Tjetërsimi i ligjit

Nga Lorjan Agalliu

Teatri Kombëtar është objekti i dytë, të cilit i është hequr mbrojtja si pjesë e trashëgimisë kulturore të një Ansambli Arkitekturor dhe Urban në qendër të Tiranës. I pari ishte stadiumi Qemal Stafa.
Kërkova në Ligjin “Për Trashëgiminë Kulturore” ndonjë kriter të mundshëm për rastet kur një objekti i hiqet statusi mbrojtës që i jep ky ligj, por nuk gjeta asgjë me përjashtim të një neni që përcaktonte organin përkatës që mund ta kryej këtë akt. Ligji “Për Trashëgiminë Kulturore”, KREU III, Trashëgimia Kulturore e Paluajtshme, Neni 24, Pika 3, përcakton: Heqja e plotë ose e pjesshme e mbrojtjes nga shteti e një objekti ose grupi objektesh të trashëgimisë kulturore është e drejtë ekskluzive e organit që e ka shpallur atë.
Megjithatë, ka akte ligjore dhe nënligjore që e shoqërojnë këtë ligj, sikurse ka edhe nene si KREU I, Dispozita të përgjithshme, Neni 7 që përcakton: Institucionet shtetërore, të specializuara sipas kritereve shkencore, bëjnë përcaktimin e vlerave të objekteve të trashëgimisë kulturore, të shpallura si të tilla, pronë e çdo personi fizik apo juridik, si dhe dokumentimin e tyre.

Pra, sipas këtij neni të fundit vlerat historike dokumentohen. Rrjedhimisht edhe arsyet dhe kriteret e mbrojtjes dhe të mos mbrojtjes duhet të dokumentohen.
Sot për sot publikut nuk i janë parashtruar kriteret e tërheqjes së mbrojtjes që gëzonte Stadiumi Qemal Stafa nga ky ligj, dhe as ato për Teatrin Kombëtar. Kjo vlen për të sqaruar këtë publik se çfarë ka ndryshuar në vlerat e këtyre objekteve dhe në kriteret përcaktuese, që ato të mos jenë më pjesë e mbrojtjes nga ligji, dhe njëkohësisht përcaktuar se përse këto vlera dhe kritere janë cilësisht të ndryshme nga ato që i klasifikojnë të mbrojtura objektet e tjera të së njëjtës periudhë historike, trashëgimie arkitekturore dhe urbanistike që formulojnë Ansamblin Arkitekturor dhe Urban në qendër të Tiranës.
Për ata që nuk e kanë të qartë natyrën e ligjit për Trashëgiminë Kulturore, po theksoj se ky ligj përcakton formën dhe natyrën juridike ose jo të ruajtjes, mirëmbajtjes, rindërtimit, restaurimit ose konservimit të pasurisë së trashëgimisë kulturore. Por sidomos ai përcakton mbrojtjen e objekteve të kësaj trashëgimie nga ndërtimet që mund të kryhen në to apo në zonat përreth, sipas natyrës juridike të klasifikimeve dhe kategorive të mbrojtjes.
Fakti që dy objekteve dikur të mbrojtura nga ky ligj Këshilli i Ministrave ua ka hequr atë (mbrojtjen) pikërisht për të mundësuar në praktikë prishjen dhe ndërtimet e reja në vend të tyre, është problematike në vetvete. Në këtë mënyrë, vetë organi që është ngarkuar për ta zbatuar ligjin, ka vepruar në mënyrë aktive për ta zhvlerësuar një vendim të mëparshëm të po vetë këtij organi që deri më tash ende supozohej si i drejtë, për sa kohë kritere të qarta nuk i janë dhënë publikut.

Për ta sqaruar më mirë aspektin e nënvlerësimit të ligjit, pyetja që shtrohet është: cilat janë kriteret që u garanton objekteve të mbrojtura nga ligji “Për Trashëgiminë Kulturore” statusin dhe natyrën e tyre juridike brenda këtij ligji? Siç thashë më sipër unë nuk i kam gjetur këto kritere, që me sa duket për çfarëdolloj arsyeje e ka bërë të lehtë vendimin për ta zhbërë vendimmarrjen që i konsideronte këto objekte të mbrojtura nga ligji.
Gjithmonë mund të supozohet se në bazë të kritereve të caktuara, qofshin këto të mirë-argumentuara ose jo, do të kemi raste kur bëhet e domosdoshme që një objekti t’i ndryshohet statusi juridik. Por kjo ndodh kryesisht në favor të zbatimit aktiv të ligjit, dhe jo në të kundërt, pra zhvlerësimit të tij. Një shembull tjetërsimi juridik të një objekti në favor të zbatimit aktiv të ligjit mund të ishte legalizimi i një ndërtimi pa leje në kuadrin e ligjit për legalizimet. Po ashtu një tjetër shembull mund të ishte edhe prishja e një objekti pa leje si rrjedhojë e urdhrit të Gjykatës për një çështje të caktuar, apo të një konflikti me planin urbanistik.

Por me siguri do kishim ngritur vetullat në të dy rastet, po të mësonim se ka ndodhur e kundërta, pra, që një banesë ndonëse pjesë e fondit për legalizimet është prishur, çka do të thotë se, dikush nuk e ka zbatuar ligjin, apo që, kur një objekt për të cilin një vendim Gjykate për t’u prishur, sepse është në konflikt me planin urbanistik, është ky i fundit që ndryshohet për ta lejuar objektin, teksa lëshohet një vendim i ri Gjykate që e shfuqizon të parin, për të mos e lejuar prishjen. Po të ndodhte kështu, ne me siguri që, ose do të ngrinim pikëpyetje për vendimet e mëparshme, ose do të dyshonim për ndonjë marrëveshje të fshehtë midis aktorëve në zyrën e Urbanistikës dhe në Gjykatë.
Një shembull apo rast i hamendësuar, por edhe specifik që do përfshinte ligjin Për “Trashëgiminë Kulturore” do ishte nëse do të zbulohej që një nga ndërtimet në Ansamblin Arkitekturor dhe Urban në qendër të Tiranës nuk ishte pjesë e kritereve fillestare mbi të cilat është bërë klasifikimi në Ansambël, dhe mbajtja e këtij objekti në ruajtje rrit kostot e mirëmbajtjes pa ofruar benefitet që vijnë nga mbrojtja, dhe rrjedhimisht i shkakton dëme pronarit të këtij objekti. Atëherë ky pronar ankohet pranë Këshillit të Ministrave, dhe ky i fundit duke qenë se objekti nuk i plotëson kriteret, ia tërheq mbrojtjen që ka nga ligji, duke parashtruar edhe kriteret për publikun. Edhe në këtë rast të hamendësuar kemi veprim aktiv të ligjit, sepse tërheqja e mbrojtjes ndaj objektit është bërë për arsye të zbatimit të këtij ligji.

Por, kjo nuk është e qartë se është bërë në rastin e Stadiumit Qemal Stafa dhe të Teatrit Kombëtar, sepse është vështirë të besohet se papritur ne zbuluam se këto objekte nuk kanë ndonjë vlerë historike dhe kulturore.
Pra, ajo që i bën vendimet e Këshillit të Ministrave të kontestueshme nuk është vetëm akti juridik i tjetërsimit të objekteve kundrejt ligjit “Për Trashëgiminë Kulturore”, por edhe konsumimi i aktit të prishjes që shkon drejtpërdrejt në konflikt me një ligj që supozohej t’i mbronte këto objekte nga ndërtimet dhe prishja vetëm pak kohë më parë se të merreshin këto vendime, si edhe aspekti i tjetërsimit juridik të pronës.
Si në rastin e projektit të stadiumit Qemal Stafa, ashtu edhe në rastin e Teatrit Kombëtar janë prezantuar dhe po aplikohen projekte të financuara me skemën e partneritet publik-privat.

Nuk është e qartë se përse nuk mund të kryhej partneriteti publik-privat pa ndryshuar statusin e mbrojtjes juridike të këtyre objekteve, por është e qartë se tjetërsimi juridik i objekteve në bazë të Ligjit “Për Trashëgiminë Kulturore” ka mundësuar edhe prishjen e objekteve, duke ndryshuar kështu ekuacionin në partneritetin publik-privat, në kuptimin që nuk kemi më një objekt publik në truall publik, por objekt privat në truall publik, çka detyrimisht duhet t’ia ulë potencialin negociues publikut në marrëdhënie me privatin. Por ne këto negociata nuk i njohim, sepse askush nuk duket se po i sqaron këto terma kontratash dhe marrëveshjesh, ndaj edhe unë këtu po spekuloj në bazë të informacionit që jepet në publik.
Sigurisht që në një vend normal ku funksionojnë institucionet duhet ta kishim këtë transparencë, dhe mund ta kishim parë atë në interpelanca parlamentare, në shqetësimin e Presidentit të Republikës, dhe pse jo edhe në raportet e Kontrollit të Shtetit apo Prokurorisë nëse kjo e fundit ndonjëherë do vihet në lëvizje për të tilla gjëra, për sa kohë këto implikojnë drejtpërdrejt Kryeministrin e Shqipërisë. Të gjitha këto duhet për mendimin tim të tingëllonin realiste, nëse vërtet jetojmë në një demokraci përfaqësuese, sikurse supozohet, dhe se organet ligjvënëse dhe ato ekzekutive janë së pari në rolin e administratorit të interesit publik, dhe jo të dëshirave dhe merakeve private. Deri atëherë, edhe kësaj here barra e provës u ngelet intelektualëve, artistëve, qytetarëve dhe publikut.