Gjuriç: Më tërhoqën zvarrë si qen

“Separatistët shqiptarë kanë sulmuar në mënyrë brutale popullin tonë në Veri të Kosovës dhe Metohisë. Ndërsa populli duarbosh është mbrojtur me mjete paqësore”, theksoi Marko Gjuriq, në paraqitjen e tij të parë para gazetarëve në Beograd, pas arrestimit të djeshëm në Mitrovicë dhe dëbimit nga Kosova. Policinë e Kosovës ai e quajti një “bandë të pakontrolluar terroriste”, e cila “ka rrahur në mënyrë brutale, me grushta, shqelma dhe armë, popullin e pafajshëm dhe deputetët”.

“Më kanë poshtëruar”
Marko Gjuriq tha se ai është arrestuar në mënyrën më brutale. Sipas tij, “është gënjeshtër e kulluar” e autoriteteve të Kosovës se ai nuk është paraqitur me kohë për vizitë në Kosovë. “Më kanë tërhequr zvarrë si qenin, ma kanë ulur kokën deri në gjunj, kanë bërë selfie me mua, më kanë drejtuar kallashnikovët, e njëri prej tyre edhe një thikë, në drejtim të barkut”, tha Gjuriqi. Sipas tij, policët në makinë kanë kënduar edhe këngë, ndër të cilat edhe “allahu akbar”.

Më ka shpëtuar një telefonatë
Përfaqësuesi i Serbisë për Kosovën, Marko Gjuriq pohon se ai është liruar “pas një telefonate nga Beogradi”, ndryshe “terrori ndaj serbëve në Kosovë dhe ndaj meje do të kishte vazhduar”. Por Gjuriqi nuk shpjegoi se për çfarë telefonate dhe nga kush bëhej fjalë. Ai tha se edhe gjatë raundit të fundit të dialogut në Bruskel ka pasur përplasje shumë serioze, të cilat kanë dëshmuar se “gjërat mund të shkojnë në këtë drejtim”. Për ditën e sotme, ai paralajmëroi edhe vizitën e një delegacioni nga Brukseli, me të cilin do të bisedohet për gjendjen më të re.
Agjensitë e lajmeve njoftojnë se, ekziston mundësia që sot në Beograd të shkojë për vizitë urgjente e ngarkuara e BE për Politikë të Jashtme, Federica Mogherini. Ndërkohë përfaqësuesit e Listës Srpska, e cila ishte sot në takim në Beograd me krerët e Serbisë kanë bërë të ditur se do të dalin nga qeveria e Kosovës. Ndërkohë që për datën 20 prill është paralajmëruar krijimi i njëanshëm i Asociacionit të Komunave me shumicë serbe.