Dhjetëra mijëra biznese të vogla drejt falimentit nga vendosja e TVSH-së

Gjatë diskutimit në Komisionin e sotëm të Ekonomisë, për futjen në skemën e TVSH të bizneseve të vogla, duke nisur nga 1 prilli, kreu i Financave shqiptare tha se kjo do të japë kontribut në aksionin antiinformalitet.
Deputeti opozitar Haxhinasto tha qartazi se FMN ka dalë kundër kësaj takse. Ministri Ahmetaj deklaroi më tej se FMN ka qëndrimin se duhet të përqendrohet te biznesi i madh. “Të gjithë të mëdhenjtë degëzohen te bizneset e vogla, të cilat i kanë krijuar ndonjëherë dhe vetë. Ndaj futja në skemë do të kontribuuojë edhe në aksionin antiinformalitet”, tha Ahmetaj.
Gjithashtu Haxhinasto shtoi nëse e ka menduar qeveria që të vendos tvsh zero, në vend të përjashtimit, apo të mbledhjes së TVSH nga faturat e konsumatorëve.
Ahmetaj tha për këtë pjesë se ka shqyrtuar disa mënyra, mbledhja e faturave është vendosur në disa vende, por është hequr sërish.
Haxhinasto ka pyetur sërish nëse kanë plan që të heqin TVSH-në për produktet bazë të shportës.

Diskutim tjetër u zhvendos për kostot administrative për bizneset e vogla. Deputeti opozitar Agron Shehaj tha nëse biznesi i vogël do të ketë kosto administrative për mbajtjen e inventarëve.
Ahmetaj shtoi se nuk ka kosto administrative dhe ‘asnjë lloj kosto tjetër’.
Deputetja Tabaku ngriti shqetësimin për rënien e marzhit të fitimit, gjë e cila do të vendosë në vështirësi biznesin e vogël. Tabaku shtoi se biznesit të vogël do t’i shtohen kostot administrative, minimalisht 50 mijë lekë për deklarimet e FDP-ve dhe plotësimin e librave.
Ndër vite 17 mijë biznese janë bërë skemë e TVSH, citoi ministri Ahmetaj gjatë raportimit të tij. “37 mijë biznese paguajnë 0.7% të totalit të TVSH. Nuk pritet që kontributi të jetë i lartë. Do të kenë të drejtën e kreditimit të TVSh për mallrat gjendje, si dhe njohja e tvsh e zbritshme për mallrat e inventarit. Çdo mall të jetë i justifikuar me faturë TVSH-je. Për këtë, është krijuar grupi i punës. Tatim paguesi do të njoftohet elektronikisht. Nuk do kemi asnjë problem me sistemin informatik”, tregoi ministri.
Më tej, Ahmetaj tha se është përpiluar një strategji komunikimi që ka si objektiv njohjen dhe informimin, si dhe për plotësimin në mënyrë të saktë të tatimpaguesve. “Kjo strukturë ka për detyrë sensibilizimin e tatimpaguesve. Janë ngritur sportele në drejtoritë rajonale për të asistuar biznesin”, tha ai, duke shtuar se ndikimi te konsumatori për shtimin e barrës fiskale do të jetë zero.
Ahmetaj shtoi se fokusi është te biznesi i madh, për t’u mbyllur zinxhiri i transaksionit.