Komploti anti-Trump

Ish-zëvendësdrejtori i FBI-së, James Kallstrom, tha të dielën se kishte një komplot në Uashington për të mbrojtur Hillary Clinton nga paditë ndaj saj. Ai shtoi se kaosi i vazhdueshëm në kabinetin e presidentit Trump mund të jetë një simptomë e këtij komploti.
“A mendoni se dikush i drejtoi ata, apo mendoni se ata sapo dolën në këtë përfundim personal, them për drejtuesit në FBI-së dhe Departamentin e Drejtësisë, se donin të ndryshonin rezultatin e zgjedhjeve?” e pyeti gazetarja e ‘Fox News’, Maria Bartiromo, James Kallstrom. “Unë mendoj se kemi fakte të mjaftueshme që na janë zbuluar gjatë këtij viti, që zyrtarë të rangut të lartë në të gjithë qeverinë – dhe jo vetëm FBI – kishin organizuar një komplot për të mos e paditur Hillary. Kallstrom pretendoi edhe një bashkëpunim mes departamenteve, duke shtuar edhe aparatin mediatik, që ndihmuan në minimin e fushatës së Donald Trump, duke theksuar në mënyrë të përsëritur rrëfenjën ‘Russiagate’. Kallstrom e drejtoi gishtin ndër të tjerë te drejtori i CIA-s gjatë kohës së presidencës së Barack Obamës, John Brennan, një kritik jashtëzakonisht i zhurmshëm i administratës Trump. “Burimet e mia më tregojnë se ai po nxirrte informacione vijimësisht, çdo javë dhe çdo ditë. Ai po merrte ca informacione të dyshimta në atë grumbull të paqenë të çështjes së ndërhyrjes ruse në zgjedhje dhe ia shiti Kongresit si çështje të madhe. Ai ka qenë një nga njerëzit më aktivë. E njoh prej kohësh”.

Brennan e dënoi me forcë shkarkimin nga detyra të ish-zëvendësdrejtorit të FBI-së Andrew McCabe nga Trump. “Kur del në pah shtrirja e plotë e korrupsionit, paturpësisë morale dhe korrupsionit politik, atëherë ju do të merrni vendin tuaj të ligjshëm si një demagog i poshtëruar në koshin e mbeturinave të historisë. Ju mund të keni bërë kurban Andi Mçabe, por ju nuk do ta shkatërroni Amerikën…Amerika do të triumfojë mbi ju”, shkroi Brennan në një postim në ‘Twitter’. Trump e shprehu mosbesimin e tij ndaj McCabe dhe madje e kritikoi hapur për marrjen e parave nga bashkëpunëtorët e Clinton. Kallstrom pretendon se riorganizimi i përsëritur në kabinetin e Trump është rezultat i një komploti të nivelit të lartë për të ndihmuar ish-Sekretaren e Shtetit Hillari Klinton të fitojë zgjedhjet presidenciale të 2016-ës. “Ata kishin një plan rezervë për të minuar Donald Trumpin dhe kjo është ajo që po ndodh”, tha Kallstrom. “Unë mendoj se komploti shkon drejt e në majën e sistemit. Dhe kjo përfshin strategjinë e tërë, ata do të fitonin, askush nuk do të kishte marrë vesh ndonjë nga këto gjëra dhe ata thjesht e vërsulën komunitetin e inteligjencës. Shikoni tani si po bien maskat. Ne nuk kemi parë ende asgjë për këtë. Shikoni mënyrën se si u shkelën të drejtat e të gjithë atyre qytetarëve amerikanë”.

13 demokratë hetojnë Trump
Presidenti amerikan Donald Trump po sulmon Prokurorin e Posaçëm, Robert Mueller, duke e akuzuar atë për njëanshmëri politike në hetimin e tij për lidhjet e zyrtarëve të fushatës zgjedhore të zotit Trump me Rusinë në vitin 2016 dhe për të përcaktuar nëse Presidenti pengoi drejtësinë kur u përpoq të ndalte hetimin. “Pse ekipi i Prokurorit Mueller ka 13 demokratë të betuar, disa përkrahës së Hillarisë mashtruese dhe asnjë republikan? Së fundmi u shtua edhe një demokrat tjetër … a mendon njeri se kjo është e drejtë? Megjithatë nuk ka pasur bashkëpunim të fshehtë”! tha zoti Trump në njërin prej disa komenteve të njëpasnjëshme në Twitter gjatë fundjavës, duke përmendur fitoren ndaj rivales demokrate, Hillary Clinton dhe pakënaqësinë e tij ndaj hetimeve që po zhvillohen që nga ajo kohë.
Presidenti Trump la mënjanë faktin se të paktën gjatë një periudhe të caktuar zoti Mueller ishte i regjistruar si votues republikan dhe konsiderohet përgjithësisht në Uashington si një prokuror i paanshëm politikisht, hetimi i të cilit për fushatën e zotit Trump është mbështetur si nga demokratët ashtu edhe republikanë me peshë, të cilët në intervista të dielën shprehën miratimin për mënyrën se si po e kryen hetimin zoti Mueller.

Presidenti Trump sulmoi gjithashtu ish-drejtorin e FBI-së James Comey, që u shkarkua nga zoti Trump në maj të vitit të kaluar dhe ish-nëndrejtorin Andrew McCabe, që u pushua nga puna të premten në mbrëmje nga Prokurori i Përgjithshëm, Jeff Sessions, me nxitjen e zotit Trump, 26 orë para ditës kur zoti McCabe do të dilte në pension, në momentin kur i plotësonte kushtet për të marrë pension të plotë. Presidenti Trump tha se shënimet personale të zotit Comey dhe zotit McCabe lidhur me bisedat e tyre me të, ishin të fabrikuara. Presidenti Trump tha se kishte “shpenzuar shumë pak kohë me Andrew McCabe, por ai nuk kishte mbajtur kurrë shënimet kur kishin qenë bashkë”. “Nuk besoj, tha ai, se McCabe kishte mbajtur shënime, përveçse për të mbrojtur interesat e tij, dhe ndoshta i kishte shkruar më pas. E njëjta gjë me gënjeshtarin James Comey. A mund t’i quajmë “shënime të rreme?”. Zoti Sessions e shkarkoi zotin McCabe, pasi ra dakord me një hetim të brendshëm të Departamentit të Drejtësisë sipas së cilin McCabe “i kishte dhënë informacion të paautorizuar medias dhe nuk kishte qenë i sinqertë, përfshirë nën betim, në disa raste”. Zoti McCabe tha se zoti Comey ishte në dijeni për informacionin që ai i dha medias, ndërsa shërbenin të dy si drejtues të FBI-së.