Sfida e Barçës së pamposhtur

“Unë jam zotëria i fatit tim, unë jam kapiteni i shpirtit tim”. Kështu përfundon poezia, që frymëzoi Nelson Mandela gjatë qëndrimit të tij në burg. Këto vargje frymëzuan edhe Afrikën e Jugut në regbi, që të kurorëzohej kampione bote në vitin 1995. Sot, kjo moto përshkon më së miri edhe linjën, nëpër të cilën po lëviz Barcelona e Valverde, liderit pompoz dhe të pamposhtur në La Liga, në këtë edicion. Katalanasit shkojnë nga fitorja në fitore, duke ndërfutur edhe ndonjë barazim dhe sfida mbetet në fuqi: të fitojnë titullin kampion në Spanjë pa humbur asnjë ndeshje të vetme. Të tjerë e bënë këtë gjë më parë: Athletic në vitet ‘20 dhe Real Madrid në fillim të viteve ‘30. Të dy e ngritën titullin kampion pa asnjë humbje. Ky sensacion po e pret Barçën pas nëntë ndeshjeve të mbetura në La Liga. Sfida është e vështirë, shumë, por po aq e bukur. Me Atletico Madrid në pasqyrën e pasme, të besuarit e Valverde nuk mund të relaksohen. Megjithatë, ky pikësynim i veçantë mund të luajë në favor të tyre, për ta arritur këtë “stacion” të lakmueshëm nga kushdo.

Të tjerë e shijuan këtë sukses. Në Europë, Celtic ishte i fundit, për ta fituar titullin pa asnjë humbje. Ekipi skocez e ngriti trofeun sezonin e kaluar me një bagazh prej 34 fitoresh dhe 4 barazimesh. Më shumë merita, për faktin e thjeshtë se është një kampionat më konkurrues, ka Juventusi i drejtuar nga Antonio Conte, i cili nënshkroi arritjen historike në sezonin 2011-2012, me 23 fitore dhe 13 barazime. Ishte lamtumira e Del Pieros, me “Scudetto” nën krahun e tij. Milani i Capellos në fillim të viteve ’90 dhe ekipet e tjera argjentinase, si Boca Juniors në dy raste, River Plate, San Lorenzo de Almagro, Racing de Avellaneda, ose Ferrocarril Oeste, e përfunduan gjithashtu një ecuri pa humbje drejt titullit. Sidoqoftë, në mendjet e të gjithëve shfaqet gjithmonë në këtë rekord Arsenali i pamposhtur. Ekipi i Arsene Wenger, në sezonin 2003-2004, ngriti titullin e Premier League me 26 fitore dhe 12 barazime. Vieira, Ljungberg, Pires, Bergkamp, Henry dhe të tjerë arritën diçka historike, që Barça e Valverdes është në rrugën e duhur për ta përmirësuar. Me 23 fitore dhe 6 barazime, skuadra katalanase, për të ruajtur këtë trajektore, do të përmirësonte numrin e “Topçinjve”. Në Angli, i pari që e ka arritur këtë ishte Preston North End, në parahistorinë e futbollit, në sezonin 1888-1889. Me nëntë javë kampionati të mbetura në La Liga, një sfidë e bukur mbetet përpara. Barça është mjeshtre e fatit të saj; Messi, kapiten i shpirtit të tij. Të pamposhtur, derisa dikush të provojë ndryshe.