Kryebashkiakët e kasaphanës urbane dhe të krimit, nga Veliaj tek Dako e Qazimi të paprekshëm

Ndërsa është arrestuar Kryebashkiaku i Lezhës për tjetërsim pronash,kjo që vihet re është se kemi të bëjmë me një gjueti të hapur të pushtetit ndaj kundërshtarëve politikë. Frokaj në pranga pasi dyshohet se ka falsifikuar dokumenta të pronësisë, por kjo nuk ndodh në Durrës, ku kryebashkiak është Dako, i cili ka shkaktuar një masakër urbane në bregdet me lejet e ndërtimit, duke mos kursyer as zonat arkeologjike.
E njëjta gjë në Tiranë, ku Veliaj tjetërson pronat e pronarëve në qendër të Tiranës, si rasti skandaloz i qytetarëve që e kanë denoncusr pranë Pazarit të Ri, por edhe ai nuk arrestohet, ndërsa planifikon tjetërsimin e mijëra metrave katrorë tek Teatri Kombëtar në favor të klientëve privatë të Ramës që do të ngrenë kullat mbi troje publike.
Kryebashkiakët socialistë janë të paprekshëm, ndonëse janë të përfshirë në afera korruptive dhe janë të lidhur me botën e krimit.

Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj ka tjetërsuar pronën publike për të ndërtuar pallate, prej nga merr 20 përqindëshin. Rasti më flagrant ishte prishja e parkut të fëmijëve tek ish-Parku në Tiranë për ndërtimin e një kompleksi pallatesh. Leja e ndërtimit Veliaj ia dha një ndërtuesi që është i përfshirë në skandalin e 823 mijë eurove të Tahirit të gjetura në makinën e Orest Sotës në Elbasan.
Ndonëse Veliaj jep përditë leje ndërtimi në kundërshtim me ligjin, ndaj tij nuk nis asnjë hetim, sepse ka mbrojtjen e Ramës.
Kryebashkiaku i Durrësit, Vangjush Dako, jo vetëm që ka bërë masakër me ndërtimet në qendër të qytetit dhe në bregdet, por është i lidhur ngushtë me bandat kriminale. Dako është përgjuar nga UMNIK për lidhjet e tij me botën e krimit, ndërsa është shpallur nongrata në SHBA. Megjithatë, Dako nuk preket nga Prokuroria, sepse ka mbështetjen e Ramës.

Edhe kryebashkiaku i Elbasanit, Qazim Sejdini mban rekord për lidhjet e tij me botën e krimit në trafikun e drogës si dhe për korrupsionin galopant. Ndaj Sejdinit nis një hetim për 8 tonelatat e drogës që u futën në Itali me një kamion nga Maqedonia në shkurt të vitit të kaluar, por hetimet ndaj tij u bllokuan me urdhër të Ramës. Po ashtu u bllokuan hetimet edhe ndaj dhëndrit të tij për sulmin ndaj drejtorit të Policisë së Elbasanit në nëntor të vitit të kaluar.
Prokuroria politike po përdoret nga Rama vetëm për të sulmuar opozitën dhe për të burgosur të zgjedhurit e saj. Për këtë qëllim Rama emëroi në krye të Prokurorisë së Përgjithshme një kamikaze, siç është Arta Marku për ta përdorur si mish për top vetëm për të goditur opozitën.
Frrokaj u arrestua në zyrën e tij këtë mesdite dhe akuzohet për shpërdorim detyre. Bashkë me zyrtarët e tjerë, Frrokaj ka qenë pjesë e një skeme për tjetërsimin e pronave në zonat ranore. Si ky rast, ka pasur plot të tjerë ku kryetarët e bashkive duken se kanë abuzuar me detyrën e tyre.

Një nga rastet me të bujshme, është ai i kryebashkiakut të Kavajës, Elvis Roshi. Ndaj Rroshit rëndon akuza e konsumimit të veprës penale “Falsifikimi i vulave, stampave dhe formularëve”, në plotësimin e formularit të dekriminalizimit. Por jo vetëm kaq. Edhe Roshi është perfshirë në skandalin e tokave të bregdetit në Spille-Kavajë, ku janë përfituar toka nga skema mashtruese familjarë të ish-kryetarit të Bashkisë, të ish-kryetarit të Partisë Socialiste, Gentian Daja, familjarë dhe lidhje fisnore të nënprefektit të Tiranës, Fatos Kaja, si edhe të ish-kryetarit të Komunës Kryevidh, Nezir Leçini, shkruan Alpenews.al
Rast tjetër i ngjashëm me atë të Fran Frrokaj, është edhe ai i kryebashkiakut të Rrogozhinës Beqir Nuredini.Ky i fundit akuzohet për shpërdorim detyre pasi dyshohet se ka abuzuar me pronat në bregdetin e Spillesë, duke i tjetërsuar ato bashkë me 10 të akuzuar të tjerë.
Shpëtim Gjika, kryetari i bashkisë Vlorë është akuzuar dy herë për shpërdorim detyre dhe ndërtim pa leje, në lidhje me objektin 11-katësh në qendër të Vlorës që asokohe ishte akoma në ndërtim.
Në procesin e parë, Gjika u akuzua për “shpërdorim detyre” dhe “falsifikim”. Por herën e dytë i rendoi edhe një akuzë më shumë, “veprime që pengojnë zbulimin e të vërtetës”.