Rritje e papunësisë në Kosovë

Sipas të dhënave nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK), prezantuar në “Anketa e Fuqisë Punëtore, tremujori i katërt 2017”, del se shkalla e papunësisë në vendin tonë është 30.6 për qind. Papunësia më e theksuar është te femrat me 37.1 për qind, krahasuar me meshkujt me 28.7 për qind dhe shkalla më e theksuar e papunësisë është te grupmoshat 15-24-vjeçare me 55.9 për qind. Sipas rezultateve të raportit, fuqia joaktive në Kosovë është 57.1 për qind, me fokus të veçantë te femrat me 80.1 për qind, krahasuar me meshkujt me 34.3 për qind. “Në kuadër të popullsisë në moshë të punës, shkalla e pjesëmarrjes në fuqinë punëtore është 42.9 për qind. Shkalla e punësimit në Anketën e Fuqisë Punëtore për tremujorin e katërt 2017 është 29.8 për qind. Punësimi më i lartë është te meshkujt me 46.8 për qind, ndërsa punësimi te femrat është 12.5 për qind.

Femrat janë të punësuara, kryesisht në sektorët e arsimit, kujdesit shëndetësor dhe tregtisë me 48.5 për qind të tyre, ndërsa meshkujt janë kryesisht të punësuar në sektorët e ndërtimtarisë, tregtisë dhe prodhimit me 45.2 për qind. Sektorët ekonomikë, që prijnë me punësim, vazhdojnë të jenë tregtia me 15.1 për qind, ndërtimtaria me 13.1 për qind, prodhimi me 12.1 për qind dhe arsimi me 10.1 për qind”, thuhet në raportin e ASK-së, përcjell Telegrafi. Sa u përket të punësuarve me kontrata, del se 29.3 për qind e personave të punësuar kanë kontratë të përhershme në punën e tyre kryesore, ndërkohë që 70.7 për qind kanë kontratë të përkohshme. Anketa ka pasur shtrirje në 598 qarqe regjistruese në tërë territorin e vendit, ku janë anketuar 3,616 ekonomi familjare, të përzgjedhura sipas metodës së rastit nga korniza e Regjistrimit të Popullsisë, Ekonomive Familjare dhe Banesave 2011. Ekonomitë familjare, të selektuara për anketim, përveç që kanë pasur një anketim, ato kanë pasur edhe tri rianketime sipas periudhës referuese.