Vazhdojnë debatet e ashpra për çështjen e helmimit të ish-spiunit rus

Sergei Skripal speaks to his lawyer from behind bars seen on a screen of a monitor outside a courtroom in Moscow on Wednesday, Aug. 9, 2006. Skripal a retired Russian colonel recruited by British intelligence in the mid-1990s was sentenced Wednesday by a military court in Moscow to 13 years imprisonment for spying, officials said. (AP Photo/Misha Japaridze)

Ministri i Jashtëm britanik, Boris Johnson i tha homologëve të tij të BE-së gjatë një takimi të hënën, se mohimi nga ana e Rusisë i përfshirjes në helmimin në Britani të ish-spiunit rus, është një “strategji klasike ruse për t’u përpjekur të fshehë gjilpërën e së vërtetës në kashtën e gënjeshtrave”. Johnson tha se, mohimi i vazhdueshëm nga Rusia i pjesëmarrjes së saj në helmimin me agjent nervor të ish-spiunit rus Sergei Skripal dhe vajzës së tij 33-vjeçare, Yulia, po “bëhet përherë e më absurd”. Johnson shtoi se, “ekspertët teknikë” nga Organizata për Ndalimin e Armëve Kimike, të hënën ndodhen në Britani, për të marrë kampionë të helmit.
Ndërsa mosmarrëveshja mes Britanisë dhe Rusisë vazhdon të shtohet lidhur me helmimin e Skripalëve, Kremlini njoftoi dëbimin e 23 diplomatëve britanikë dhe Ministria e Jashtme ruse doli me një tjetër teori lidhur me origjinën e helmit të përdorur. Ministria e Jashtme ruse përmendi ketër vende europiane, si burimin më të mundshëm për agjentin nervor Noviçok, për të cilin zyrtarët britanikë thonë se është përdorur. Në krye të listës është vetë Britania; shtetet e tjera janë Sllovakia, Republika Çeke dhe Suedia. Në një intervistë me televizionin shtetëror rus në prag të zgjedhjeve të së dielës, zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova, sugjeroi se të treja këto shtete, krahas me Britaninë, “kanë kryer studime intensive” për agjentin Novichok, por ajo nuk dha fakte që mbështesin deklaratën e saj.
Ministrja e Jashtme suedeze, Margot Wallstrom, tha të hënën se sugjerimi nga Rusia që Suedia ka rezerva të agjentit Novichok “është qesharake dhe plotësisht pa baza”. Ajo tha:
“Unë mendoj se ata po përpiqen të bëjnë një lloj shmangieje nga çështja e vërtetë”.
Ministri i Jashtëm gjerman Heilo Mass, tha se: “Të gjitha informacionet që kemi lënë të kuptohet se nuk ka një shpjegim alternativ të besueshëm nga ana e rusëve për ta ndarë përgjegjësinë”.

Ministri i jashtëm çek, Martin Stropnicky e hodhi poshtë vlerësimin e zëdhënëses Zakharova, duke thënë se “Ne i hedhim poshtë këto deklarata pa bazë lidhur me origjinën e agjentit Novichok”. Me tensionimin e mëtejshëm shkëmbimeve mes Britanisë dhe Rusisë lidhur me agjentin nervor që shkaktoi helmimin e Skripalit dhe vajzës së tij, të cilët u gjetën pa ndjenja më 4 mars, kryeministres britanike Theresa May po i kërkohet nga ligjvënësit dhe analistët britanikë, që të mos hezitojë në ngrirjen e pasurive të plutokratëve rusë në Britani, me lidhje me udhëheqësin rus Vladimir Putin. Mes pronave që duhen vënë në objektiv, thonë ligjvënësit, të shtyrë nga dëshira për një përgjigje të menjëhershme ndaj dëbimit të diplomatëve britanikë, janë pronat e kompanive të regjistruara në emër të zëvendëskryeministrit të parë rus, Igor Shuvalov dhe shtëpia në Londër, me vlerën e 150 milionë dollarëve e oligarkut Roman Abramovich, i cili është edhe pronari i klubit Chelsea të futbollit. Njoftimi nga Kremlini të shtunën për dëbimin e diplomatëve britanikë, pritej si një masë reciprociteti ndaj dëbimit nga Britania të diplomatëve rusë. Javën e kaluar, kryeministrja britanike bëri të njohura një numër masash, si përgjigje të asaj që Britania e cilësoi “një përpjekje me miratimin e Kremlinit për vrasjen e Skripalëve”, një agjent i dyfishtë, për të cilin Putin ishte zotuar publikisht se do ta vriste. Zyrtarët britanikë thonë se, Skripali dhe e bija mbeten në gjendje kritike. Një polic që ishte mes personave të parë që u përpoqën t’i ndihmonte ata, vazhdon të jetë në spital, por ai është në gjendje të qëndrueshme.
Toksikologët britanikë thonë se, në përpjekjen për vrasje është përdorur agjenti nervor Noviçok.

BE kërkon forcimin e kapaciteteve përballë rreziqeve kimi
Udhëheqësit e vendeve të Bashkimit Evropian do të kërkojnë nga shefja e politikës së jashtme, Federica Mogherini, të shikojë mënyrat për të përmirësuar strategjinë e komunikimit të BE-së dhe mbrojtjen nga sulmet kibernetike. Ky zhvillim vjen pas sulmit me agjent nervor kundër ish-spiunit rus, Sergei Skripal, dhe vajzës së tij Yulia, që ka ndodhur më 4 mars në Sallsbëri të Anglisë. Liderët e BE-së pajtohen se, “Bashkimi Evropian duhet të forcojë kapacitetet përballë rreziqeve kimike, biologjike, radiologjike dhe bërthamore, përfshirë bashkëpunimin midis vendeve anëtare dhe aleatëve të NATO-s”, thuhet në draft-konkluzionet që ka parë Radio Evropa e Lirë përpara samitit të BE-së që do të zhvillohet në Bruksel më 22-23 mars. Edhe pse këto draft-konkluzione nuk e fajësojnë drejtpërdrejt Moskën për sulmin kundër Skripalit dhe vajzës së tij, aty thuhet se BE “i merr shumë seriozisht vlerësimet e Qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar se Federata Ruse, sipas të gjitha gjasave është përgjegjëse”.