Shfryhet show i Ramës me arrestimet në Lezhë, Gjykata liron 11 nga të arrestuarit

Shfryhet show i Ramës me arrestimet në Lezhë. Gjykata ka liruar nga burgu 11 zyrtarë të arrestuar duke i lënë ata në arrest shtëpie të njëtën masë që dha edhe ndaj kryebashkiakut, Frroku. Zyrtarët e Bashkisë së Lezhës kanë dalë para Gjykatës ku u është caktuar masa e sigurisë. Mes tyre është dhe kryetari i bashkisë së Lezhës Fran Frrokaj, i cili është nën akuzë bashkë me 22 të tjerë si i dyshuar në aferën e tjetërsimit të tokave në bregdet. Trupi gjykues i drejtuar nga Artan Hajredinaj vendosi masën e sigurisë “arrest shtëpie” për kryetarin e bashkisë së Lezhës, Fran Frrokaj. E njëjta masë sigurie është vendosur edhe për 11 zyrtarët e tjerë që akuzohen për shpërdorim detyre. Seanca për masën e sigurisë është paraprirë nga protesta e mbështetësve të kryetarit të cilët prej disa ditësh protestojnë para bashkisë. Por ndërsa mbështetësit e tij e konsiderojnë arrestimin e kreut të bashkisë si një aksion politik, nga ana e saj prokurori i çështjes Erjon Shehaj këmbëngul se Fran Frrokaj është pjesë e një zinxhiri, përmes të cilit janë përvetësuar mbi 234 mijë metra katrore tokë në zonën e plazhit në vendin e quajtur Mali i Rencit dhe mali i Shëngjinit.