Ballina Politikë OSBE: Blerja e votës, shqetësim kryesor, është cënuar besimi

OSBE: Blerja e votës, shqetësim kryesor, është cënuar besimi

Reformë zgjedhore e plotë dhe në kohë, që të trajtojë rekomandimet e ODIHR-it dhe çështje të tjera kyçe. Kështu u shpreh Ambasadori i OSBE-së në Tiranë, Bernd Borchard, gjatë një takimi të zhvilluar me bashkëkryetarët e Komisionit të Posaçëm për Reformën Zgjedhore, Bledar Çuçi dhe Oerd Bylykbashi. Këta të fundit njohën përfaqësuesit e komunitetit ndërkombëtar me ecurinë e reformës zgjedhore, si dhe iu përgjigjën pyetjeve të tyre.
Takimi u zhvillua në kuadër të Grupit Ndërkombëtar të Punës për Zgjedhjet, i cili është një forum i ngritur nga Prezenca, ku përfaqësuesit e shteteve pjesëmarrëse të OSBE-së dhe organizatave të tjera ndërkombëtare në Shqipëri mblidhen periodikisht për të shkëmbyer informacion për çështje zgjedhore. “Sikurse u theksua nga ODIHR-i në raportin e 2017-ës, Komisioni duhet t’i japë përparësi punës për të adresuar çështjet e vazhdueshme të blerjes së votës. Akuzat e shumta për blerje vote kanë cënuar besimin e publikut dhe nevojitet vullnet politik për t’iu kundërvënë këtij fenomeni. Ne po u kushtojmë vëmendje të veçantë rasteve të shkeljeve zgjedhore të denoncuara në Prokurori. Tri çështjet që kanë shkuar në Gjykatë deri tani janë një fillim, por vetëm një fillim”, tha Borchardt.

Lidhur me teknologjitë e reja të votimit, Borchardt tha se, praktikat më të mira tregojnë se vendimet për përdorimin e teknologjive të reja nuk duhet të vihen menjëherë në zbatim në zgjedhjet e radhës, por, më parë duhen testuar.
“Ne kemi sugjeruar në vijimësi që të bëhet një testim në një numër të kufizuar zonash, gjatë zgjedhjeve vendore të vitit 2019. Votimi elektronik mund të pakësojnë disa rreziqe për zgjedhjet, por krijon rreziqe të reja, për shembull rrezikun e hakerave, nëse bëhet online. I takon Shqipërisë të vendosë nëse kostoja e këtij lloj votimi është e justifikueshme. Nga pikëpamja jonë, ne kemi inkurajuar përdorimin e numërimit elektronik, i cili nuk kushton shumë dhe do të kontribuonte për depolitizimin e administratës zgjedhore”, tha ai.
Sa i përket çështjes së votimit të shtetasve shqiptarë jashtë vendit, Borchardt tha se, sfida është e madhe për të gjetur balancën ndërmjet sigurimit të të drejtës së votës për shtetasit që jetojnë jashtë Shqipërisë dhe garantimit të paprekshmërisë dhe sigurisë së votës.
Borchardt përsëriti gatishmërinë e Prezencës së OSBE-së për të mbështetur reformën zgjedhore, së bashku me ODIHR-in dhe organizata të tjera ndërkombëtare.

Exit mobile version