Shqipëria e Fan Nolit dhe oligarkët e naftës

Shqipëria e viteve 1924 dhe 1925 sipas gazetave të Mbretërisë SKS” është dosieri që botohet ekskluzivisht në KDP. Janë pjesë nga libri i pabotuar i Salajdin Salihut, profesorit universitar dhe publicistit, që mban titullin “Kohë kryengritjesh”.

Mosmarrëveshje për shkak të delegacionit shqiptar në Gjenevë
(Slovenec, 2 shtator 1924, f.2)
Beograd, 1 shtator – Delegacioni shqiptar, që udhëhiqet nga Fan Noli, ka hasur shumë vështirësi në Gjenevë, sepse Ahmet beu ua ka marrë të drejtën e përfaqësimit njerëzve që e kanë marrë pushtetin me forcë. Në Gjenevë pritet që Ahmet beu të dërgojë delegacionin e tij. Delegacioni ynë do t’i përkrahë përfaqësuesit e Ahmet beut.
(Për të njëjtën ngjarje, në mënyrë identike, raporton edhe gazeta “Strazha” e 3 shtatorit të vitit 1924, në faqen e parë.)

Çështja e Shën Naumit
(Vreme, 3 shtator 1924, f.1)
Gjenevë, 2 shtator – Sekretariati i Përgjithshëm i Lidhjes së Kombeve, sot e ka pranuar një telegram nga Haga, ku thuhet se Gjykata Ndërkombëtare e Hagës ka dhënë mendim këshillues rreth çështjes së Shën Naumit. Të enjten pas dite, Gjykata e Hagës do ta shpreh mendimin e vet dhe më pas Lidhja e Kombeve do ta pranojë dokumentin, i cili tashmë është dërguar në Gjenevë, sepse Gjykata e Hagës sot e ka sjellë vendimin. Sipas informacioneve private, Gjykata e Hagës konsideron se Konferenca e Ambasadorëve e kryen misionin në përputhje me besimin e dhënë nga Lidhja e Kombeve, kështu që çdo revizion është i pamundur. Megjithatë këto janë informacione të pavërtetuara. (Josimoviq).

Qëllimet e qeverisë shqiptare
(Vreme, 6 shtator 1924, f.1)
Londër, 4 shtator – “Time” sjell intervistën e një korrespondenti nga Tirana me kryeministrin shqiptar Fan Nolin, i cili ka deklaruar se detyrë kryesore e tij është: të çarmatosë popullatën, të zbatojë reformën agrare dhe të marrë një kredi nëpërmjet Lidhjes së Kombeve. Çështja e çarmatosjes do të jetë detyrë e vështirë, sepse shqiptarët përherë kanë qenë të armatosur në dhjetëvjeçarin e fundit, kurse si natyrë janë shumë luftëtarë. Për ta realizuar reformën agrare, qeveria shqiptare duhet të ndajë pronat e mëdha të bejlerëve për fshatarët. Në zbatimin e reformës agrare vështirësia më e madhe do të jetë financimi i atyre që duan ta punojnë tokën. Shqipërisë ende i duhen ujëra, organizim sanitar, mjete transporti dhe para. Këto nevoja janë të vështira për t’u plotësuar pa një ndihmë të jashtme financiare. Për këtë shkak, qeveria synon që të kërkojë kredi nga Lidhja e Kombeve në vlerë prej 100 milionë franga ari, ngjashëm sikurse iu dha Austrisë dhe Hungarisë. Qeveria mund të japë garancitë e duhura, sepse të ardhurat e paangazhuara shtetërore janë rreth 16 milionë fr. ari. Përveç kësaj ekzistojnë edhe koncesionet e petroleumit. Kompani të ndryshme petroleumi nga jashtë kanë filluar që të reflektojnë. Kështu, për shembull, kompania anglo – perse ka arritur me qeverinë e kaluar marrëveshje që tani pret të ratifikohet nga Parlamenti. Në pyetjen e korrespondentit a dëshiron Shqipëria monarkinë, Noli u përgjigj: “Shqipëria do të mbetet republikë dhe ajo nuk ka aspirata për monarki”.

Kredi shqiptare në Itali
(Vreme, 9 shtator 1924, f.3)
Njoftohet se Fan Noli kishte arritur që të nënshkruante një borxh në Romë me vlerë prej 25 milionë fr. ari. Borxhi ishte dhënë nga një financues italian, me garanci të qeverisë. Shumica do të paguhej në naturë. Detajet e tjera nuk bëhen të ditura.

Çështja e petroleumit shqiptar
(Vreme, 9 shtator 1924, f.1)
Londër, 8 shtator – Kryetari i Qeverisë shqiptare i kishte folur korrespondentit të “Time” mbi koncesionet e petroleumit dhe ia kishte bërë të ditur se në Shqipëri po bënin hulumtime “Standard Oil Company”, Shoqëria “Sinkler”, Shoqëria anglezo – perse, dy kompani franceze dhe një italiane. Ai ka thënë se, qeverisë paraprake i ishin ofruar shumë para nga një kompani amerikane, por nuk kishin pranuar. Kompania anglezo – perse kishte arritur marrëveshje me qeverinë e kaluar, e cila duhej të ratifikohej, por ky ratifikim ishte ndërprerë për shkak të revolucionit. Kjo marrëveshje, me siguri do të shqyrtohej nga Kuvendi i ri.

Diskutime të rëndësishme në Lidhjen e Kombeve
(Vreme, 11 shtator 1924, f.1)
Në këtë numër të gazetës përmendet diskutimi i Nolit në Ligën e Kombeve në Gjenevë, me nëntitullin “Shqiptari Fan Noli shkakton të qeshura” “Diskutimi i delegatit shqiptar, Fan Nolit, shkaktoi humor te delegatët. Fan Noli foli eks katedra, duke ngritur duart dhe duke thirrur Zotin në ndihmë. Skena ishte aq e pazakonshme sa askush nuk ndejti pa qeshur gjatë ligjëratës së tij. Fan Noli nuk e hoqi rastin që të protestonte ashpër shkaku se Lidhja e Kombeve nuk i ndau Shqipërisë një kredi prej 100 milionë franka ari. Ai deklaroi se gjithë çështja e arbitrazhit do të jetë një germë e vdekur mbi letër nëse nuk kalon nëpër një numër të pafundëm komisionesh e nënkomisionesh, e më pas të përfundojë në arkivin e Lidhjes së Kombeve. Fan Noli, gjithashtu, nuk beson as në zbatimin e planit të Dovesovit, që e quan fluskë sapuni, e në fund flitet edhe për moral për nevojën e çarmatosjes”.

Kuvendi i Lidhjes së Kombeve
(Vreme, 11 shtator 1924, f.3)
Gazeta informon për punimet e Kuvendit të Lidhjes së Kombeve dhe shkruan edhe për prezantimin e Fan Nolit.
“Delegati shqiptar, Fan Noli, e kritikoi punën e Lidhjes së Kombeve, por deklaroi se ajo megjithatë është e nevojshme për ruajtjen e paqes. Ai shprehu keqardhje që Shqipërisë nuk ju dha kredia prej 100 milionë fr. ari”.

Çështja shqiptare
(Slovenec, 12 shtator 1924, f.2)
Gjenevë, 11 shtator – “Shqipëria si kurrë më parë nuk i ka dhënë kaq shumë rëndësi Lidhjes së Kombeve, aq sa meriton ky institucion botëror. Ajo ka në Lidhjen e Kombeve të dërguarin e saj të përhershëm”. Përfaqësuesi shqiptar, sikurse shkruan gazeta, është Blinishti, i cili e informon Lidhjen e Kombeve për gjithçka që ndodh në Shqipëri. “Slovenec” e transmeton edhe intervistën e Nolit, e cila qe botuar edhe në gazeta të tjera, të cilën do ta botojmë në javën e ardhshme, me titullin “Një orë me Musolinin shqiptar”.

Disfatë e reaksionit në Shqipëri
(Slovenec, 13 shtator 1924, f.2)
Sipas gazetës në Shqipëri po përparon elementi demokratik kundër qeverisë reaksionare, e cila “donte të vendoste një diktaturë, sikurse e dëshironte tek ne Pribiçeviqi”. Gazeta shkruan se, “në krye të opozitës qëndron prifti katolik (!) Fan Noli, që së bashku me klerin katolik synon demokratizimin dhe një politikë sociale kundrejt feudalizmit shqiptar”. “Kleri katolik gjatë sundimit turk ka luftuar për një pavarësi politike dhe emancipim ekonomik të shqiptarëve”. Sipas gazetës shteti republikan assesi nuk e solli lirinë, sepse qeveria kaloi në duart e oligarkisë dhe të familjeve të caktuara. “Qeveria e zgjedhur nga Kuvendi ishte vetëm një këshill i familjarëve”. Kjo qeveri, shkruan gazeta, e pasuroi një oligarki me paratë e shtetit, ishte shumë e korruptuar dhe organizoi turmat që të frikësonte njerëzit. Sipas gazetës “fashistët kishin vrarë në Tiranë edhe deputetin Avni Rustemi”, e ky akt e kishte shtyrë ushtrinë e rregullt që të rebelohej kundër diktaturës. Ideja e Fan Nolit ishte çarmatosja e turmave, vendosja e demokracisë dhe reforma agrare, me qëllim që vendi të çlirohej nga feudalizmi. Për sa i përket politikës së jashtme, sipas gazetës, qeveria e re e synon paqen dhe raportet e mira me të gjithë fqinjët.