Fan Noli tjetër që nuk njihni

(Politika, 1 korrik 1924, f.1)
Më 1 korrik 1924 botohet një biografi e Nolit me titullin “Kush është Fan Noli?”, që ishte huazuar nga gazeta greke “Progresi i Athinës”.
“Suflet, aktor, mësues, psaltist, prift, emigrant politik dhe kryengritës – këto janë fazat nëpër të cilat ka kaluar ai të cilin historia para disa ditëve e pranoi si shef të qeverisë shqiptare me emrin monsinjor Fan Noli – pseudonim i shekullit 20 për Theofanis Mavromah, me të cilin emër u quajt deri në vitin 1918.
Nga i ati grek dhe e ëma shqiptare, i riu e filloi shkollimin e tij në Gjimnazin e Edrenesë. Para se ta kryente ai shquhej për inteligjencien e rrallë, madje më 1902 arriti deri në Athinë”.
Gazeta jep një biografi të detajuar dhe të saktë për Nolin.
“Tentimet për të themeluar një kishë shqiptare i dështuan, përkundrazi krijoi shumë armiq, prandaj vendosi që të kthehej në Greqi. Para përfundimit të verës, më 1919, misioni ushtarak grek në Sofje, i komanduar nga gjenerali Mazarakis, kërkoi nga Athina një prift për kishën greke në kryeqytetin bullgar. Nuk dihet se si erdhi këtu z. Theofan Mavrioti dhe të jetë në këtë pozitë. Ndonëse ishte prift, ai mori pjesë në çdo ceremoni mondane, madje i organizoi edhe vetë ato dhe nuk hoqi dorë prej lojërave shoqërore – që dëshmohet edhe nga kolegu ynë Zarifis, i cili, gjithashtu, ishte në misionin ushtarak grek në Sofje. Edhe këtu, ai u shoqërua me komunitetet shqiptare dhe vendosi t’i përkushtohej çlirimit të Shqipërisë, njërit prej dy atdheve të tij. Dhe shumë shpejt, ai arriti që të ngjitej në shtresat më të larta me emrin Fan Noli – një emër i perifrazuar nga ai grek, Theofanis Mavromati. U shpall edhe peshkop edhe pa shugurimin e Patrikanës dhe ishte delegat shqiptar në shumë konferenca.
Dhe kështu Theofanis Mavromati i dikurshëm, pasi u vu në krye të kryengritësve, arriti nëpërmjet revolucionit të bëhej edhe kryeministër”, transmeton “Politika” biografinë e Fan Nolit dhe sqaron se serbët dinë shumë pak për Nolin për dallim nga grekët.

Çka flitet?
(Politika, 2 korrik 1924, f.1)
Ish-kryeministri shqiptar, Ahmet Zogu, pardje shprehu dëshirë që të vizitonte varrin e ushtarit të panjohur, në Avalla, që të vendoste kurorë lulesh. Shkuarja te varri ishte planifikuar për dje pas dite, por kur duhej të nisej, u mor vesh se rruga ishte shumë e dëmtuar dhe e pakalueshme edhe për automobilat më të lehtë, prandaj nëpër këtë rrugë duhej kaluar edhe në këmbë për një orë e gjysmë. Zyrtarët e Ministrisë së Punëve të Jashtme që duhej ta shoqëronin Ahmet beun e këshilluan që të hiqte dorë nga vënia e kurorës, prandaj nuk shkoi.
Por, nuk ka dyshim, se rasti e ilustron për mrekulli gjendjen e rrugëve tona, madje në kryeqytetin tonë.
Ahmet bej Zogu, i cili nëpërmjet Shkumës dhe Matit mori pjesë në beteja, kurse nëpërmjet Jabllanicës dhe Golo Bërdos arriti të dilte në Dibër, nuk arriti që të shkonte deri në Avalla, ku gjendet varri i ushtarit tonë të panjohur (Ibis).

Reforma Agrare në Shqipëri
(Tabor, 3 korrik 1924, f.1)
Fan Noli dëshiron që tokat e bejlerëve t’ua ndajë fshatarëve. Reagim i fuqishëm i myslimanëve.
Dibër, 2 korrik – Kryeministri shqiptar, Fan Noli, i ka bërë të ditur gjithë Shqipërisë se tokat e bejlerëve, nëpërmjet reformës agrare, do t’u ndahen fshatarëve. Kjo ka shkaktuar reagime të mëdha te myslimanët, që kanë protestuar me vendosmëri. Bejlerët kanë deklaruar se do ta kundërshtojnë me armë zbatimin e Reformës Agrare.
Pakënaqësia është më e shprehur në Shqipërinë e Mesme, ku njerëzit nuk janë përkrahës të qeverisë së tanishme. Flitet se qeveria dëshiron të zhvendoset nga Tirana dhe ta shpallë Vlorën si kryeqytet.

Për të urriturit në Shqipëri
(Politika, 6 korrik 1924, f.3)
Ninqiçi, sipas gazetës “Politika”, ka lejuar ushqimin e dërguar nga Komisioni i Lidhjes së Kombeve dhe Kryqit të Kuq që të shpërndahej për njerëzit në Shqipërinë që vuanin urie. Sipas gazetës, ky ishte kontribut i shtetit serb për të uriturit në Shqipëri.
Gazeta informon se ky hap i Ninqiçit ishte i befasishëm, kur dihet se “regjimin e tanishëm në Shqipëri e kanë formuar anëtarët e Komitetit kosovar, rebelë nga territori ynë”.

Fan Noli sigurohet
(Politika, 9 korrik 1924, f.3)
Gazeta “Politika”, në këtë numër shkruan se qeveria shqiptare e ka paraqitur programin e saj. Informohet se është shpallur rrethimi dymujor i Durrësit. Gjatë kësaj kohe ka vazhduar, sikurse shkruhet, me pastrimin e kundërshtarëve politik.
“Në Tiranë janë themeluar dy gjykata kundër kundërshtarëve të qeverisë. Njëri është gjyq politik, që do të gjykojë të gjithë ata që e sollën Shqipërinë deri te revolucioni. Gjykata e dytë është porota, që do të gjykojë të gjithë ata që tentojnë ta përmbysin regjimin e tanishëm në Shqipëri.
Në Shkodër është bërë thirrje për dorëzimin e armëve. Policia ka të drejtë të ekzekutojë nëse i gjen armë atij që tri ditë pas thirrjes nuk i dorëzon armët”.
Në këtë numër, në shkrimin “Kryeqyteti shqiptar”, theksohet se qeveria shqiptare kishte vendosur që kryeqytetin ta zhvendoste në Vlorë.

Gjendja në Shqipëri
(Tabor, 13 korrik 1924, f.1)
Deklaratë e ministrit të jashtëm. Tirana ra.
Beograd, 12 korrik – Ministri i Jashtëm dr. Ninqiç ka folur për gjendjen në Shqipëri, duke thënë se udhëheqësi i kryengritësve në Shkodër, Rexhep Shala, nuk konsiderohet si aleat yni, sepse për këtë nuk ka dhënë asnjë shenjë. Raportet tona ndaj Shqipërisë dhe qeverisë së re janë të njëjta, për sa kohë qeveria e re nuk shpreh ndonjë orientim tjetër.
Romë, 12 korrik – Sipas lajmeve të fundit gjatë mbrëmjes nacionalistët kanë arritur ta merrnin Tiranën, pa hasur në ndonjë rezistencë. Ahmet Zogu, me përkrahësit e tij, ka ikur në Jugosllavi.

Pranimi i qeverisë shqiptare
(Slovenski Narod, 22 korrik 1924, f.2)
Telegram Pashiqit. Simpati e Musolinit
Beograd, 21 korrik – Shefi i qeverisë shqiptare Van (Fan) Noli e ka përshëndetur qeverinë tonë me shpresën se do ta pranojë qeverinë e re shqiptare. Kryeministri Nikolla Pashiqi është përgjigjur gjithashtu me një telegram përshëndetës. Qeveria jonë ka vendosur zyrtarisht ta pranojë qeverinë aktuale shqiptare. Qeveria është duke ndjekur se si do të zhvillohen ngjarjet në Shqipëri. Qeveria është e vendosur që kundrejt Shqipërisë të ndjekë një politikë të fqinjësisë së mirë, sepse është në interesin e saj që ta mbështes pavarësinë e shtetit shqiptar. Fan Noli ka deklaruar se dëshiron të ndërtojë raporte miqësore me shtetin tonë, por qarqet tona nuk besojnë, prandaj duan që të shohin nëse Shqipëria do të japë dëshmi të sinqerta në këtë drejtim.
Romë, 21 korrik – Kryeministri shqiptar Fan Noli ka shkëmbyer telegrame me kryeministrin Musolini, duke këmbyer përshëndetje reciproke. Musolini i ka dërguar telegram, ku shprehet se ka simpati të sinqertë ndaj qeverisë së re.