Trump uron presidentin rus, dy liderët dakord për bisedime

Presidenti Donald Trump uroi Presidentin rus Vladimir Putin për rizgjedhjen e tij gjatë një telefonate të martën dhe dy udhëheqësit ranë dakord të zhvillojnë bisedime së shpejti.
“Ndoshta do të takohemi në një të ardhme jo shumë të largët, që të diskutojmë për armët, mund të diskutojmë mbi garën e armatimeve”, u tha Presidenti Trump gazetarëve përpara një takimi me princin e kurorës Mohammad bin Salman të Mbretërisë Saudite. Ai tha se, gara e armatimeve ka dalë “jashtë kontrollit”, por SHBA “nuk do të lejojë askënd të ketë diçka qoftë edhe të përafërt me atë që ne zotërojmë”. Çështje të tjera që do të diskutohen gjatë takimit dypalësh do të jenë Ukraina, Siria dhe Koreja e Veriut, shtoi Presidenti Trump. Gjatë thirrjes telefonike, Presidenti Trump theksoi çnuklearizimin e Gadishullit Korean, diskutoi mbi gjendjen e marrëdhënieve SHBA-Rusi dhe shprehu vendosmërinë për të vazhduar dialogun rreth “prioriteteve dhe sfidave të përbashkëta të sigurisë kombëtare”, sipas Shtëpisë së Bardhë. Në një deklaratë zyrtare të bërë të martën nga Kremlini thuhej se, Trump dhe Putin diskutuan mbi rëndësinë e bashkëpunimit në problemet e terrorizmit ndërkombëtar, në kufizimin e armëve bërthamore dhe për çështjet ekonomike. Zoti Putin fitoi mandatin e tij të katërt në zgjedhjet presidenciale të së dielës me 77 për qind të votave.

Presidenti Trump nuk tha nëse kishte diskutuar mbi ndërhyrjen ruse në garën presidenciale amerikane të vitit 2016 dhe mbi paralajmërimet e komunitetit amerikan të zbulimit se, Moska vazhdon përpjekjet për të ndikuar në zgjedhjet e SHBA. Menjëherë pas komenteve të bëra nga zoti Trump në Zyrën Ovale, senatori republikan John McCain i Arizonës e kritikoi ashpër Presidentin në Twitter. “Një president amerikan nuk e udhëheq botën e lirë, duke përgëzuar diktatorët për fitoren në zgjedhjet farsë”, shkruante McCain. “Duke vepruar kështu me Vladimir Putinin, Presidenti Trump fyen çdo qytetar rus, të cilit iu mohua e drejta për të votuar në zgjedhje të lira dhe të drejta”. Zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë fillimisht thanë se fitorja e Putinit nuk ishte befasi dhe se Shtëpia e Bardhë nuk kishte plane që zoti Trump t’i telefononte udhëheqësit rus për ta uruar. Si përgjigje, zëdhënësi i Kremlinit Dmitri Peskov u tha gazetarëve: “Kjo nuk duhet të shihet si një hap jo miqësor. Putini mbetet i hapur për normalizimin e marrëdhënieve me partnerët tanë amerikanë, aty ku kjo është me interes dhe me rëndësi”. Ai shtoi: “Nuk ka asnjë arsye për ta bërë qimen tra këtu. Madje, ekziston edhe një thënie e urtë: ‘Fli njëherë dhe mendoje përsëri kur të zgjohesh’”.