Ballina Sport “Po i shkaktojmë probleme reale”

“Po i shkaktojmë probleme reale”

Maurizio Sarri beson se Napoli po i shkakton “probleme të vërteta” Juventusit, edhe pse pranoi se të parakalonte kampionët italianë do të jetë shumë e vështirë, pavarësisht ngushtimit me dy pikë të distancës me kryesuesit aktualë të Seria A. Napoli i rriti shanset për “Scudetto” me një fitore të vështirë 1-0 kundër Genoa, të dielën, teksa Raul Albiol shënoi golin e fitores. Duke kërkuar titullin e parë të Seria A që nga edicioni 1989-1990, Napoli shfrytëzoi mundësinë për të pakësuar epërsinë e Juventusit në majë të tabelës së klasifikimit, pasi lojtarët e Massimiliano Allegrit u ndalën në një barazim shokues nga Spal, të shtunën. “Në këtë fazë të sezonit të kaluar, Juventusi në thelb tashmë e kishte fituar titullin, kështu që kjo do të thotë se ne po u shkaktojmë probleme reale, tha Sarri për ‘Mediaset Premium’. Do të jetë shumë e vështirë”. Vetëm dy pikë i ndajnë Juven dhe Napolin, me nëntë ndeshje të mbetura në kampionat, të cilat përfshijnë një përplasje direkte në Torino, më 22 prill. I pyetur nëse shpresat e Napolit mbesin në duart e bardhezinjve, Sarri u përgjigj: “Është e vështirë ta thuash. Në qoftë se do të kisha mundësi, do të kapnim kreun dhe do ta merrnim përsëri pushtetin. Por, ne mund të përpiqemi të bëjmë sa më shumë që të jetë e mundur. Ky është tashmë sezoni i dytë më i mirë në historinë e Napolit, në aspektin e pikëve, kështu që do të vazhdojmë të shtyjmë sa të kemi fuqi”. Nga ana e tij, golashënuesi Albiol shtoi: “Ne duam të përpiqemi deri në fund dhe të mbajmë gjallë shanset tona. E dimë se Juventusi është i fortë, por dhe ne po punojmë shumë për të konkurruar me të. Duhet t’i fitojmë të nëntë ndeshjet e mbetura të kampionatit”.

Fitorja e Napolit ndaj Genoa, pas barazimit mes Juventusit dhe Spal, e ka lënë Seria A më të ekuilibruarën sa i takon çështjes së titullit, ndër pesë ligat më të forta europiane. Kampionati italian është i vetmi, që ende e sheh luftën të hapur për titullin. Kjo betejë vijon të zhvillohet midis ekipit të Allegrit dhe ekipit të Sarrit. Juventusi dhe Napoli kryesojnë kampionatin e Seria A me dy pikë të distancuar nga njëri-tjetri, teksa do të jetë përplasja e drejtpërdrejtë, që duhet të zhvillohet më 22 prill, e cili ndoshta do të vendosë fituesin në mënyrë përfundimtare. Mjafton të shikoni tabelat e klasifikimit aktual të katër ligave të tjera të mëdha në Europë, për të kuptuar se në Itali po përjetojmë diçka unike këtë sezon. Në Premier League, Manchester City e ka “vrarë” garën praktikisht, që nga ditët e para. Tani pikët e ndarjes me kushërinjtë e Manchester United janë 16. Nuk ka bërë më mirë La Liga spanjolle, e cila zakonisht përjeton çdo vit betejën e ngushtë mes Barcelonës dhe Real Madridit, por këtë herë ekipi i Valverde udhëheq renditjen me 11 pikë përpara Atletico Madrid.

Exit mobile version