Rama i ndërsen Prokurorinë, reagon gjyqtari Ymeraj: Që kur Rama bën kontrollin e gjyqtarëve, çdo gjë është e qartë

Një hakmarrje ndaj votimit kundër të neneve të ligjit të vettingut? Komisioni i Pavarur i Kualifikimit njofton se ka referuar pranë Zyrës së Prokurores së Përgjithshme të gjithë dokumentacionin që rezultoi nga hetimi administrativ, gjatë procesit të rivlerësimit të ish-gjyqtarit të Gjykatës Kushtetuese, Besnik Imeraj.
Besnik Imeraj, që i përfundonte mandati në vitin 2022, u dorëhoq në vitin e pestë të mandatit të tij si anëtar i Gjykatës Kushtetuese. Motivet e kësaj dorëheqjeje argumentohen për shkaqe personale dhe shëndetësore.
Gjyqtari kushtetues, Imeraj, së bashku me gjyqtarin Gani Dizdari ishin dy gjyqtarët kushtetues që gjatë shqyrtimit të ligjit të Vettingut votuan kundër me argumentin se gjatë këtij procesi kishte ndërhyrje të ekzekutivit.
Më herët, Gjyqtari Imeraj ka qenë pjesë në trupat gjyqësore ku janë shqyrtuar dosje të bujshme si “Gërdeci”, dosja “Meta” apo ajo e rrugës Durrës-Kukës-Morinë.

Dorëheqja e Imerajt ishte para se Komisioni i Pavarur i Kualifikimit të niste procesin Vettingut.
Imeraj tha se ky kallëzim është i pabazuar në ligj dhe kushtetutë dhe ka motive politike.
“Kjo që po ndodh nuk ka asnjë bazë kushtetuese dhe ligjore. Që kur Edi Rama dhe qeveria bëjnë kontrollin e gjyqtarëve, çdo gjë është e qartë. Unë jam në rregull dhe nuk kam asnjë problem me ligjin dhe Kushtetutën. Kjo e gjitha është e motivuar politikisht”, u shpreh Besnik Imeraj.
Anëtari i Gjykatës Kushtetuese, Besnik Imeraj dha dorëheqjen me 31 janar duke e argumentuar motivin me arsye personale. Imeraj u dekretua si anëtar i Gjykatës Kushtetuese nga presidenti i asaj kohe Bujar Nishani me dekret Nr. Dekretit 8066, datë 22 Mars 2013.