“Leva” drejt Real Madridit

Robert Lewandowski e ka shumë të qartë. Dhe ai e ka bërë të ditur vendimin e tij te Karl Heinz Rummenigge, drejtori i Përgjithshëm i Bayern Munich. Polaku dëshiron të luajë te Real Madridi dhe ka vendosur të bëjë gjithçka të mundshme për ta përmbushur dëshirën e tij. Situata duket shumë e qartë edhe për drejtuesit e udhëheqësve të Bundesligës. Po aq shumë, sa kampionët gjermanë tashmë kanë filluar kërkimin për një zëvendësues të sulmuesit polak. Timo Werner është favorit, por Bayern Munich nuk përjashton as mundësinë e ardhjes së mundshme të Mauricio Pochettino, që mund të sjellë me vete Harry Kane, “9” e Tottenham, golashënuesi më i mirë botëror në vitin 2017. Qendërsulmuesi polak beson se koha e tij në “Allianz Arena” është afër përfundimit, ngaqë dëshira për të veshur fanellën e bardhë të Real Madridit predominon mbi gjithçka. Ai nuk ka dyshim në këtë aspekt, edhe pse e di vështirësinë e një operacioni të tillë, që nuk do të jetë i lehtë. Lewandowski ka kërkuar që të jetë i sinqertë me drejtuesit e Bayern Munich, duke iu vënë në dukje paraprakisht një situatë që nuk është e lehtë për bavarezët. Më parë, këtë javë, nga Mynihu ka rrjedhur lajmi se Bayerni nuk është gati ta lërë të largohet polakun, duke kujtuar se kontrata e tij shkon deri më 30 qershor 2021. Mirëpo, drejtuesit e klubit bavarez e dinë se nuk mund ta mbajnë me zor qendërsulmuesin e tyre, ndaj kanë filluar kërkimin për një zëvendësues ideal. Klubi nga “Bernabeu” nuk do të ketë ndonjë problem me drejtuesit e bavarezëve, ndaj kanë kontaktuar me ta, duke mohuar çdo marrëveshje me agjentin e Lewandowski (Pini Zahavi ka zëvendësuar polakun Cezary Kucharski). Në fakt, ndryshimi i përfaqësuesit (menaxherit) ka të vetmin qëllim, që numri 9 i Bayern Munich të largohet nga skuadra aktuale dhe t’i bashkohet Real Madridit.

Pra, Zahavi nuk është një menaxher për t’u përdorur. Ai mban marrëdhënie të shkëlqyera me klube të ndryshme dhe figura e tij në futboll është shumë e konsideruar si ndërmjetës i operacioneve të komplikuara. Marrëdhëniet ndërmjet Bayernit dhe Real Madridit janë përmirësuar, pasi përjetuan momente të tensionuara pas çerekfinales së Ligës së Kampionëve të fundit. Largimi i James drejt Mynihut shërbeu për të ndërtuar ura dhe hedhur themelet e një negocimi, që deri atëherë dukeshin të pamundura. Tani historia përsëritet dhe do të jenë udhëheqësit e Real Madridit, ata që duhet ta ndërmarrin hapin, kur dëshira e lojtarit duket e qartë për të kaluar në “Bernabeu”. Skuadra kampione e Bundesligës nuk ka ndërmend të qëndrojë duarkryq dhe ka një plan të madh për sulmin, që përfshin një nga emrat më të mëdhenj aktualisht në këtë repart. Mediat gjermane bëjnë me dije se në rast se Lewandowski vendos të largohet nga Bayern, i pari në listë për ta zëvendësuar është sulmuesi Harry Kane. Harry Kane luan në Premier League me skuadrën e Tottenham dhe për të janë interesuar edhe në Spanjë, por ai ka një kosto të lartë. Shumë, e cila duket se nuk do të jetë aspak një problem për Bayern, që është gati të shpenzojë edhe 200 milionë euro për të marrë sulmuesin 24-vjeçar që po shkëlqen në kampionat.