Kush e porositi projektin e teatrit – Si po gënjehet në revistat ndërkombëtare

‘Metalocus’ është një revistë ndërkombëtare, e fokusuar te arkitektura, arti dhe shkenca. Më 16 mars, kjo revistë ka publikuar rrëfimin e arkitektit danez Bjarke Ingels, të cilin Edi Rama e mori dhe e nxori para shqiptarëve nga Kryeministria për t’ju shpjeguar shqiptarëve projektin e Teatrit Kombëtar.
Ingels me sa duket nuk është i qartë se duhet të ketë disa rezerva. Danezi që e njeh mirë arkitekturën, nuk njeh kontekstin se si po tentohet të grabitet prona publike në Shqipëri nga privatët.
Studio e tij ka shkruar se porositësi i projektit të tij është ‘Fusha shpk’. ‘Fusha’, e Shkëlqim Fushës, një nga fituesit më të shpeshtë të projekteve të mëdha në vend, fitoi e vetme, pa asnjë konkurent në garë 978 milionë lekë të reja për Sheshin ‘Skënderbej’, ndërsa tani, thënë nga vetë studio e Ingels, ka porositur projektin te ai për ndërtimin e teatrit në shkëmbim të përfitimit të tokës publike si shpërblim.

Rama thotë se do ta kalojë projektin e teatrit me një ligj të veçantë në Kuvend (nga ku pritet të legjitimojë edhe grabitjen e hapësirës publike), duke rrahur deri më tani ‘ujë në hava’ siç e themi mes njëri-tjetrit ne shqiptarët.
Pra:
1.Nuk ka asnjë projekt të legjitimuar për një teatër të ri
2.Nuk ka asnjë ligj të miratuar për grabitjen e pronës publike nga privatët
3.Nuk ka asnjë konkurs ndërkombëtar për projektin fitues të teatrit
Por çfarë ka ndodhur ndërkohë? Për projektin e Ingels (për të cilin ka edhe dyshime se është vjedhur) po shkruhet se është përzgjedhur në një konkurs ndërkombëtar. Revista ‘Metalocus’ shkruan se studio e Ingels ka fituar konkursin. ‘BIG fiton konkursin për Teatrin Kombëtar të Tiranës dhe Master Planin’, titullohet shkrimi i revistës.
Nga ana tjetër faqja zyrtare e studios thotë se, projekti është zgjedhur me komision (‘Tipi’ përcakton formën si është fituar projekti, në projekte të tjera te tipi studio ka vendosur edhe fjalën konkurs).
Për çfarë komisioni e kanë fjalën? A është realizuar ai brenda qeverisë? A është realizuar ai brenda Bashkisë së Tiranës? A është realizuar ai në Ministrinë e Kulturës? A është realizuar ai brenda ‘Fusha shpk’?/Hashtag.al