Euro zbret në pikiatë sërish

Rënia e monedhës së përbashkët nuk ka të ndalur, në një sjellje të pazakontë për këtë fillim viti. Euro është nënçmuar dukshëm edhe gjatë ditës së sotme, sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë. Një euro u këmbye sot me 131.19 lekë, duke rënë me 0.26 lekë në krahasim me vitin e mëparshëm. Ky është një tjetër rekord i 10 viteve të fundit, që nga gushti i vitit 2009. Që nga fillimi i këtij viti, monedha e përbashkët ka shënuar periudhën më të gjatë rënës që prej majit të vitit 2017, kur niveli i lartë i përdorimit të euros çoi në rënien e fortë të saj deri dy ditë pas zgjedhjeve të përgjithshme të 25 qershorit. Ekspertët e tregut të këmbimit valutor, të kontaktuar nga Monitor pohojnë se, janë disa arsye të brendshme që po ndikojnë në tregun e brendshëm, si rrjedhojë e ofertës së lartë, ndërkohë që ekonomia vendase nuk ka kërkesë për euro.

Së pari, dje ishte dita e fundit e pagimit të TVSH-së dhe bizneset kanë nxituar të këmbejnë valutë për të paguar detyrimet. Së dyti, volumi tregtar mbetet i ulët, pra nuk ka qarkullim të lartë të parasë vendase. Së treti, oferta për valutë është e lartë, një dukuri që në treg po konstatohet prej më shumë se një viti, si rrjedhojë e aktiviteteve informale. Së katërti, ekspertët shpjegojnë se rritja e ndërtimeve në vend dhe shitjeve po ndikon në shtimin e ofertës për valutë. Ndërtuesit, ndonëse punojnë kryesisht në klering, kanë nevojë për likuiditete për pagimin e taksave dhe shpenzimeve të tjera dhe po nxitojnë që të këmbejnë valutë. Së pesti, një dukuri relativisht e re që po jep ndikimin e vet është politika e de-euroizimit të Bankës së Shqipërisë, teksa bankat po nxisin individët që të konvertojnë depozitat nga euro në lekë, çka është një tjetër faktor i shtuar që ka rritur ofertën në valutë. Së gjashti, mungesa e kërkesës për euro është një tjetër faktor i rëndësishëm, që po nënçmom monedhën e përbashkët. Ekspertët presin që tendenca në rënie të vazhdojë.