Shqiptarët e pashpresë, kërkesa për azil edhe në Greqi

Duke iu referuar statistikave të botuara së fundmi nga Ministria greke e Emigracionit, gjatë vitit 2017 ka patur një rritje të ndjeshme të kërkesave për azil nga shtetasit shqiptarë. “Zëri i Amerikës” shkruan se të dhënat zyrtare tregojnë se në vitin 2017 kërkuan azil në Greqi 2450 qytetarë shqiptarë, një shifër kjo mjaft e lartë po të krahasohet me vitin 2013, kur ishin vetëm 419 kërkesa të tilla. Duhet të themi që në shtetin grek përsa i përket azilit, shqiptarët renditen pas sirianëve, pakistanezëve, afganëve dhe irakianëve. Por nga 2450 kërkesa, vetëm 1504 i kaluan procedurat e para të përzgjedhjes, sipas legjislacionit grek për azilin, ndërkohë që pjesës tjetër u është refuzuar kjo kërkesë. Sipas të dhënave zyrtare nga Greqia, për periudhën 2013–2018, vetëm 8 shtetasve shqiptarë u është miratuar kërkesa për azil. Sipas ministrisë greke në vendet e Europës se shqiptarët kërkojnë azil përfshihet edhe Greqia, me kërkesa të larta.

Fluksi i lartë i azilkërkuesve mund të mos ketë bërë që shqiptarëve t’u anulohet lëvizja e lirë në hapësirën Schengen, por padyshim që ka dhënë efekte negative. Gjatë vitit që lamë pas, u është mohuar hyrja e mbi 32 mijë shqiptarëve. Të dhënat janë të pasqyruara në raportin e “Frontex” mbi analizën e riskut për vitin 2018. Shqiptarët janë kombësia e tretë më e përjashtuar nga Europa, pas ukrainasve me 37 mijë hyrje të mohuara dhe rusëve me 36 mijë hyrje të mohuara. Arsyeja kryesore është ashpërsimi i politikave të Greqisë për kalimin e kufirit. Ndonëse kontrollet e rrepta të dokumentacionit për shqiptarët kanë nisur që në vitin 2014, vitin e shkuar Greqia e dyfishoi numrin e refuzimeve. Pavarësisht se shqiptarët janë një ndër grupet kryesore të kombësive që tentojnë të kalojnë me dokumente të falsifikuara, kjo nuk ka qenë baza për refuzimet: Ndër 32 mijë raste, gati 11 mijë shqiptarë janë refuzuar për shkak se nuk kanë dokumentacionin përkatës që justifikon qëllimin dhe kushtet e vizitës.