Rruga e “Kombit”, Rama vendosi tarifat më të larta në Europë

Tarifat që priten të aplikohen qysh këtë javë në rrugën e “Kombit” janë më të lartat në Europë. Portali europian http://www.tolls.eu jep të dhëna të detajuara për të gjitha tunelet, urat dhe autostradat që janë kundrejt pagesës në Europë. Siç shihet edhe nga renditja, Shqipëria ka nivelin më të lartë të tarifave të vendosura ndaj një investimi publik vetëm për mirëmbajtje, me 5 euro për veturat dhe 22.5 euro për kamionët.
Sipas informacioneve zyrtare, Austria merr taksë për rrugët me pagesë mesatarisht 0.5 euro në ditë për një veturë dhe 0.9 euro për një kamion. Në Maqedoni, pagesa varion 0.9 euro në ditë për veturat në 2.5-3.5 euro për kamionët.
Ndërsa në tuneli Prado-Carénage, në Francë kërkon një tarifë 2.8 euro për vetura dhe 3.2 euro për kamionët. Në Turqi, Ura Sulltan Selim mbi ngushticën e Bosforit aplikohet pagesë për veturat 1.7 euro në ditë dhe për kamionët 2.3 euro. Në Moldavi veturat paguajnë 0.5 euro në ditë dhe në Rumani 0.4 euro në ditë.

Këto çmime funksionojnë për investime të bëra kryesisht nga privatët, të cilët nëpërmjet taksave nxjerrin paratë e investimit. Ekspertët nga Drejtoria e Përgjithshme të Rrugëve pohojnë se, zakonisht për mirëmbajtje tarifat në maksimalen e tyre janë 2.5 euro për 100 kilometër. Ndërsa kontrata e mirëmbajtjes për rrugën e “Kombit” është vetëm për aksin, Milot-Morinë që është 101 kilometër.
Tarifa më të larta koncesioni aplikohet për tunelet në Itali që lidhin zonat turistike të Mont Blanc, që janë zona turistike që japin më shumë se dy versione për lëvizje.
Rruga e “Kombit” është një investim publik që i ka kaluar të 1 miliard eurot, teksa koncesioni i saj do të funksionojë vetëm për mirëmbajtjen. Ekspertët pranë konsorciumit Catalyst që do të menaxhojë koncesionin pohojnë se tarifa është e lartë për shkak të lëvizshmërisë së ulët. Por tarifa gjithashtu rrezikon të kthehet në bumerang për trafikun dhe të ulë më tej lëvizjet e makinave në autostradë.
Edhe nëse trafiku bie, koncesionari Catalyst e ka transferuar rrezikun tek qeveria, e cila ka marrë përsipër në kontratë të kompensojë pagesat për trafikun e munguar (nën minimumin 6-7 mijë automjete në ditë).
Përveç taksave që do të paguajnë qytetarët (5 euro për makinë) buxheti i shtetit do të paguajë koncesionarin në 13 vitet e para të paktën 65 milionë euro, si subvencion për trafikun e munguar. Nëse edhe pas vënies së pagesës trafiku është mbi minimumin 7 mijë automjete në ditë, fitimi i kompanisë do të ndahet 50% me qeverinë.
Aplikimi i taksës në rrugën e “Kombit” është shumë e lartë sidomos për mjetet e transportit të mallrave. Bashkë me pagesën 20 euro për skanimin në doganë që është një taksë ekstra që nuk aplikohet në asnjë vend të Europës, pagesa prej 22,5 eurosh në rrugën e “Kombit” do të zhvlerësojë tërësisht tregtinë me Kosovën dhe më tej nëpërmjet kësaj autostrade. 43 euro është një kosto e lartë për bizneset, të cilët do të shohin mundësi të reja tranzitimi.
Mirëmbajtja në rrugën e “Kombit” është dhënë për një afat 30-vjeçar. Objektivi kryesor i këtij koncesioni/PPP për punë dhe shërbime është përmirësimi i autostradës, funksionimi dhe mirëmbajtja efektive e saj./ Monitor

Tërhiqini zvarrë ata trarë dhe jo vetëm ato…

Me një të rënë të lapsit kanë vendosur të privatizojnë investimin më të madh kombëtar, ata të bashkimit fizik mes Shqipërisë dhe Kosovës, ideuar e realizuar nga Sali Berisha e qeveria e PD dhe materializuar me taksat e të gjithëve.
Nga një rrugë bashkimi kombëtar ajo është kthyer nga dita e sotme në një biznes të Edi Ramës. Shqiptarët e Shqipërisëdhe Kosovës duhet nga sot të paguajnë haraçin për bankën e Ramës për të kaluar në këtë rrugë.
Ky absurditet i një njeriu të sëmurë nga babëzia për të grabitur me çdo instrument shqiptarët dhe për t’i ndarë ato me të njëjtën urrejtje si të etërve të tij, duhet të shërbejë për të nisur një aksion kombëtar në të dy anët e kufirit për të mos lejuar veglat e reja të projekteve të vjetra tëçubriloviçëve dhe milosheviçëve të mund të krijojnë barriera ndarëse.
Shqiptarët e të dy anëve të kufirit duhet të ngrihen dhe të bashkohen në revoltë dhe protestë për t’i tërhequr zvarrë ato trarë aty ku janë ngritur si dhe njeriun që ideoi këtë krim kombëtar.

Kosova refuzon taksën e rrugës së“Kombit”, ikin bizneset

Rreth 50 biznese të ndërtimit nga Kosova kanë vendosur që ta bojkotojnë rrugën e “Kombit” pas tarifave për kalimin e autostradës të vendosura nga qeveria shqiptare.
Këto biznese thonë që vetëm material ndërtimor importojnë nga Shqipëria, rreth 35 milionë euro në vit dhe rrugën e “Kombit” e kalojnë në vit rreth 21 mijë makina. Pas vendosjes së taksës, ku taksa për makineri të rënda është 46 euro vajtje-ardhje, kompanitë në vit detyrohen të paguajnë rreth 1 milionë euro më shumë.
Këtë vendim, këto kompani e quajnë si plaçkitje nga qeveria shqiptare, ku ankesa kanë edhe për skanerin e vendosur për importuesit që përdorin si tranzit Portin e Durrësit, për të cilin thonë që paguajnë 23 euro, pa e përdorur fare.
Jetmir Bytyçi, përfaqësues i këtyre bizneseve, i tha Klan “Kosovës” se, kjo është një “plaçkitje” e vendosur nga shteti shqiptar, për të cilin thanë që kanë tentuar t’ia paraqesin ankesat e shqetësimet e tyre, por që nuk u morën parasysh deri tani.
Bytyçi shton se pas këtij bojkoti, do të detyrohen që biznesin e tyre ta orientojnë nga vendet që ai i cilëson si të “padëshirueshme”, siç janë Serbia dhe Maqedonia.
Ai shprehet i bindur se bojkotin do ta mbajnë dhe nuk do të heqin dorë nga vendimi i tyre, deri në zbritjen e taksës rrugore, për të cilën thotë që nuk janë kundër saj, mirëpo çmimi është tepër i lartë.
Ai thotë se, po të përshkruhet rruga nga Serbia apo Maqedonia, nuk paguhen më shumë se 10 cent për një kilometër rrugë, kurse për 1 kilometër të përshkruar në rrugën e “Kombit” duhet të paguhen mbi 0.38 cent.
“Të gjitha këto pengesa dhe tarifa, çojnë në humbje të perspektivës dhe zhvillimit të mëtejshëm të tregtisë në këto hapësira shqiptare”.
Ata kërkojnë gjithashtu nga qeveria shqiptare që t’i marrë parasysh këto kërkesa, pasi sipas tyre përgjatë 10 viteve kur u ndërtua kjo autostradë, vetëm me këto produkte që tani do t’i bojkotojnë, shuma që Shqipëria përfitoi ishte rreth 350 milionë euro.
Ata kanë paralajmëruar edhe protesta në Kosovë e Shqipëri 24 orë para hyrjes në fuqi të taksës rrugore.

Eksperti propozoi 1 euro taksë për rrugën e “Kombit”, Rama e pesëfishoi

Tarifa e kalimit që qeveria ka vendosur mbi rrugën Durrës-Kukës është deri në 4 herë më e lartë se sa çmimi i rekomanduar nga kompania konsulente. “Top Channel” publikon raportin konfidencial të kompanisë Egnantia Odhos, që qeveria shqiptare pajtoi për tëbërë strategjinë mbi tarifimin e rrugëve në Shqipëri. Raporti i është dorëzuar Ministrisë së Transporteve në gusht të vitit 2015. Në dokument kompania ka përpiluar listën e akseve të mundshme që mund të bëhen me pagesë dhe çmimet që duhet të paguajnë qytetarët.
Sipas raportit, çmimi maksimal i përballueshëm nga familjet shqiptare është 3.5 euro për 100 kilometër. Por ky është tavani më i lartë i mundshëm. Ndërsa tarifa optimale e rekomanduar nga konsulenti është 1 deri në 2.5 euro për 100 kilometra. Sipas raportit kjo është tarifa më e përballueshme nga familjet shqiptare, e cila jo vetëm përcakton një kosto të drejtë, por edhe zbut efektet sociale nga taksa e rrugës.
Por çfarë vendosi qeveria? Koncesioni i rrugës së “Kombit” nuk përfshin të gjithë rrugën Durrës-Kukës. Konsorciumi i kompanive “Kastrati” dhe “Salillari” do të mirëmbajë vetëm segmentin nga Miloti në Morinë, ndërsa pjesa tjetër do të mirëmbahet me paratë e buxhetit që paguhen po nga qytetarët. Segmenti Milot-Morinë është 118 kilometër i gjatë dhe sa herë që qytetarët do të kalojnë në të me autoveturë ata do të paguajnë 5 euro tek koncesionari privat. E thënë ndryshe, tarifa e kalimit në rrugën Milot-Morinë është 4.2 euro për 100 kilometër ose 2 deri në 4 herë më e lartë nga ajo që rekomandoi konsulenti privat.
Por fatura nuk mbaron me kaq. Përtej pagesave direkte, qytetarët do ta paguajnë koncesionarin edhe nga buxheti. Qeveria shqiptare i ka garantuar koncesionarit privat të paktën 7.9 milionë euro të ardhura në vit. Nëse koncesionari mbledh më pak nga pagesat, atëherë qeveria do i paguajë diferencën nga buxheti i shtetit.
Vendosja e tarifës së kalimit në rrugën Milot-Morinë përbën një situatë paradoksale. Kompania konsulente, edhe pse nuk e ka për detyrë, është kujdesur të mbajë parasysh edhe interesin publik, ndërsa qeveria, ajo që duhet të mbronte interesin publik, në këtë rast duket se ka mbrojtur të tjera interesa, duke u vënë qytetarëve një taksë 4 herë më të rëndë nga niveli i rekomanduar.