Sekretari i ri i Shtetit, diplomaci përmes forcës

Pas shkarkimit të Sekretarit të Shetit, Rex Tillerson të martën, shumë vende kanë filluar të kthejnë vëmendjen tek i emëruari i presidentit Donald Trump që do ta zëvendësojë atë, drejtori i CIA-s, Mike Pompeo. Pavarësisht nëse bëhet fjalë për Iranin, Korenë e Veriut apo Rusinë, analistët thonë se pikëpamjet e Mike Pompeos janë më të ngjashme me ato të Presidentit Trump sesa ato të zotit Tillerson, dhe ashtu si Presidenti, zoti Pompeo favorizon forcën ushtarake amerikane mbi diplomacinë.
Ndryshimi po vjen në politikën e jashtme amerikane, por bisedimet me Korenë e Veriut janë ende në rrugën e duhur. Rex Tillerson tha në fjalimin e tij lamtumirës pas shkarkimit nga detyra se kjo u arrit falë angazhimit të tij.
“Së pari duke punuar me aleatët, ne tejkaluam pritshmëritë e pothuajse të gjithëve me fushatën e presionit maksimal ndaj Koresë së Veriut” tha zoti Tillerson.
Pasardhësi i tij i pritshëm, drejtori i CIA-s, Mike Pompeo, njihet për qëndrimet e tij më të ashpra në një sërë çështjesh të politikës së jashtme.

“Unë fola javën e kaluar për faktin se Koreja e Veriut është gjithnjë e më pranë aftësisë për ta vënë Amerikën në rrezik”, tha Drejtori i CIA-s.
Bazuar në deklaratat e tij të kaluara mbi Korenë e Veriut, Kinën dhe Iranin, shumica e analistëve thonë se Pompeo, një i diplomuar i Akademisë Ushtarake Ëest Point, ka të ngjarë të mbështetet më shumë në forcën ushtarake amerikane dhe më pak në marrëveshjet ndërkombëtare sesa Tillersoni.
“Unë mendoj se Pompeo është më agresiv, më i ngjashëm me Trumpin, më afër asaj që unë e do ta quaja valë të re të nacionalizmit amerikan. Dhe ne po shohim se si vendet në të gjithë botën po bëhen më nacionaliste”, thotë analisti Ariel Cohen nga Këshilli Atlantik.
Nëse konfirmohet nga Senati, zoti Pompeo mund të përballet shpejt me dy prova të mëdha: takimin e planifikuar Trump-Kim dhe afatin kohor për të ripërtërirë angazhimin e Shteteve të Bashkuara ndaj marrëveshjes bërthamore me Iranin.
Ligjvënësit demokratë dhe shumë ish diplomatë mendojnë se emërimi i Pompeot e bën më të mundshëm tërheqjen e Shteteve të Bashkuara nga marrëveshja e Iranit. Kjo, thonë ata, mund të rrezikojë takimin Trump-Kim.

“Nuk ka asnjë diskutim që tërheqja nga një marrëveshje e ligjshme që po funksionon, nuk do të krijonte avantazh në negociatat me Korenë e Veriut. Përkundrazi, kjo do të nxiste udhëheqësin e Koresë së Veriut të ngrejë pyetjen: ‘Si mund të nënshkruaj një marrëveshje me një President, i cili është i gatshëm të shkelë çdo marrëveshje të mëparshme?'”, tha ish zyrtari i Departamentit të Shtetit, Thomas Countryman.
Në lidhje me Rusinë, Pompeo është treguar më i ashpër se sa Presidenti Trump, duke akuzuar Rusinë për ndërhyrje në zgjedhjet presidenciale amerikane të vitit 2016.
“Është shumë e qartë se çfarë ka ndodhur në lidhje me përfshirjen ruse në përpjekjet për vjedhur informacion dhe për të patur një ndikim në demokracinë amerikane”,tha Pompeo.
Analistët pajtohen se Mike Pompeo ka admirimin dhe respektin e Presidentit Trump. Kjo do t’ia lehtësojë atij punën nëse ai bëhet kryediplomati i ardhshëm i Shtetet e Bashkuara. /VOA/