Basha me të përndjekurit: Të shembim diktaturën e krimit, bashkohemi në PD

Lulzim BASHA

Familjarë dhe familjare të të përndjekurve politikë, të përndjekur politikë, familjarë të të ekzekutuarëve pagjyq. Mbi 4500 shqiptarëve patriotë, të cilët edhe sot mungojnë në panteonin e lavdisë kombëtare, sepse heshtrat e tyre nuk gjenden dhe janë zhdukur nga diktatura dhe ekzekutorët komunistë.
Më lejoni ta nis me një falenderim për organizatorët e kësaj Konvente,duke nisur me Kryetarin e Unionit Mbarëkombëtar z. Besim Ndregjoni dhe përfaqësuesit e shoqatave të tjera të të përndjekurve politikë këtu të pranishëm, i nderuar President Bujar Nishani, të nderuar përfaqësues të pushtetit vendor, të nderuar të përndjekur politikë.
Kujtesa dhe nderimi për sakrificën e atyre që kanë kontribuuar për lirinë dhe kombin, e lartëson shoqërinë. Harresa dhe mosmirënjohja janë themeli i një shoqërie të shkatërruar që shkon edhe më shumë drejt shkatërrimit.
Njësoj si familja që nderon prindërit dhe paraardhësit dhe përmes traditës së nderimit të sakrificës ndërton traditën e të ardhmes dhe sakrificës për brezat që vijnë, ashtu edhe një komb dhe është mirënjohës për sakrificën e atyre që kanë luftuar për liri në ditët më të errëta të diktaturës, që i kanë kundërvënë, vlerat dhe shpirtin, terrorit më të egër komunist, do t’a lartësojë Shqipërinë.
Dhe po kështu, sot ne vazhdojmë të paguajmë çmimin e rëndë të harresës e të mosmirënjohjes. Njësoj si një familje që vetëm shkatërrohet, kur nuk di të nderojë sakrificën e prindërve.
Ashtu edhe një shoqëri, vetëm do të shkatërrohet nëse nuk di të nderojë sakrificën e atyre që kanë luftuar për lirinë dhe vlerat themelore të saj.
Kjo nuk është një çështje vetëm e të përndjekurve politikë. Kjo nuk është thjeshtë dhe vetëm një çështje e krimit përballë drejtësisë, kjo është një çështje, nëse kombi do të prosperojë, do të vazhdojë të jetojë dhe gjallojë sipas vlerave kombëtare dhe europiane, apo do të shkatërrohet dhe Shqipëria do të zbrazet njësoj si një familje që nuk di të nderojë sakrificën e të parëve të vet.
Asnjë nuk ka paguar një çmim më të lartë për lirinë në Europën postkomuniste, se sa shqiptarët. Sakrifica e shqiptarëve përkthehet në mijëra të ekzekutuar me gjyq dhe pa gjyq.
Qindra mijëra të tjerë të burgosur e të internuar për fjalën e lirë,për besimin në Zot.
Për besimin në demokraci, për dëshirën për të ndërtuar një shoqëri të lirë, sipas normave dhe vlerave europiane.
Krimi komunist shqiptar është krimi më i rëndë komunist në Europë, por akoma më e rëndë se ky krim, është zhdukja e gjurmëve të krimit.
Mosgjetja e eshtrave të mbi 4500 të ekzekutuarve me gjyq dhe pa gjyq, ka në themel kompleksin e komunistëve shqiptarë, për të zhdukur bashkë me kundërshtarët e tyre politikë, edhe gjurmët e krimit të tyre.
Ky është momenti që unë përsëris para jush, në emër të Partisë Demokratike dhe opozitës së djathtë, kërkesën për ndjesë, falje, që ne nuk kemi arritur dot të përmbyllim me sukses këtë proçes, të gjetjes dhe nderimit të heshtrave të paraardhësve tuaj, të ekzekutuar pa gjyq.
Ju e dini se në vitin 2010 u ngrit një komision qeveritar parlamentar, në kohën kur shërbeja si ministër i Brendshëm, por fatkeqësisht, as koha, as burimet financiare dhe njerëzore të vëna në dispozicion, nuk mjaftuan për ta çuar këtë proçes drejt një përfundimi të suksesshëm.
Bashkë me ndjesën e thellë dhe reflektimi për përgjegjësinë që është e jona e Partisë Demokratike për ta çuar këtë proçes drejt përfundimit, zotohem para jush sot, se bashkë me ligjin që po hartojmë me ndihmën e Kristian-demokratëve gjermanë dhe Fondacionit Konrad Adenauer, me kontributin tuaj dhe të shoqatave të tjera të të përndjekurve politikë, ne do t’i kërkojmë Parlamentit shqiptar, që së bashku me ndalimin dhe kriminalizimin e simboleve të komunizmit, dhe nderimit të viktimave të komunizmit, të ndërmarrë të gjithë angazhimin ligjor dhe financiar për gjetjen dhe nderimin e të ekzekutuarve pa gjyq që sot janë pa varr dhe heshtrat e të cilëve nuk gjenden.
Drejtësia nuk mund të vijë nga persekutorët, mos e prisni dhe mos e kërkoni nga Edi Rama.
Mos e prisni dhe mos e kërkoni nga hetuesit e komunizmit, që torturuan djemtë dhe vazjat e Krujës, sepse festuan ditën që vdiq Enver Hoxha.
Mos e kërkoni nga Fatmir Xhafa, mos e kërkoni nga Gramoz Ruçi, mos e kërkoni nga Rilindja e krimit, njësoj si krimin nuk mund ta luftojnë njerëzit e lidhur me krimin, nuk mund ta luftojnë vëllezërit e trafikantëve të kokainës dhe të drogës po kështu drejtësinë për të afërmit tuaj, nuk mund ta sjellin ish-hetuesit e persekutorët e komunizmit.
Partia Demokratike po përfundon proçesin e hartimit të këtij ligji të nisur që në shtator, nën drejtimin e një pinjolli të të përndjekurve politikë dhe deputet në Kuvendin e Shqipërisë, z. Enkelejd Alibeaj. Partia Demokratike dhe unë personalisht angazhohemi jo vetëm për konsultimin dhe dërgimin për miratim të këtij ligji në Parlament, por një përfaqësim të plotë dhe dinjitoz të palcës së Partisë Demokratike, të të përndjekurve politikë, në Partinë Demokratike dhe në të gjitha shtresat vendimmarrëse të forcës sonë politike.
Po kështu, për një angazhim të thellë dhe të gjithanshëm për të smbrapsur revanshin komunist, i cili u rilind dhe u materializua, u mishërua me vendimin kriminal për të hequr dhe kufizuar dëmshpërblimin për pasardhësit e të ekzekutuarve dhe të gjithë hapat e tjerë që kjo qeveri po hedh qëllimisht dhe jo rastësisht.
Sepse është dhe mbetet në radhë të parë rilindja e diktaturës, rilindja e pinjollëve të diktaturës, rilindja për nderimin për diktaturën. Që nga ylli i kuq si provokim në gjoksin e Edi Ramës e deri tek nderimi për xhelatët e diktaturës, ka një dhe vetëm një qëllim të fshijë çdo kujtesë të sakrificës dhe luftës për liri; të glorifikojnë diktaturën e krimit.

Luftë pa kompromis për të shembur të keqen
E bëjnë këtë jo thjesht për të nderuar paraardhësit e tyre, por e bëjnë për të glorifikuar krimin dhe aleancën me krimin, që është arsyeja e vetme pse Edi Rama është sot në pushtet.
Zonja dhe zotërinj ne nuk jetojmë më në një vend demokratik. Këtu nuk ka më garë demokratike, sepse nuk ka më zgjedhje. Parlamenti shqiptar nuk ka dalë nga vota e lirë e qytetarëve shqiptarë, por ka dalë nga paratë e drogës dhe nga paratë e krimit.
“Paskemi qëndruar mbi varre”, tha Uran Sakiqi në fjalën e tij. Ne vazhdojmë të qëndrojmë mbi varre dhe varret do të shtohen nëse nuk rikthejmë vlerat themelore të demokracisë, votën e lirë, përfaqësimin dinjitoz të të përndjekurve politikë, të pronarëve dhe gjithë shqiptarëve të ndershëm, duke nisur nga organet më të larta vendimmarrëse të Partisë Demokratike në Kuvendin e ardhshëm kombëtar.
Mendimi ndryshe, është tabani i demokracisë tha Tomorr Alizoti. Unë dua ta falënderoj që është këtu në këtë sallë, e kundërta është bolshevike, po është e vërtetë, absolutisht e vërtetë. Bolshevike është edhe pagabueshmëria e liderit.
Edhe unë kam bërë gabimet e mia, nuk jam i pagabueshëm. Ndaj kërkoj nga ju të më njihni të drejtën që i njoh gjithsecilit prej jush, gjithë demokratëve, të drejtën për reflektim dhe të reflektojmë të gjithë së bashku.
Eja Tomorr! Ejani të gjithë ju dhe të bashkohemi në gjirin e PD; është vendi, është institucioni, është garancia e vetme për të drejtat e papërmbushme.
Së bashku me ndjesën time të thellë si kryetar i PD dhe me zotimin tim se do të bëjmë gjithçka së bashku për ta shembur diktaturën e krimit dhe për të lartësuar sakrificën e paraardhësve tuaj përmes sakrificës tonë dhe luftës pa kompromis për të shembur të keqen dhe për të rikthyer vlerat demokratike dhe europiane si themeli i shoqërisë shqiptare.
Ju falënderoj nga zemra për mundësinë që më dhatë dhe t’ju garantoj se me mish dhe me shpirt unë dhe PD do të luftojmë për të përmbushur amanetin e papërmbushur dhe misionin e papërmbushur dhe borxhin e pashlyer që kemi ndaj jush dhe familjarëve tuaj.