetarit të Kuvendit Gramoz Ruçi, ku kërkon në emër të Grupit parlamentar të Partisë Demokratike që të respektohet Kushtetuta, (pikërisht neni 7) për ndarjen dhe balancimin e pushteteve. Partia Demokratike kërkon nga Kryeministri dhe kreu i Kuvendit, që t’i jepet fund refuzimit të përsëritur nga ministrat e qeverisë, që të japin shpjegime dhe informacione për veprimtarinë e tyre, sa parashikon ligji. Kjo kërkesë vjen pas refuzimeve të përsëritura të ministrave për të dhënë shpjegime, gjë që është e vetmja mënyrë që opozita të ushtrojë të drejtën e saj Kushtetuese, për kontroll parlamentar. “Ky refuzim i heq mundësinë e kontrollit kushtetues opozitës, gjë që është goditja më e rëndë e demokracisë në vend dhe përpjekje për të eliminuar opozitën”. Letra i është bërë e ditur edhe krerëve të grupeve parlamentare si dhe tre selive kryesore diplomatike në vend: SHBA, BE, OSBE.