“Fundi i Shengenit”, deklaratat shokuese të ministrit gjerman

Fund i Shengenit? Horst Seehofer, ministri i ri i Punëve të Brendshme në Gjermani me idetë ka nxitur debate. Ai kërkon tani kontrolle të vazhdueshme kufitare për sa kohë kufijtë e jashtëm të BE janë të pasigurtë. Ministri i ri i Brendshëm dhe i Atdheut, Horst Seehofer (CSU) ka gati një javë që sapo ka marrë detyrën, por brenda kësaj jave, ai me sa duket do të marrë për vete debatin publik në Gjermani. Dhe me sa duket ia ka dalë. Pas një interviste që ndezi debatin për islamin në Gjermani, ai shton tani edhe një ide tjetër në një intervistë tjetër për “Welt am Sonntag”. “Kontrollet e brendshme kufitare duhet të vazhdojnë për aq kohë, sa BE nuk arrin të mbrojë e kontrollojë me efektivitet kufijtë e jashtëm të saj”. Sipas Seehofer “nuk shoh për një kohë të caktuar, që ajo do t’ia dalë kësaj”.

Pa Shengen pa Europë
Me sulmin kundër lirisë së udhëtimit në Europë, Seehofer tregon se ka nuhatje të mirë për momentin. Debati për refugjatët i filluar që në vitin 2015, sulmet terroriste të Parisit, Brukselit, Berlinit kanë dhënë efektin e tyre-pra që sot kemi vetëm një “hapësirë Shengen të formës së lehtë”. Duke iu referuar terrorit Suedia, Danimarka, Austria e Gjermania justifikuan rivendosjen e kontrolleve kufitare. Komisioni i BE e miratoi, por me shtojcën që ato të mos marrin karakter të përhershëm. Nga viti 1995 marrëveshja e Shengenit garanton lirinë e lëvizjes mes 26 vendeve, mes tyre 22 vende të BE dhe jo anëtarëve si Norvegjia, Zvicra, Islanda, Lichtenshtajni. Heqja e kufijve të brendshëm duhej të zëvendësohej nga kontrolli i rreptë i kufijve të jashtëm. Komisioneri i BE për punët e brendshme, Dimitri Avrampopulos nuk u lodh së përsërituri se “nëse vdes Shengen, vdes Europa”. Bullgaria që mban presidencën e radhës kërkon që nga maji të reduktohen kontrollet e përkohshme kufitare. Ministrja e Jashtme bullgare, Ekaterina Zaharieva u shpreh se kufijtë e zonës Shengen duhet të jenë të hapur, që ekonomia të mos dëmtohet.

Zgjedhjet në Bavari dhe idetë e Seehoferit
Për Seehofer kjo nuk ka shumë rëndësi. Ai madje foli për median gjermane për zgjerim të ndjeshëm të kontrolleve kufitare. Nëse Seehofer del e kërkon i vetëm zgjerimin e kontrolleve kufitare Komisioni Europian mund të reagojë, duke e parë veprimin gjerman si shkelje të marrëveshjes. Një rirregullim i marrëveshjes kërkon miratimin e të gjithave vendeve anëtare. Por Seehofer rrezikon grindje jo vetëm me BE, por edhe brenda koalicionit me CDU e SPD. Marrëveshja e koalicionit e nënshkruar edhe nga Seehofer përmban edhe fjalinë: “Ne jemi të një ujdie lidhur me refuzimin ndaj proteksionizmit, izolacionizmit dhe nacionalizmit. Kemi nevojë për më shumë e jo më pak bashkëpunim në botë”. Shumë vetë në rrjetet sociale shprehen se Horst Seehofer ndjek me debatin për kontrollet kufitare qëllime të tjera. Duke pasur parasysh zgjedhjet e landit në Bavari, ai mund të dëshirojë të nxjerrë në pararojë CSU-n si forca nxitëse e sigurisë dhe ruajtjes së kufijve. Nga kampi i majtë ai duhet të dëgjojë kritika, se ai synon të rifitojë votuesit konservatorë që kanë shkuar tek partia populiste e djathtë, AfD.

Tone të rrezikshme
Toni i Seehoferit nuk është vetëm i rrezikshëm. Këtë dëshmon jo vetëm debati i nxehtë që ky njeri nga Bavaria – sërish – shkakton. Përderisa njëra anë i hedh poshtë kërkesat e tij, të tjerët duartrokasin fuqishëm: “Më në fund dikush e thotë atë që mendojmë ne”.
Një njeri i matur me siguri që nuk do të nxiste këtë konflikt me fjali të këtilla. Pikërisht për faktin se është i ri në këtë post dhe ka shansin që të afrohet me pasigurinë dhe ndjenjën e kërcënimit tek shumë gjermanë. Katër milionë myslimanë jetojnë në Gjermani. Ky është fakt. Dhe kush beson se besimi i tyre nuk na takon edhe neve, ndihmon në fund të fundit forcat ekstremiste.

Çfarë feje islame i takon Gjermanisë?
Pse Seehoferi nuk pyet thjeshtë: çfarë feje islame i takon Gjermanisë? Dhe në këtë mënyrë do të obligonte edhe shoqatat islame në Gjermani që të angazhohen për bashkëjetesë paqësore. Pse nuk përpiqet që të bashkëpunojë me myslimanët, të cilët e respektojnë Kushtetutën tonë? Me ata, të cilët angazhohen për barazi gjinore dhe angazhohen kundër diskriminimit të homoseksualëve? Kjo është fryma, në të cilën qeveria e re duhet të përballet me sfidat e integrimit. Një mundësi konstruktive për të mënjanuar frikën që përhapë partia populiste e djathtë AfD në Parlament. Nuk është ndonjë rastësi që Gjermanisë i janë dashur gati gjysmë viti negociata për të krijuar qeverinë e re. Kjo është një pasqyrë e asaj me të cilën po përballet Gjermania në kërkim të identitetit si vend i migrantëve. Fokusimi permanent tek feja islame është vetëm edhe një dëshmi tjetër për paaftësi.