Trefishohet shkarkimi i ujit nga HEC-et, Shkodra kthehet në det

Situata nga përmbytjet në Shkodër sa vjen e bëhet më dramatike. Pas problemeve në zonat rurale, prej ditës së djeshme uji ka ‘pushtuar’ edhe qytetin për shkak të trefishimit të derdhjes nga HEC-et. Për këtë shkak, në lagjen “Ajasëm” mund të lëvizet vetëm me varka, pasi rritja e prurjeve nga derdhja e HEC-ve dhe nga reshjet e shiut ka bërë që uji të futet në qytet dhe të paralizojë lëvizjen normale.
Në rrugë mund të qarkullohet vetëm me varka, ndërsa shumë banesa janë të rrethuara nga uji. Në zonat rurale, situata vijon që të jetë e njëjta, prej 19 ditësh në Obot dhe fshatra të tjerë të Njësisë Ana e Malit, por edhe zona të tjera janë mbi 3 mijë hektarë tokë të përmbytura dhe 100 banesa të rrethuara nga uji. Në disa zona është e pranishme edhe ushtria, ndërsa Bashkia Shkodër vijon që të kërkojë shpalljen e emergjencës.
Në Njësinë Administrative të Dajçit, niveli i ujit ka pësuar rritje dhe ka sërish tendencë rritjeje. Në total banesat që janë të bllokuara nga uji janë mbi 194.
Kërkohet të ndërhyhet për lartësimin e argjinaturës së Pentarit, pasi niveli është 20 cm pa dalë nga argjinatura. Në Obot kalohet vetëm me varka. Në këtë fshat janë rreth 150 shtëpi të rrethuara nga uji nga ku në 12 prej tyre ka hyrë uji.

Shkarkimet nga HEC-et, Bashkia kërkon hetime
Sipërfaqja e përmbytjeve në territorin e Bashkisë së Shkodrës është dyfishuar si pasojë e shkarkimit të HEC-ve. Bashkia e Shkodrës ka kërkuar nisjen e hetimeve ndaj drejtuesve të KESH. Kryetarja e Bashkisë së Shkodrës i ka bërë disa herë thirrje drejtuesve të KESH që të sillen në mënyrë të përgjegjshme dhe të kuptojnë se shkarkimet e bëra kanë shkaktuar përmbytje të mëdha. Edhe kryeplaku i zonës Ana e Malit i ka bërë thirrje KESH-it që të vijë në terren për të parë se uji po del nga turbinat dhe jo nga qielli.
Informacionet e orës 14:00 bëjnë të ditur për 4215 ha sipërfaqe tokë e përmbytur, gati dyfishi i sipërfaqes së përmbytur më parë. Ndërkohë uji po përparon drejt qytetit.
Në zonën e Livadheve janë të përmbytura 110 ha. Pas inspektimeve më të fundit rezulton se, në rrugën “Et‘hem Kazazi” ka prezencë uji dhe në një segment rruge ka vështirësi kalimi. Në këtë rrugë ndodhen mbi 40 shtëpi me prezencë uji afër oborreve të tyre dhe nga këto 4 familje mbajnë bagëti, ku si pasojë e fushave të përmbytura paraqiten vështirësi në sigurimin e ushqimit për to. Këto familje furnizohen me ujë të pijshëm nëpërmjet puseve dhe ky paraqitet si problem. Nevojiten çizme të gjata për 10 familje.
Në lagjen Ajasëm janë rreth 3 ha tokë e mbuluar nga uji. Në 13 banesa ka prezencë uji. Emergjente paraqitet baza ushqimore për bagëtitë për 5 familje, rreth 100 krerë bagëti.

Kryebashkiakia Ademi: Rama ka alergji nga Veriu i vendit
Kryetarja e Bashkisë së Shkodrës, Voltana Ademi ka akuzuar direkt Ramën si një njeri që po demonstron urrejtje ndaj Veriut duke mos pranuar të shpallë gjendjen e jashtëzakonshme në zonat e përmbytura në Shkodër.
Ademi, ka ripërsëritur kërkesën për të shpallur gjendjen e emergjencës në Qarkun e Shkodrës, pasi situata e përmbytjeve është kritike. “Në vlerësimin tonë është më shumë se kritike. Nivelet e ujit janë rritur shumë dhe kërkesa jonë e ripërsëritur sot vijon të jetë e njëjtë, të shpallet emergjenca civile tashmë në një territor më të madh, pavarësisht se është i pjesshëm.
Problemet më të mëdhaja rriten edhe për administrimin e emergjencës. Ne duam të mobilizojmë komunitetet, kjo do të thotë edhe mbështetje financiare për t’i mundësuar atyre transportimin e gjësë së gjallë”, u shpreh Ademi.
Ademi kërkoi mbështetje financiare për komunitetin, ndërsa theksoi se nuk ka asnjë përgjigje zyrtare nga qeveria.
“Edhe lëvizjet që ndodhin nga shteti kërkojnë mbështetje financiare, prandaj kërkoj një mobilizim nga të gjitha ministritë e linjës, për të vlerësuar situatën dhe për të mobilizuar edhe fondet”, tha Ademi.

Nuk kemi një përgjigje zyrtare për të vlerësuar situatën që ka kaluar emergjencën vendore dhe rajonale. Harta e përmbytjeve është edhe në territorin e Bashkisë së Vaut të Dejës.
Kryetarja e Baashkisë tha se, janë mbi 4215 ha tokë të përmbytur dhe dhjetëra shtëpi të rrethuara nga uji. Situatë e rëndë nga përmbytjet në Dajç. Janë mbi 1415 ha tokë e përmbytur në Njësinë Administrative të Dajçit: Fshati Mushan 330 ha, fshati Shirq 310 ha, fshati Suka-Dajç 140 ha, fshati Dajç 220 ha, fshati Darragjat 140 ha, fshati Samrisht i Ri 120 ha, fshati Samrisht i Vjetër 50 ha, fshati Pentar 20 ha, fshati Belaj 50 ha, fshati Rrushkull 35 ha.
Kalimi bëhet i mundur me mjete të larta të ushtrisë në rrugën kryesore. Rruga Shirq-Darragjat kalohet me varka. Rruga Belaj-Pentar dhe rruga Bishti i Qarrit janë të bllokuara. Niveli i ujit ka pësuar rritje sipas hidrometrit dhe ka tendencë rritjeje.

Në total banesat që janë të bllokuara nga uji janë mbi 194 të ndarë sipas fshatrave: 42 në fshatin Shirq, 19 në Mushan, në fshatin Belaj 20, në fshatin Darragjat 15, në fshatin Samrisht të Vjetër 80, në fshatin Suka 11 banesa nga ku lagjia Mazija totalisht e izoluar me 8 banesa, në fshatin Samrisht i Ri 6 banesa, në fshatin Dajç 1 shtëpi totalisht e izoluar. Janë 26 shtëpi të rrezikuara.
Në Njësinë Administrative Ana e Malit, Ujësjellsi Oblika1 dhe 2 si pasojë e përmbytjeve, janë jashtë funksionit. Në Njësinë Administrative Rrethina janë të përmbytura 70 ha tokë e ndarë sipas fshatrave si më poshtë. Në fshatin Zues janë të përmbytura 70 ha tokë, nga të cilat 10 ha ndodhen poshtë fshatit Zues dhe 60 ha tokë e këtij fshati në fushën e Oblikës. Në Njësinë Administrative Gur i Zi konstatohet fenomeni i erozionit në tokat bujqësore. Vazhdon gërryerja e tokës në fshatin Juban, në afërsi të Malit të Vukatanës. Janë të përmbytur rreth 10 ha tokë në fshatin Kuç. Në Velipojë, situata është përkeqësuar dhe kemi arritur në vlerësimin mbi 260 ha tokë e përmbytur.

Edhe Prençi kërkon shpalljen e emergjencs civile
Drejtori i Emergjencave Civile, Shemsi Prençi, kërkon nga mbledhja e Shtabit të Emergjencave të Shkodrës të shpallet emergjenca e pjesshme civile. Prençi ka kërkuar edhe hetim të thelluar në lidhje me rrugën e re të Velipojës.
“Situata është e rëndë në Anë të Malit dhe Dajç, situata ka ndryshuar nuk jemi si disa ditë më parë. Kërkoj që në këtë tryeze të thirret prokurori i Shkodrës dhe të nisë një hetim i thelluar. Investimi në rrugën e re të Velipojes është skandaloz. Të thirret në këtë tryezë edhe Benet Beci. Ajo rrugë po gropos punën tonë. Puna që po bëhet në atë rrugë po zgjeron hartën e përmbytjes”, u shpreh Prençi.