Ata me 8-vjeçare “biznesmenë”, ata me shkollë të lartë “hyzmeqarë”

Banka Botërore ka publikuar raportin e fundit për tendencat e punësimit, që merr në analizë treguesit në Ballkanin Perëndimor dhe disa vende të rajonit, që janë pjesë e BE-së në periudhën 2016-2017. Raporti sjell të dhëna interesante, që marrin një kontekst tjetër kur krahasohen në raport me rajonin dhe një prej tyre, është pjesa e pagave të ulëta dhe përqendrimit të kësaj page në ekonomi. Sipas raportit, përqendrimi i lartë i pagave të ulëta është udhëheqësi kryesor i pabarazisë së pagave në përgjithësi në rajon. “Mali i Zi dhe Bosnjë-Hercegovina raportojnë nivelin më të lartë të pagave, kurse Shqipëria më të ultën”, vlerëson raporti. Një e dhënë tjetër interesante është edhe ajo e strukturës së punësimit tek popullsia në moshë pune. Sipas raportit, Shqipëria mban rekordin e atyre që janë të vetëpunësuar, por që kanë nivel arsimimi 8-vjeçar. Kur në rajon pjesën më të madhe të të vetëpunësuarve e zënë ata që kanë arsim të mesëm. Kurse punësimin më të lartë në sektorin privat, Shqipëria e raportoi në segmentin e atyre me arsim të lartë. “Në mesatare, rreth gjysma e të vetëpunësuarve në Ballkanin Perëndimor ishin me shkollë të mesme. Në Bosnjë-Hercegovinë dhe Kosovë, më shumë se 60% kishin një nivel arsimimi mesatar në 2016, më pak të arsimuarit ishin grupi i dytë më i madh mes të vetëpunësuarve, kurse ata me arsim të lartë zinin rreth 11%, në një mesatare. Në kontrast me këtë, në Shqipëri dhe Maqedoni, shumica e të vetëpunësuarve ishin ata me nivel më të ulët arsimimi. Në termat e edukimit në total, punësimi u rrit në të gjitha grupet e edukimit, por më së shumti tek ata me arsim të mesëm në të gjitha vendet, me përjashtim të Shqipërisë. Kjo e fundit raportoi rritjen më të madhe të punësimit në segmentin e atyre me Arsim të Lartë”, thuhet në raport.