KESH përmbyti Shkodrën, Basha: Prokuroria të nisë hetimet

Kryetari i PD, Lulzim Basha gjatë takimeve me banorët në zonat e përmbytura në Shkodër i kërkoi Prokurorisë së Përgjithshme të nisë hetimet ndaj qeverisë mbi përgjegjësinë që ka mbi degradimin e situatës së përmbytjeve, duke mos drejtuar asnjë ndihmë shtetërore atje.
“Nuk i fajësoj dhe nuk mund të fajësoj kurrë qeverinë për reshjet apo për nivelin e Kaskadës së Drinit. Përgjegjësinë ligjore dhe financiare për menaxhimin e Kaskadës së Drinit e ka patur dhe e ka qeveria shqiptare, demokrate, socialiste, e ka dhe e ka patur qeveria shqiptare, e cila është përgjegjëse për këtë gjendje e nuk mund të iki kësaj përgjegjësie, duke mos shpallur gjendjen e emergjencës.
29542252 1827022750682231 7681775612420021881 nI fajësoj pra për braktisjen e Shkodrës. I akuzoj për braktisjen e Shkodrës. I akuzoj për mos menaxhimin e situatës në parametrat reale të rrezikut siç është dhe i kërkoj Prokurorisë të nisë menjëherë hetimet për arsyen e kësaj heshtjeje dhe mosveprimit kriminal.
Në aspektin afatgjatë dëmet që po shkaktohen janë shumë të mëdha; dëmet e infrastrukturës rrugore, dëmet e infrastrukturës ujësjellës kanalizime, dëmet e mëdha ekonomike që i shkaktuan mijëra familjeve janë shumë të mëdha.

Ndaj bashkë me deputetët e Shkodrës do të përgatisim urgjentisht një raport me të dhënat e Bashkisë Shkodër, me të dhënat e Qarkut Shkodër, po kështu të Bashkisë Vau i Dejës për këto dëme dhe do të shohim me mjetet dhe mënyrat e kufizuara që opozita ka për të kërkuar që menjëherë pas tërheqjes së ujit të alokohen fonde të veçanta për të riparuar këto dëme të infrastrukturës publike.
Edhe një herë dua t’ju përgëzoj, t’ju inkurajoj, t’ju falënderoj nga zemra si kryetar i opozitës, si kryetar i Partisë Demokratike, si qytetar për punën dhe sakrificën e deritanishme. T’ju inkurajoj të vazhdojmë kështu deri në momentin kur situata të stabilizohet, ndërkohë që do të vazhdojmë të ngrejmë zërin për shpalljen e gjendjes së emergjencës si një e drejtë ligjore e Shkodrës dhe shkodranëve përballë me këtë katastrofë natyrore”, tha Basha.
Basha tha sePD do të jetë ëprkrah banorëve. “Dua t’i drejtoj një apel të gjithë banorëve të izoluar nga uji, të vazhdojnë të mbajnë kontakte me autoritetet lokale dhe t’u përgjigjen dhe t’u binden këshillave dhe instruksioneve të autoriteteve lokale, sepse shpëtimi i jetëve njerëzore në këtë situatë mbetet prioriteti numër një” shprehet Basha.

Basha: Mos shpallja e emergjencës, vepër penale
Kryetari i PD, Lulzim Basha akuzoi ashpër Ramën dje si përgjegjësin kryesor të situatës dramatike që po përjetojnë banorët e Shkodrës sot nga përmbytjet. Nga mbledhja e emergjencave civile të Bashkisë Shkodër, ku ishin të pranishëm vetëm strukturat e kësaj njësie vendore dhe deputetët e djathtë, kryedemokrati Lulzim Basha i kërkoi qeverisë të shpallë emergjencën civile. Ai akuzoi kryeministrin Rama se po bën një shkelje penale, dhe ka kërkuar të vihet para përgjegjësisë ligjore për mosshpalljen e emergjencës.
“Së pari, dua t’ju falënderoj për punën e jashtëzakonshme që keni bërë gjatë këtyre 18 ditëve. E di që ka qenë një kohë shumë e lodhshme, por ju shpreh përgëzimet dhe mirënjohjen time për faktin që keni qëndruar dhe vazhdoni të qëndroni në krye të detyrës.
Zonja kryetare e Bashkisë, i gjithë aparati i emergjencës, zonja kryetare e qarkut, deputetë, z. Kryetar i Partisë Demokratike të Shkodrës dhe të gjithë vullnetarët, të cilët me përpjekjet e tyre gjatë këtyre 18 ditëve kanë bërë akoma më shumë se sa institucionet e tjera që e kanë për detyrë të ndihmojnë në raste të tilla.
Dua të falenderoj pa dyshim edhe personelin e Forcave të Ushtrisë së Forcave të Armatosura dhe këdo tjetër që është bërë pjesë e kësaj përpjekje.

Unë e njoh problemin e përmbytjeve në Shkodër. Kemi bashkëpunuar në vitet e kaluara ngushtësisht për të përballuar pasojat e përmbytjeve. Ndaj askush nuk mund të më thotë, se kjo që po ndodh këtu është vepër e Zotit.
Ne të gjithë e dimë se, kjo është vepër e njeriut. Është përgjegjësi e drejtpërdrejt e KESH. Kaskada e Drinit është përgjegjësja për përmbytjet e Shkodrës.
Para se të shkojmë tek përgjegjësitë dhe tek fajtorët që heshtin, dua të them se me të drejtë kemi vendosur theksin tek prioriteti numër një, që është jeta dhe shëndeti i banorëve, është gjendja e tyre, familjeve dhe banesave të tyre dhe natyrisht gjendja e ekonomisë së tyre.
Të treja këto shkojnë të lidhura me njëra-tjetrën”, tha Basha.
Kreu i PD vuri theksin tek shpëtimi i jetëve njerëzore dhe u bëri thirrje banorëve të prekur nga përmbytjet të mbajnë kontaktet me autoritetet lokale në mënyrë që të marrin ndihmë.
“Sot që flasim, sipas informacioneve që parashtruat, janë mbi 1 mijë familje dhe rreth 800 banesa të rrethuara nga uji.
Kjo përbën për çdo vend dhe çdo qeveri normale një gjendje emergjence. Këto familje të rrethuara nga uji, janë në kërcënimin e vazhdueshëm të izolimit, mungesës së ujit të pijshëm, mungesës së shërbimit shëndetësor, për të moshuarit, për fëmijët.

Në një pjesë të madhe të territorit shkollat kanë ndalur aktivitetin e tyre, ndërkohë që zona kryesisht bujqësore – blektorale është shkatërruar dhe të mbjellat po edhe ato aktivitete afatgjata siç janë fidanishtet, janë shkatërruar ndërkohë që raportohet për qindra, mijëra dëme për bagëtinë.
Prioritet absolutisht duhet të jetë jeta e qytetarëve dhe unë ju përgëzoj, sepse për 24 orë në ditë Bashkia gjendet në krye të detyrës për t’u ardhur në ndihmë rasteve emergjente.
Gjatë komunikimeve tona në këto ditë, më keni informuar për rastet e evakuimeve drejt qendrës së konvikteve si edhe për ndihmën që keni dhënë për të ndihmuar familjet e izoluara, e duke i dërguar tek të afërmit e tyre.
Dua t’i drejtoj një apel të gjithë banorëve të izoluar nga uji, të vazhdojnë të mbajnë kontakte me autoritetet lokale dhe t’u përgjigjen dhe t’u binden këshillave dhe instruksioneve të autoriteteve lokale, sepse shpëtimi i jetëve njerëzore në këtë situatë mbetet prioriteti numër një” shprehet Basha.
“Së dyti, ndihmat e ardhura nga qeveria, janë krejtësisht të pamjaftueshme.

Puna e bërë deri tani, mbështetet nga ndihmat, rezervat, resurset e Bashkisë së Shkodrës, e cila sikundër në asnjë bashki tjetër nuk është e përgatitur, as nga ana buxhetore, as nga ana infrastrukturore ta përballojë e vetme këtë gjendje emergjence.
Kjo është arsyeja kryesore se përse insistohet prej më shumë se dy javësh në shpalljen e gjendjes së emergjencës.
Herën e fundit që isha në Shkodër, njolla e përmbytjes, ishte 1/3 e kësaj që është sot, e vazhdon edhe sot. Përmbytja ka përfshirë edhe Bashkinë e Vaut të Dejës, ku janë me qindra familje jo të rrethuara nga uji, por me praninë e ujit, brenda banesave, jo në oborre.
Situata nuk po shkon drejt përmirësimit, por po shkon drejt përmirësimit të thellë.
Arsyeja kryesore për shpalljen e emergjencës është, t’i vihet në ndihmë me të gjitha mjetet dhe mënyrat, banorëve të izoluar, banorëve të kërcënuar, jetës dhe shëndetit të tyre” tha Basha.
Ai theksoi se mosshpallja e emergjencës është përgjegjësi ligjore dhe penale dhe çdo pasojë në jetët dhe shëndetin e banorëve të Bashkisë së Shkodrës dhe Bashkisë së Vaut të Dejës, çdo pasojë negative, është pasojë e mosveprimit, pra është vepër penale dhe kriminale.
“Unë dua të përgëzoj aktin bipartizan të Këshillit Bashkiak të Shkodrës, që kanë kërkuar në mënyrë unanime shpalljen e emergjencës.

Dua t’i drejtoj një apel kryeministrit , të shpallë menjëherë gjendjen e emergjencës. T’i japë fund heshtjes fajtore të KESH-it dhe të ministrit të KESH-it, Damian Gjiknuri, heshtjes bashkëfajtore të kryeministrit dhe të autoriteteve të tjera, përballë përmbytjeve në Shkodër.
Të shpallet menjëherë gjendja e emergjencës.
E kuptoj që prefekti është i margjinalizuar nga urdhërat që i vijnë nga lart, por e kujtoj prefektin për detyrën dhe përgjegjësinë e tij para ligjit, është detyrë e tij të kërkojë zyrtarisht në emër të Shtabit të Emergjencës lokale, me shkresë zyrtare qeverisë, shpalljen e emergjencës.
Asnjë alibi nuk duhet të ekzistojë për të përjashtuar Edi Ramën, Damian Gjiknurin dhe kabinetin qeveritar nga përgjegjësia e drejtpërdrejt që kanë për përmbytjen e Shkodrës dhe për rrezikun që kjo sjellë për banorët e Shkodrës.
Sikundër i bëj thirrje Prokurorisë të nisë hetimet për çdo neglizhencë, nga cilido autoritet, të veprojnë para se të jetë vonë.
Mosshpallja e emergjencës nga Edi Rama ka dy arsye.
E para, që është kriminale sa ç’është edhe absurde, është për të shmangur dëmshpërblimet e familjeve të dëmtuara.

Ligji shqiptar thotë se, me shpalljen e emergjencës së pjesshme, ata që janë bashkëpërgjegjës në këtë emergjencë, në këtë rast, shteti, qeveria, si pronare dhe menaxhuese e KESH-it, me shpalljen e gjendjes së emergjencës, është e detyruar të dëmshpërblejë për dëmin e shkaktuar.
Është një llogari meskine, e cila e pengon Edi Ramën të shpallë gjendjen e emergjencës.
Pasojat e mosshpalljes së emergjencës janë akute dhe do të jenë edhe më akute në orët në vijim.
Nuk është lojë lajmesh dhe as politikë. Shpallja e emergjencës sot, nuk është thjeshtë detyrë e kryeministrit, mosshpallja e emergjencës është vepër kriminale, është vepër penale.
Jam këtu t’ju jap të gjithë mbështetjen e opozitës dhe të PD, timen personalisht, që të jeni e të vazhdoni të jeni në krye të detyrës.
Nuk ka gjë më të rëndësishme sikundër nuk ka gjë më të vështirë.
Banorët në zonat e përmbytura, këtu në Shkodër dhe në të gjithë Shqipërinë, e dinë fare mirë, edhe një festë po të zgjasë 15 ditë, njerëzit lodhen, imagjinoni dy javë e gjysëm të rrethuar nga uji që vazhdon dhe rritet.
Falënderoj të gjithë ato organizata, Kryqin e Kuq, Caritas, Kishën, të gjithë organizatat bamirëse, të gjithë organizatat bamirëse të cilët po japin ndihmën e tyre modeste.
Natyrisht që kjo është një situatë që duhet të përballet me mjete mbështetëse. Mungesa e kryeministrit, prania fotografike dhe fotozhenike e vartëses dhe vartësve të tij denoncojnë së bashku me heshtjet e tyre fajësinë dhe bashkëfajësinë për mos menaxhimin e situatës”.