Kasmi: Arrestimi i Frrokajt me urdhër të Ramës për t’i hapur rrugë Pjerin Ndreut të kapë Bashkinë e Lezhës

Kryeredaktori i gazetës “Rilindja Demokratike”, Bledi Kasmi në një intervistë në Televizionin FaxNews u shpreh se, arrestimi i kryetarit të Bashkisë Lezhë, Fran Frrokaj është bërë me urdhër të Ramës për t’i hapur rrugë Pjeriun Ndreut të kapë Bashkinë e Lezhës.
Në lidhje me debatin mbi një shkrim në gazetën RD mbi një darkë mes Ramës dhe Frrokajt disa javë më parë, Kasmi sqaroi se shkrimi hedh dritë disa rrethana në komunikimin që Frrokaj ka patur me bashkëpunëtorë të tij.
Ata e kishin paralajmëruar Frrokajn që atëhere se pas darkave të tilla, Rama përgatit skenarë hakmarrjeje politike, duke e paralajmëruar që atëhere për pasojat që mund të kishte në të ardhmen. Termi “Darka e gabuar” është përmendur në atë kohë nga vetë Frrokaj, i cili shpresonte se qeveria do të ndihmonte Lezhën me projekte zhvillimi.
Kasmi u shpreh se nuk mund të flitet për besueshmëri të Prokurorisë në një kohë që arrestimin e Frrokajt e ka paralajmëruar Fatmir Xhafa duke folur në emër të Prokurorisë. “Në momentin kur Xhafa flet në emër të Prokurorisë, atëhere kë duhet të besojmë se është në krye të Prokurorisë, Fatmir Xhafën apo Arta Markun. Në rastin kur në emër të Prokurorisë dhe hetimeve deklaratat i bën Fatmir Xhafa, atëhere kush është Kryeprokuror Arta Marku apo Fatmir Xhafa?”, tha Kasmi.

Protestë në mbështetje të kreut të Bashkisë Lezhë Fran Frrokaj
Qytetarë të Lezhës kanë dalë sërish sot në një protestë, në mbështetje te kreut të Bashkisë Lezhë Fran Frrokaj, i arrestuar me akuzën e tjetërsimit të tokave. Në ditën e tretë të qëndrimit të tij në ambientet e Policisë Lezhë, tubuesit pretendojnë se arrestimi është i motivuar politikisht për të denigruar imazhin kryebashkiakut.
Mes të protestuesve ishte edhe kreu i PD-së Lezhë, Paulin Marku. Ai tha se mbështet drejtësinë, por jo atë të njëanshme dhe politike.
Vendimi për rivlerësimin e masës së sigurisë ndaj kreut të Bashkisë Lezhë Fran Frrokaj, është shtyrë për mëngjesin e së hënës. Gjykata do të vendosë nëse kryebashkiaku do të hetohet në gjendje të lirë apo masa për të do të vijoje te jetë arresti me burg.