Bizneset e vogla: Protesta deri në grevë urie kundër TVSH

Shoqata e Biznesit të Vogël ka paralajmëruar se do të nisë protestat masive, duke u përshkallëzuar deri në grevë urie në rast se qeveria nuk tërheq mbrapsht vendimin për të përfshirë në skemën e TVSH-së bizneset që kalojnë xhiron vjetore prej 2 milionë lekësh. Sipas kryetarit të shoqatës, Alberta Nasta, përfshirja e biznesit të vogël në skemën e TVSH-së shënjon fundin e tyre. Ai tha për Monitor se, Shoqata bazuar në sondazhet dhe analizat e veta parashikon se numri i bizneseve të mbyllura në gjashtë mujorin e parë do të shkojë deri në 50 mijë.
Nasta shton për Monitor se, vendosja e pragut të TVSH-së do të shtojë më shumë korrupsionin dhe evazionin, si dhe do të rrisë selektivitetin.
Shoqata e Biznesit të Vogël dhe të Mesëm po organizohet edhe nëpër rrethe për të nisur protestat në datën 2 prill. Fillimisht bizneset e vogla do të mbyllin qepenat e dyqaneve dhe nuk do të operojnë për disa orë. Nasta thotë se do të përdorin çdo formë demokratike, deri në grevë urie, për të kthyer mbrapsht vendimin e qeverisë.

Vendosja e TVSH-së për biznesit e vogël rrit shpenzimet e njësive ekonomike, por edhe çmimet e produkteve dhe shërbimeve. Sipas kryetarit të Shoqatës së Biznesit të Vogël rritja e çmimeve të produkteve dhe shërbimeve që ata tregtojnë do të përkthehet në falimentim të menjëhershëm, duke qenë se fuqia blerëse është e ulët. Tatimet parashikojnë që fillimisht në skemë do të përfshihen rreth 11,300 biznese të vogla, por sipas përfaqësuesve të shoqatës në rast se, tatimet do të monitorojnë bizneset të gjithë përfshihen në skemë dhe e kalojnë pragun prej 2 milionë lekësh, i cili sipas tyre është lehtësisht i kapërcyeshëm prej bizneseve të vogla. Biznesi i vogël ka një marzh të ulët fitimi, nga 2 deri në 10 për qind e xhiros.
Shoqatat e Biznesit të vogël ka rreth 22 mijë anëtarë të regjistruar në të gjithë vendin, të cilët po organizohen për të kundërshtuar vendimin e qeverisë.

Taksat e larta dhe burokracitë, arsyet që çuan në përkeqësimin e besimit të biznesit
Niveli i lartë i taksave dhe burokracia e qeverisë janë shqetësimi më i madh që kanë sipërmarrjet e Dhomës Amerikane të Tregtisë, sipas indeksit të besimit të biznesit 2017 (ABI), publikuar së fundmi nga kjo Dhomë. Sipas rezultateve zyrtare, Indeksi i biznesit ka shënuar një ulje të lehtë prej 1.33 pikësh, nga 43.78 në vitin 2016 në 42.45 në vitin 2017. Nga 27 tregues që mat indeksi, 19 prej tyre, ose 70% ishin në përkeqësim.
Edhe ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Lu, shprehu shqetësimin lidhur me përkeqësimin e indeksit. “Jam i zhgënjyer të shikoj se Indeksi i Dhomës Amerikane në vitin 2017 ka rënë lehtë. Ashtu si në vitet e kaluara, ABI për vitin 2017 reflekton pakënaqësinë e vazhdueshme me një sërë treguesish të rëndësishëm të klimës së biznesit, veçanërisht nivelet e taksave, burokracinë e qeverisë, konkurrencën e pandershme, problemet në gjetjen e stafit të kualifikuar dhe korrupsionit”, tha ambasadori në letrën e tij për anëtarët e Dhomës Amerikane të Tregtisë. Indikatori për nivelin e përgjithshëm të taksave të aplikuara ka marrë dhe pikët më të ulëta, 28.3, (sa më i ulët rezultati, aq më i keq është), duke u renditur si problemi më madh i biznesit. Në krahasim me një vit më parë, ky indeks është përkeqësuar me 2.15 pikë, duke treguar se taksat e larta sa vijnë e po bëhen një barrë më e madhe për biznesin. Prej të paktën tre vitesh, niveli i përgjithshëm i taksave është shqetësimi kryesor për biznesin.

Shqetësimi i dytë në indeksin e 2017-ës është burokracia e qeverisë, me një indeks prej 28.57 edhe ky tregues është përkeqësuar sërish, pas përmirësimit të një viti më parë. Monopoli dhe konkurrenca e pandershme mbetet një problem i përhershëm i anëtarëve të Dhomës Amerikane, të cilat janë subjekte të mëdha që veprojnë sipas rregullave në treg dhe ndaj e ndiejnë më shumë presionin e konkurrencës së pandershme. Ky tregues mori 30.1 pikë, sërish në përkeqësim. Problemi i katërt është vështirësia për të gjetur personel vendas të kualifikuar, me 30.59 pikë. Në 2017-ën bizneset e kanë pasur më të vështirë të gjejnë punonjësit që i përshtateshin kërkesave të tyre, teksa edhe ky tregues ka ardhur në përkeqësim. Ekonomia informale është shqetësimi i pestë i bizneseve, me 33.3 pikë, e pandryshuar në krahasim me një vit më parë, pavarësisht përpjekjeve të vazhdueshme të qeverisë për të ulur nivelin e lartë të informalitetit.

Korrupsioni është problemi i gjashtë, me 34.2 pikë, edhe ai në përkeqësim, duke treguar se anëtarët perceptojnë një rritje të nivelit të korrupsionit. Duke iu larguar zonës së nxehtë, problematika të tjera të biznesit janë klima e brendshme politike, e cila ka shënuar një përkeqësim shumë të lartë, teksa viti 2017 ka qenë i ngarkuar me tensione politike, sidomos në periudhën para zgjedhore.
Edhe vetë treguesi i klimës së biznesit ka shënuar një rënie prej gati tre pikësh, duke zbritur në 38.61. në rënie të lehtë perceptohet edhe performanca e ekonomisë shqiptare. Në rënie të fortë (rënia e dytë më e madhe pas klimës politike) është edhe indikatori që mat perceptimin e bizneseve për reformat ekonomike dhe politikat që po ndiqen nga qeverisja qendrore, e cila ra me gati 3.6 pikë. Në përmirësim këtë vit ishte treguesi për marrëdhëniet me gjykatat, kërkesa për mallra dhe shërbime, treguesi i punësimit në përgjithësi, marrëdhëniet me qeverinë lokale, infrastruktura. Shqetësimi më i vogël i biznesit vijon të mbetet sigurimi i energjisë, të ndjekura nga marrëdhëniet me autoritetet doganore dhe ato tatimore.