Thirrje qytetarëve: Llogari drejtësisë, po mbron krimin e korrupsionin në qeveri, pse nuk arrestohet Veliaj për Teatrin?

Kryetari i PD, Basha i ka bërë thirrje qytetarëve që t’i kërkojnë llogari drejtësisë se përse po mbron të inkriminuarit dhe të korruptuarit të lidhur me qeverinë dhe pushtetin. Basha i ka kujtuar drejtësisë se përse ajo nuk vepron me të njëjtin standard me Kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Veliaj, i cili po tjetërson bashkë me Ramën tokë publike për t’ia vënë në dispozicion privatit për ndërtimin e kullave. Basha ka renditur listën e qeveritarëve të inkriminuar nga Tahiri dhe Gjiknuri dhe deri tek kapot e trafikut të drogës, të cilët nuk hetohen nga Drejtësia e cila po jep dëshmi se është e kapur nga narkoshteti. Kreu i PD-së Lulzim Basha ka folur pas mbledhjs së grupit parlamentar të zhvilluar mesditën e sotme. Sipas Bashës, nuk do të ketë drejtësi nëse nuk shkon para drejtësisë, Saimir Tahiri, Vangjush Dako, Qazim Sejdini, Damian Gjiknuri, etj.
Pjesë nga fjala e Lulzim Bashës:
Nuk kam marrë kurrë përsipër të gjykoj vendimet e gjyqësorit. Drejtësia është ajo që funksionon në mënyrë të barabartë, pse nuk është arrestuar Roshi, apo socialistët e tjerë? Mos heshtni, kërkoni llogari. Rama ka një synim, të shpëtojë varkën që po mbytet.
Ne duam të dimë kur do të dalë Saimir Tahiri para drejtësisë, i kapur nga antimafia italiane si njeriu kyç në trafikun e drogës dhe njeriu më i afërt i Ramës. Ne duam të dimë se kur do të kapet kupola e policisë dhe të shpallurit në kërkim për drogë. Ne duam të dimë kur do të hetohet Vangjush Dako. Ne duam të dimë se kur do të dalë para drejtësisë, Qazim Sejdini dhe banda ballkanike e drogës. Kur do të hetohet Damian Gjiknuri, që ka bërë pazare me banditët dhe ka blerë votat, që nga Dibra e në zgjedhjet e fundit. Pa u vënë, pa u hetuar këto raste të denoncuara me fakte flagrante, kjo do të thotë se drejtësia është e kapur dhe krimi është futur në drejtësinë. Drejtësi do të thotë kur të gjithë janë të barabartë para ligjit. Pse nuk u arrestua Elvis Roshi, për të njëjtat akuza? Veliaj po tjetërson pronë publike në qendër të Tiranës, tek Teatri Kombëtar bashkë me Ramën.