Trump kërkon një njeri të besuar të tij si zëvendësues të Lu në Tiranë

Trump ka nisur konsultimet për emrin që do të zëvendësojë ambasadorin Lu në Tiranë. Emri i parë është ai i një njeriu të besuar të Presidentit amerikan. Një shqiptaro-amerikan, i arratisur gjatë viteve të komunizmit nga Shqipëria, thotë se iu  propozua nga administrata e Trump të rikthehej si ambasador i Shteteve të Bashkuara. Bëhet fjalë për kandidatin republikan për guvernator i Konektikatit, Peter Lumaj. Të hënën Lumaj bëri publik propozimin që iu bë për të pasuar Donald Lu në detyrë. “M’u ofrua një punë si ambasadori i ardhshëm i Shqipërisë për të përfaqësuar Shtetet e Bashkuara”, tha Lumaj në një aktivitet të republikanëve. “E refuzova sepse mendoj se mund të shërbej shumë më mirë këtu sesa jashtë” e citojnë mediat lokale.
Lumaj nuk tha se kur iu bë oferta nga administrata Trump dhe po ashtu refuzoi t’i përgjigjej gazetarëve për detaje të tjera. Peter Lumaj mbërriti në Shtetet e Bashkuara rreth 30 vite më parë dhe e nisi punën e tij si pastrues në Burger King. Pasi mësoi anglisht, nisi kolegjin në Shtetet e Bashkuara për t’u punësuar më pas si jurist në administratën e prokurorit Xhuliani. Sot ai ka një biznes në Konektikat dhe garon si guvernator i Konektikat. Mandati i Donald Lu mbaroi në fund të vitit të kaluar, por ambasadori aktual e shtyu edhe për 6 muaj.