Pastrimi i Parave: 9 milionë euro të sekuestruara gjatë 2017-ës

Vetëm gjatë vitit 2017 janë sekuestruar 9 milionë euro dhe janë nxjerrë 52 urdhra bllokimi kryesisht llogari bankare. Shifrat u bënë të ditura nga drejtori i Përgjithshëm i Pastrimit të Parave, Arlind Gjokuta, gjatë raportimit në Komisionin e Sigurisë. Sipas Arlind Gjokutës, gjatë vitit 2017 kanë referuar gjithsej 401 raste të dyshuar për pastrim parash, nga të cilat 270 janë dërguar në Policinë e Shtetit dhe 131 raste në Prokurori. Numër ky në total i qëndrueshëm krahasuar me vitet pararendëse.
Burimi kryesor i referimeve mbeten raportet e aktivitetit të dyshimtë, rreth 85% e tyre, çka është një tregues i efikasitetit të lartë të sistemit parandalues në vend. Në total, gjatë vitit 2017 janë nxjerrë 52 urdhra bllokimi të përkohshëm kryesisht për llogari bankare për një vlerë totale 11.2 milionë euro nga të cilat janë sekuestruar rreth 9 milionë euro. Gjokutaj ka shtuar se, Drejtoria e Pastrimit të Parave ka vijuar të bashkëpunojë ngushtë me Policinë e Shtetit dhe në përgjigje të kërkesave të policisë gjatë 2017 kanë verifikuar 2497 persona, ose dy herë me shumë se mesatarja e 4 viteve të fundit.